Edhe pak ditë na ndajnë nga startimi i Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, ku Shqipëria do të përfaqësohet vetëm me një sportist. Ai është 18 vjeçari skiator Denni Xhepa. Për Dennin ky është një debutim në Olimpiadë dhe në intervista për mediet shqiptare këto ditë ai me shumë emocion është shprehur se është gati duke vendosur edhe objektiva ku pret më shumë në disiplinën e slalomit.
“Jam shumë i kënaqur. Unë kam lindur dhe jam rritur në Itali, por jam 100 për qind shqiptar, sepse mamin dhe babin i kam shqiptar. Unë falenderoj Federatën Shqiptare për këtë mundësi dhe besimin që kanë tek unë. Jam shumë i emocionuar dhe mezi po pres”, është shprehur skiatori Denni Xhepa për televizionin shqiptar Euronews.
Ndonëse një sportist i ri, Denni ka synime të qarta për garimin e tij në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit. Ai synon të jetë më i miri ndër 18 vjeçarët dhe të renditet mes 30 skiatorëve më të mire. Para nisjes për në Pekin Denni ka vazhduar stërvitjen në Alpet e Italisë, ku edhe jeton bashkë me familjen e tij.
Komiteti Olimpik Shqiptar tashmë është në fazën përmbyllëse para nisjes për në Pekin. Në një intervistë ekskluzive për Grupin Mediatik të Kinës, kryetari i këtij Komiteti Fidel Ylli ka vlerësuarorganizimin nga Kina të dy Lojërave Olimpike, atyre verore në vitin 2008 dhe Dimërore në shkurt të këtij viti.
“Mund të them se Lojërat Olimpike Verore janë lojërat më të mira olimpike të bëra deri tani në historinë e Lojërave Olimpike botërore në historinë e tyre. Kanë qenë një spektakël i vërtetë që nga mënyra e organizimit, nga fshati olimpik dhe nga shumë gjëra të tjera që Kina kishte bërë për ato Lojëra.
Unë si shef i delegacionit olimpik kisha vajtur dhe përpara Lojërave Olimpike, 1 vit më parë për të parë infrastrukturën sportive dhe të shikoje ndryshimin aq të madh që Kina ka bërë në infrastrukturë, sportive, por dhe në nivelin e sportistëve elitarë, ku Kina ka marrë medalje pa fund në të gjitha sportet”.
Duke iu referuar situatës pandemike botërore dhe vështirësive të krijuara prej saj, kryetari i KOKSH shpreh besimin se qeveria kineze do të bëjë Lojërat më të mira në botë:
“Shpresoj që edhe në këto lojëra olimpike, pavarësisht se ka qenë pandemia, dhe ne nuk kemi patur mundësi të shkojmë të shikojmë infrastrukturën dhe organizimin e tyre, jam i bindur te serioziteti i qeverisë kineze që kur bëjnë Lojëra ata duhet të jenë më të mirat në botë përsa i përket mënyrës së organizimit”, thotë Ylli.
Para nisjes për në Pekin si kryetar i delegacionit shqiptar, Ylli shpreh mesazhin e tij
“Unë u uroj sukses në radhë të parë sportistit shqiptar, sportistëve vëllezërve tanë kosovarë dhe sportistëve në të gjithë botën të bëjnë një garë, ku të fitojë më i miri. Të ketë fair play dhe të mos merren me politikë, por të shikojnë kush të dalë në garën e Pekinit më i miri dhe të marrin medalje të arta”.
Edhe presidenti i Federatës Shqiptare të skive Elvis Toçi shprehet optimist për pjesmarrjen e Shqipërisë në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit.
“ Është një eveniment shumë i madh pjesmarrja në Lojërat Olimpike për mua si president është një nga emocionet më të bukura marrja pjesë në një lojë të sportit dimëror siç është Lojërat Olimpike të Pekinit. Pekini është një vend i bukur dhe ne shpresojmë të kalojmë sa më mirë. Sportistët tanë në këto 4 vite kanë punuar shumë seriozisht, sepse është një event shumë i madh në jetën e një sportisti pjesëmarrja në Olimpiadë. Ne kemi pasur një garë shumë të bukur të sportistëve tanë për herë të parë në Shqipëri. Pas të mirënjohurit Erion Tola që ka marrë pjesë në 4 Olimpiada, këtë herë Shqipëria pati 4 sportistë të kualifikuar për këto gara dhe ka qenë shumë e vështirë përzgjedhja. Deri ditën e fundit ka qenë një konkurrencë e jashtëzakonëshme për pjesmarrjen në këto Lojëra”, thotë Toçi.
Një vlerësim të veçantë ai shpreh për skiatorin e ri Denni Xhepa
“Deni Xhepa është një skiator shumë i ri, vetëm 18 vjeç. Ka dy vite që përgatitet shumë seriozisht për këto gara. Ka kaluar pritshmëritë tona. Ai ka vetëm 47 pikë olimpike, që është një event shumë i madh për Shqipërinë. Pra kjo tregon seriozitetin e përgatitjes së tij si sportist dhe natyrisht përgatitjet e Federatës sonë për të qenë sa më dinjitozë në këtë event kaq madhor për Shqipërinë dhe natyrisht për botën”, thekson ai.
Kreu i Federatës Shqiptare të Skive Elvis Toçi ndërsa ka ambicjen që në Lojërat e ardhshme Olimpike Dimërore të vitit 2026 në Milano të Italisë, përcjell dhe një mesazh
“Mezi po presim të prekim tokën kineze, të ngrejmë lart flamurin shqiptar”, shprehet Toçi
Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit do të zhvillohen nga 4 deri më 20 shkurt.
Eda Merepeza