Në fillim të janarit 2022 Kina, së bashku me katër vende të tjera, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Francën dhe Rusinë, pesë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nënshkruan një dokument “për të siguruar që konflikti bërthamor të mos shpërthejë dhe u zotuan të punojnë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të armëve kataklizmike”.

Kina ka luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e arritjes së deklaratës pozitive e solide nga vendet përkatëse. Në deklaratë thuhet se “kurrë, luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të luftohet”, pasi “armët bërthamore, për aq kohë sa ato vazhdojnë të ekzistojnë, duhet të shërbejnë për qëllime mbrojtëse, të pengojnë agresionin dhe të parandalojnë luftën”, prandaj “përhapja e mëtejshme e armëve të tilla duhet të parandalohet.” Në këtë deklaratë shprehimisht thuhet se “asnjë armë bërthamore e këtyre vendeve nuk do i drejtohet njëri-tjetrit”.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj deklarate, secili nga shtete ripohoi angazhimet individuale sipas Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore të vitit 1968, me anë të të cilit në atë kohë u synua të parandalohej përhapja e armëve bërthamore.

Kjo deklaratë e përbashkët erdhi në kohën kur njerëzimi në mbarë botën është i shqetësuar për shkak të tensioneve të rritura në të gjithë botën dhe konkurrencës së disa prej fuqive të mëdha për të patur akses në burime dhe lëndë të para në çdo cep të globit.

Foto:VCG

Foto:VCG

Kina e përshëndeti deklaratën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për këtë çështje. Sipas përfaqësuesit kinez, “është hera e parë që udhëheqësit e pesë vendeve bëjnë një deklaratë të tillë mbi armët bërthamore, çka tregon vullnetin e tyre politik për parandalimin e luftës bërthamore, duke dërguar një zë të përbashkët për mbrojtjen e stabilitetit strategjik global dhe për uljen e rrezikut të konfliktit bërthamor” dhe se “deklarata do të jetë në favor të shtimit të besimit të ndërsjellë mes pesë shteteve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe do të zëvendësojë konkurrencën mes vendeve të mëdha me bashkëpunimin e koordinuar.”

Sipas përfaqësuesve kinezë të çështjes së kontrollit të armëve bërthamore, deklarata është “shumë e rëndësishme dhe pikërisht në kohën e duhur”.

Një nga zyrtarët e lartë të SHBA-ve për këtë çështje është cituar të ketë thënë: “në nivelin bazë mund të themi se ne pranojmë se është diçka që ne duam ta shmangim, veçanërisht gjatë një kohe të vështirë.”

Është e kuptueshme se për disa prej fuqive të mëdha të kohës periudha e tanishme është e vështirë, aq më tepër kur bëhet fjalë për qëndrueshmërinë e sistemeve, rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe përballimin me sukses të problematikës së shtuar në botë, siç është edhe rasti i pandemisë globale.

Pamundësia për të zgjidhur problemet dhe për të marrë vendimet e duhura shpesh e ka çuar botën dhe njerëzimin në buzë të greminës. Në më të shumtën e rasteve këto vendime janë marrë pa konsultime dhe pa marrë parasysh mendimet e pikëpamjet gjithëpërfshirëse. Përmendim këtu pothuajse të tëra konferencat ndërkombëtare të zhvilluara me pjesëmarrjen e Fuqive të Mëdha që nga shekulli 18 dhe në vazhdim deri në mes të shekullit 20, veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare ku Kina nuk ka qenë përfaqësuar për arsye të mos njohjes së saj nga ana e perëndimorëve.

Foto:VCG

Foto:VCG

Ka edhe disa vende të tjera që disponojnë armë bërthamore, që janë Izraeli, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut. Prishja e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin dhe bllokimi i deritanishëm në përpjekjet për ta shpëtuar atë, kanë rritur rreziqet e përhapjes bërthamore, veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe deklarata e përbashkët e e janarit 2022 për këtë çështje kishte për qëllim përmirësimin e atmosferës në konferencën e rishikimit të NPT, që është shtyrë për më vonë përgjatë vitit 2022.

Është rasti që të përmendim Francën, e cila në veçanti kishte shqetësime se një deklaratë e tillë do të minonte efektin parandalues të arsenalit të saj bërthamor, pasi dihet botërisht se “Franca ka një doktrinë bërthamore që rezervon të drejtën për të përdorur armë bërthamore si një ‘paralajmërim përfundimtar’, për të paralajmëruar një agresor apo edhe një sponsor shtetëror të terrorizmit”, tha me këtë rast një studiues i lartë në Institutin për Kërkimin e Paqes dhe Politikën e Sigurisë dhe po kështu edhe Britania e Madhe, që edhe pse nuk është prononcuar duket se ka patur të njëjtat objeksione. Paragrafi “armët bërthamore - për aq kohë sa ato vazhdojnë të ekzistojnë - duhet të shërbejnë për qëllime mbrojtëse, të pengojnë agresionin dhe të parandalojnë luftën”, u shtua për të adresuar shqetësimet francize, sipas specialistëve.

Të pesë fuqitë e armëve bërthamore deklaruan gjithashtu njëzëri se: “ulja e rreziqeve strategjike”, duke u siguruar që tensionet globale të mos çojnë kurrë në konflikt bërthamor, ishte një nga “përgjegjësitë e tyre kryesore”, dhe

kjo shprehet më së miri në pjesën e kësaj deklarate ku thuhet: “ne theksojmë dëshirën tonë për të punuar me të gjitha shtetet për të krijuar një mjedis sigurie më të favorshëm për përparimin në çarmatimin”.

Impresive është edhe deklarata e një zyrtari të lartë amerikan, që theksoi se “deklarata ishte rezultat I një bisede të mirë, thelbësore dhe konstruktive rreth asaj se si duhet të reduktohen kërcënimet bërthamore dhe përfundimisht të eliminohen ato”.

Foto:VCG

Foto:VCG

Heather Williams, pedagoge në studimet e mbrojtjes në King’s College në Britaninë e Madhe u shpreh se “Duke pasur parasysh mjedisin e sigurisë, jam shumë i tronditur që P5 mund të pajtohet me kaq shumë”.

Williams është një nga ekspertet që ka kërkuar me forcë ndër vite që të përmirësohen kanalet e komunikimit midis fuqive të mëdha në kohë krize, si një nga mënyrat për të reduktuar rreziqet e një përplasjeje të paplanifikuar, që mund të përshkallëzojë konfliktet bërthamore.

Rebecca Johnson, nënkryetare e Fushata për Çarmatimin Bërthamor, dhe presidente e parë e Fushatës Ndërkombëtare për Shfuqizimin e Armëve Bërthamore citohet të ketë thënë: “Për sa kohë që armët bërthamore vazhdojnë të reklamohen dhe përdoren nga disa, ne të gjithë jemi në rrezik të luftës bërthamore.”

Duket se tashmë Kina me fuqinë e saj ekonomike dhe politike po përcakton një pjesë të mirë të agjendës botërore drejt paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm.