Kur së pari Kina iu afrua rajonit të Evropës Qendrore dhe Lindore 9 vjet më parë, me një mekanizëm të qartë bashkëpunimi, baza e të gjithë konceptit ishte "bashkërisht diskutojmë rregullat, bashkërisht punojmë për të arritur rezultate dhe bashkërisht ndajmë përfitimet". Një platformë bashkëpunimi në baza të barabarta, nga Balltiku deri në Ballkan, ku pesha ekonomike dhe politike e vendeve anëtare nuk kishte rëndësi, pasi të gjithë gëzojnë të drejta të barabarta.
Bashkëpunimi Kinë-EQL është një kornizë pioniere, në kuptimin që asgjë e ngjashme nuk është promovuar më parë në mënyrë kaq aktive. Tashmë ekzistojnë më shumë se 40 mekanizma dhe nën-platforma të koordinimit profesional të ngritura nga Kina dhe vendet e EQL-së, gjë që tregon se Kina dhe anëtarët e platformës janë të gatshëm të hyjnë më thellë në një bashkëpunim pragmatik.
Evropa Qendrore dhe Lindore po merr rëndësi përherë e më të spikatur në axhendën e Pekinit drejtuar kontinentit. Kjo u pa më së miri në shkurt të këtij viti, kur takimin e Nivelit të Lartë të Liderëve të Kinës dhe EQL-së, e drejtoi vetë Presidenti kinez Xi Jinping.
Sfidat dhe mundësitë shpesh shkojnë krah për krah kur goditemi nga krizat – tha Presidenti Xi në shkurt. Bashkëpunimi i frytshëm Kinë-EQL, ka provuar se të gjitha palët ndajnë vullnetin dhe kanë aftësinë për të shfrytëzuar mundësitë në një moment paqëndrueshmërie dhe rreziku si ky i pandemisë.
Për sa kohë që mund të ecim përpara me bashkëpunim praktik, me përfitim të ndërsjellë, shpërblimet do të jenë të paimagjinueshme për Kinën, vendet e EQL, të gjithë Evropën dhe botën e gjerë. – ishte mesazhi nga Presidenti Xi për liderët e EQL.
Përse Ningbo?
Ningbo është një qytet i njohur për sipërmarrjen dhe inovacionin. Një nga qytetet e para kineze që u hap për tregjet e huaja, po bëhet përherë e më shumë një destinacion i preferuar i bizneseve.
Në platformën e bashkëpunimit Kinë-EQL, Ningbo ka qënë një vatër shumë aktive për vendet pjesëmarrëse. Që nga mbledhja e kryebashkiakëve, në konferenca të shpeshta akademike, në promovimin e produkteve evropiane në panaire, ky qytet bregdetar po merr ndër vite stafetën e vendit simbol të shkëmbimeve (jo vetëm tregtare) midis anëtarëve të këtij mekanizmi.
Nga ana tjetër ka dhe një arsye me baza logjistike për fokusin në Ningbo, afro 70% e mallrave të prodhuara në Kinë me destinacion vendet e EQL, nisen nga porti i këtij qyteti. Porti Ningbo-Zhoushan, është porti më i madh në botë dhe ka një histori shumë të lashtë. Në antikitet ishte një port i lulëzuar shumë më herët se Shanghai, falë vendndodhjes së tij kryesore përgjatë Rrugës Detare të Mëndafshit për afro 2000 vjet. Në vitin 2020 vëllimi në portin Ningbo-Zhoushan ishte 28,72 milion kontenierë, një rritje prej 4.3% nga viti në vit, duke e bërë atë të jetë një nga tre portet më të mëdhenj në botë (bashkë me Shanghain dhe Singaporin).
Ningbo dhe EQL
Këtë vit do të mbahet Panairi i dytë Ndërkombëtar i Mallrave të Konsumit në Ningbo, nga 8 deri më 11 qershor. Në këtë panair do të shfaqet një gamë e gjerë e mallrave nga EQL. Përveç mallrave tradicionale të konsumit, ekspozitat do të përfshijnë gjithashtu sektorë si makineritë dhe elektronika, pajisje shëndetësore dhe tregtia e shërbimeve, etj.
Ministria e Tregtisë e Kinës deklaroi se në vitin 2020, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së Kinës me 17 vendet e EQL-së arriti në 103.45 miliardë, duke regjistruar një rritje prej 8.4 përqind dhe duke kapërcyer kufirin prej 100 miliardë dollarësh për herë të parë.
