
Bota është diverse në zhvillimin e saj ekonomik dhe të mirëqenies. Sado të luftohet për barazi, pabarazia është dhe do të jetë gjithnjë aty. Disa rajone dhe vende të botës kanë një standard të lartë jetese. Disa të tjera jetojnë në varfëri absolute. Ndërsa varfëria relative është e përhapur kudo. Por liderët e disa vendeve të pazhvilluara dhe në varfëri në rritje flasin për mrekullitë e sukseseve në këtë drejtim. Ata nuk e pranojnë se vendet që ata drejtojnë, megjithëse të pasura në resurse, janë të varfëra në jetesë.
Në fund të fundit lufta kundër varfërisë përbën thelbin e suksesit të një qeverie ose qeverisjeje. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin këtë temë si shqetësim para më shumë se 60 viteve. Europiano-perëndimorët edhe më herët. Në Europën Lindore politikat zhvillimore dhe lufta kundër varfërisë erdhën në fokus të qeverisjes pas rrëzimit të Murit të Berlinit dhe rënies së Perandorisë Sovjetike. Ndërsa Republika Popullore e Kinës e shpalli luftën kundër varfërisë si prioritet të saj para 13 vitesh.

Tani, në prag të Kongresit të Popullit, qeveria e Pekinit ka raportuar për suksesin e saj në arritjen e këtij objektivi. Në këtë raport thuhet se "55.75 milionë banorë në zonat rurale dolën nga varfëria dhe Kina ka realizuar misionin e saj për zhdukjen e varfërisë absolute". Por sipas gazetës së njohur gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung", në dhjetë vitet e fundit në Kinë kanë dalë nga varfëria absolute gjithsej 99 milionë banorë kinezë, ndonëse ata sigurojnë të ardhura ditore prej 2.30 Dollarë. Sipas kësaj gazete, tri janë mrekullitë kineze, përballimi më sukses i pandemisë së Covid-19 krahasuar me pjesën tjetër të globit, prosperiteti ekonomik dhe teknologjik, si dhe lufta e mposhtja e fenomenit të varfërisë.
Kjo gazetë shkruan se sfidën e luftës kundër varfërisë në Kinë ë drejton presidenti i vendit Xi Jiping. Në fakt ishte presidenti Xi ai që para më shumë se një dekadë inicoi këtë lëvizje. Por asokohe nuk ishte parashikuar se bota do përfshihej nga një pandemi vdekjeprurëse si Covid-19. E pavarësisht kësaj rajonet më të varfëria të vendit më të madh në botë morën një përkujdesje të veçantë.
Dihet se mënyra më e mirë për luftën kundër varfërisë është punësimi. Pa punësim nuk ka të ardhura, nuk ka produkt dhe për pasojë nuk ka mirëqenie. Në vitin 2019 produkti i brendshëm bruto arriti rekordin kinez prej 99.086,5 Mrd Yuan, me një rritje prej 6,1 përqind krahasuar me një vit më parë. Por gjatë vitit 2020 nuk u arritën objektivat që ishin vënë për shkak të pandemisë së koronavirus. Megjithatë ekonomia kineze edhe në kushtet e pandemisë u rrit më shumë se në çdo vend tjetër të përfshirë nga kriza në fjalë.

Në vitin 2019 Republika Popullore e Kinës shënoi rekordin e të punësuarve në shifrën prej 775 milion, nga të cilët 57,1 për qind në qytete dhe pjesa tjetër në provincat bujqësore e blegtorale. Problemi qëndron në faktin se ka një dallim të dukshëm midis të ardhurave më të larta të të punësuarve në qytete dhe më të ulëta në fshat. Studimet e publikuara dëshmojnë se kjo diferencë shkon deri në 2-3 herë më pak në fshat sesa në qytet. Por edhe nga të punësuarit në qytet, thonë studiuesit, kanë probleme në masën e shpërblimit. Shkak i kësaj shihet migracioni i brendshëm. Gjatë vitit 2019 ky migracion kapi shifrën rekord prej 290,77 milion emigrantësh, të cilët janë të gatshëm të punojnë në industritë dhe shërbimet qytetase me më pak shpërblim page sesa punëtorët stabilë.
Këto fenomene janë shkatarët e varfërisë. Por edhe fakti që papunësia në vitin 2019 ishte 5,2 për qind përbën një problem më vete. Kjo papunësi u rrit gjatë vitit 2020 për shkak të krizës shëndetësore. Porse ajo është më e ulët sesa në vende të tjera të globit.
Por ajo që vihet re dhe thuhet vazhdimisht ka të bëjë me faktin se prej vitit 1990 e këtej janë përmirësuar dukshëm kushtet e punës, është rritur niveli i pagave dhe është ulur papunësia. Për pasojë është shtuar produkti i përgjithshëm, është zhvilluar krahas kësaj industria teknologjike dhe Republika Popullore e Kinës ia ka dalë që të përballet me sukses edhe me fenomenin e përjetshëm të varfërisë, duke ulur efektin e pasojave katastrofike të saj. Kinezët ende kujtojnë krizën e urisë të viteve 1960, ndaj dhe daljen nga varfëria e konsiderojnë si sfidën më të madhe jo vetëm të dekadave, por edhe të shekullit të fundit.

Tashmë strategjia e rritjes bazohet kryesisht në rritjen e investimeve dhe gjithashtu të konsumit të brendshëm. Ajo çfarë ka ndodhur në Perëndim në vitet '70-80, mesa duket po ndodh sot në Republikën Popullore të Kinës. Strategjia e rritjes së konsumit u ndoq gjatë vitit të fundit, kur qeveria kineze injektoi miliarda dollarë amerikanë fonde për të mbështetur sipërmarrjen si dhe të punësuarit. Besimi se kjo mbështetje do të rriste konsumin e për pasojë edhe qarkullimin e mallrave bëri që kjo strategji të funksionojë dhe garantojë rritjen ekonomike në vend, edhe pse jo në masën e parashikuar para se të fillonte pandemia Covid-19.
Enver Bytyçi