Ningbo ka një vend të spikatur në shkëmbimet tregtare midis Kinës dhe EQL jo vetëm në exporte por edhe në importe. Në Samitin e Liderëve të Platformës, presidenti Xi tha se Kina synon të importojë, në pesë vitet e ardhshme, më shumë se 170 miliardë dollarë mallra nga vendet e EQL. Më tej do të merren masa për të ngritur një mekanizëm sanitar dhe fitosanitar të punës; një pikë qendrore për inspektimin dhe çështjet e karantinës për të bashkuar procedurat e vlerësimit të rrezikut në bazë kategorie, në mënyrë që të përsosin procesin e vlerësimit për produktet agro-ushqimore nga vendet e EQL dhe përshpejtojnë hyrjen e tyre në Kinë. Me shumë gjasa, produktet që do të eksportohen në Kinë nga vendet e EQL, do të hyjnë nga porti i Ningbo-Zhoushan.
Qëndron edhe një aspekt tjetër që e shton rëndësinë e këtij panairi, Plani i 14-të Pesë Vjeçar i Kinës, i cili paraqiti direktivat për formimin e një tregu të fortë të brendshëm dhe e portretizoi atë si një kulm për formimin e një modeli të ri zhvillimi brenda Kinës. Zgjerimi i tregut kinez të konsumit dhe kërkesa në rritje për produkte të importuara, rrisin oportunitetet e kompanive të huaja në tregun kinez. Në këtë aspekt, për EQL, Ningbo bëhet porta hyrëse për bashkëpunim të intensifikuar tregtar midis palëve.
Ningbo dhe Shqipëria
Më 7 prill 2021, u zhvillua online konferenca me temë “Urat e partneritetit dhe mundësitë për promovimin e tregtisë në fushën e bujqësisë midis Shqipërisë dhe Kinës”. Konferenca u organizua nga Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri dhe Zyra e Tregtisë e Bashkisë Ningbo.
Në fjalën e hapjes, ambasadori kinez në Tiranë, z. Zhou Ding, theksoi se bashkëpunimi ekonomiko-tregtar midis dy vendeve tona po thellohet. “Kina mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Ambasada jonë ka punuar me zell në lehtësimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimeve midis nesh. Ne kemi shënuar progres por ka ende një potencial të madh që duhet të shfrytëzohet, veçanërisht në tregtimin e produkteve bujqësore”, -tha ambasadori Zhou.
Në të njëjtin takim foli edhe z. Zhang Wenhu, zv. Drejtori i “Qendrës Ningbo për EQL” i cili deklaroi se fokusi i tyre kryesor është promovimi i këtij bashkëpunimi dhe kjo qendër u themelua në 2017, posaçërisht për të mbështetur panairin.
Ningbo u caktua një zonë e demonstrimit të bashkëpunimit ekonomik, dhe versioni i parë i panairit u mbajt në 2014, dhe që prej atij viti gjashtë edicione të kësaj ngjarjeje u mbajtën rregullisht deri në vitin 2020 kur ngjarja u anulua për shkak të pandemisë. Megjithatë, Bashkia Ningbo, mori një qasje krijuese në mënyrë që të mund të vazhdonin komunikimin me bizneset në EQL, duke krijuar një platformë dixhitale, ku 600 kompani të regjistruara nga EQL dhe 2500 kompani blerëse nga Kina ndërveprojnë me njëra-tjetrën online.
Këtë vit panairi do të ketë 5 faza: 1) Forumet; 2) Negociatat e biznesit dhe tregtisë; 3) Panairet; 4) Shkëmbimet njerëzore; 5) Evente për të ftuarin e nderit.
Zhang vazhdoi duke ju shprehur bizneseve shqiptare se për nevojat e tyre për hyrjen në tregun kinez janë punësuar 8 zyrtarë të rregullt ndërlidhës, të cilët komunikojnë me një ose dy vende nga EQL në mënyrë që të ndihmojnë bizneset në kërkimin e tyre për klientë.
Politikat mbështetëse për bizneset në Ningbo shkojnë krah për krah me ritmet e pandalshme të tregtisë.
Koordinimi midis Ambasadës Kineze në Shqipëri, Bashkisë së Ningbo dhe Autoritetit Portual të Ningbo, është intensifikuar në mënyrë që produktet shqiptare të kenë qasje më të lehtë në tregun kinez.
Marrëdhëniet e forta tregtare pasqyrojnë një komplementaritet ekonomik të nivelit të lartë të palëve dhe tregojnë se mekanizmi bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve të EQL-së plotëson nevojat e tyre përkatëse për t’u rritur dhe thelluar.
Ningbo dhe ky panair po zgjerojnë horizontet e bashkëpunimit, ku tregtia është kryefjala dhe stimujt ekonomikë për botën pas-pandemike po japin shenjat e para të ripërtëritjes së shumëdëshiruar globale.
Dr. Marsela Musabelliu