Para pak ditësh anija kineze "COSCO Pisces" arriti në portin e Pireut të Greqisë. Ky port është një projekt i madh i bashkëpunimit midis Athinës dhe Pekinit. Në kuadër të këtij projekti anija solli kontejnerët e shumtë ngarkuar me materiale ndërtimi. Një ditë më parë në Vilnius të Lituanisë mbërriti treni i parë express "China Post" CR dhe shkarkoi mallrat e sjella nga Lindja e Largët në një prej vendeve të Europës Lindore. Ndërkaq nëntorin e vitit 2018 një automjet me krahë nga prodhuesi sllovak "Aeromobil" u shfaq në Ekspozitën e parë Ndërkombëtare të importit në Shangai, qyteti industrial më i madhi në Republikën Popullore të Kinës dhe në Azi.

Kjo marrëdhënie e ngushtë në tregti dhe në investime midis Republikës Popullore të Kinës dhe 17 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, ku bën pjesë edhe vendi ynë, Shqipëria, ka nisur prej një dekade. Iniciativa kineze ishte paralajmërimi i ndërtimit të urave të bashkëpunimit jo vetëm midis këtyre vendeve dhe Kinës, por edhe midis Pekinit dhe Brukselit. Paralelisht me këtë nismë kishin nisur bisedimet për një marrëveshje të gjithanshme midis Bashkimit Europian dhe Kinës sa i përket investimeve dhe tregtisë së lirë midis tyre. Marrëveshja e investimeve u arrit në Krishtlindjet e kaluara nën presidencën gjermane të Angela Merkel të BE-së. Ndërsa marrëveshja e tregtisë së lirë është ende rrugës, në diskutim.

Por ndërsa investimet kineze në rajonin e Europës Qendrore dhe Lindore përparojnë, nga Shqipëria ka vetëm lajme të kundërta. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, i cili administrohej nga një kompani kineze, tashmë administrohet nga një kompani shqiptare. Kompania kineze u detyrua si rezultat i presionit të qeverisë shqiptare të largohet dhe para se të largohej e shiti biznesin e saj te shqiptarët, sipas projektit të qeverisë. Kompania e naftës, e cila gjithashtu i ka rrënjët në Kinë është nën presion të vazhdueshëm. Kompania kineze që administroi deri në janar të këtij viti Aeroportin e Tiranës, sipas kontratës do të duhej të vazhdonte punën deri në vitin 2027. Por kjo kontratë u ndërpre dhe në vend të një konflikti në gjyqet ndërkombëtare kinezët zgjodhën ta shesin atë.

Ndërkaq Republika Popullore e Kinës rrit çdo vit bilancin tregtar me vendet e rajonit tonë dhe të Europës Qendrore e Lindore. Sipas shifrave kjo rritje është dyfishuar prej vitit 2012 deri në vitin 2020. Nëse para tetë vitesh bilanci tregtar midis Kinës dhe këtyre vendeve ishte 52, 1 miliard dollarë amerikanë, në vitin 2020 shifra u rrit në 103.45 miliard dollarë amerikanë.

Iniciativa kineze 17+1 duket se ia ka arritur që kapitali i këtij vendi të rritet në kontinentin europian. Ajo iniciativë u dha shanse investimeve kineze në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, duke bërë që trajektorja e këtyre investimeve si dhe zhvillimeve tregtare shpesh herë të kapërcejë hapësirën ruse, përfshirë Siberinë. Vendet europiane të kësaj hapësire përfituan nga iniciativa 17+1 dhe rritën mundësitë ekonomike si dhe punësimin.

Janë disa sektorë të rëndësishëm në të cilët kapitali kinez ka hyrë në këto vende. Energjia, infrastruktura, logjistika dhe pjesët e këmbimit zënë vendin kryesor të tyre. Deri në fund të vitit 2020 kapitali kinez investoi në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore gjithsej 3,14 miliard dollarë amerikanë, ndërkohë që vlera e përgjithshme e kontratave të saponënshkruara me 17 vendet në fjalë është 5.41 miliard dollarë amerikanë. Por edhe këto vende kanë investuar në Republikën Popullore të Kinës. Ky investim kap shumën prej 1.72 miliard dollarë, pak më shumë se gjysma e shumës, të cilën e kanë investuar kinezët në këtë hapësirë.

Ndërkaq, sa i përket tregtisë ka një tregues kuptimplotë. Gjatë vitit 2020 numri i trenave të mallrave nga Republika Popullore e Kinës në Europën Qendrore dhe Lindore kapi shifrën e 12.400. Destinacioni kryesor i tyre ishin Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke. Ndërkohë rritja e volumit të tregtisë së Jashtme me këtë rajon e Kinës prej vitit 2012 e këtej ishte mesatarisht 8 përqind në vit, shifër kjo më e lartë krahasuar me vëllimin e tregtisë me Bashkimin Europian. Madje kjo rritje është trefishi i rritjes së tregtisë së jashtme kineze në përgjithësi gjatë kësaj periudhe dhe dyfishi i rritjes së tregtisë së Jashtme me Bashkimin Europian.

Marrëdhëniet tregtare dhe investimet e ndërsjellta Europë - Kinë janë dhe mbeten prioriteti dhe tipari kryesor i tregtisë botërore. Kina tejkaloi vitin e kaluar çdo parashikim dhe u shndërrua për herë të parë në histori në partnerin kryesor të tregtisë me kontinentin europian. Kjo merr një domethënie të madhe për trendin e së ardhmes. Duket qartë se Euro-Azia po shndërrohet në një hapësirë gjithnjë e më atraktive në zhvillimet ekonomike e tregtare. Deri tani Europa dhe Kina kanë prioritet pikërisht rritjen e volumit të tregtisë dhe investimeve midis tyre. Me rëndësi kapitale është që të krijohet besimi midis palëve. Besim do të thotë ligje të së drejtës bazuar në ligjet dhe rregullat ndërkombëtare, të cilat në tregti dhe investime janë më të zhvilluara sesa në fushat e tjera të bashkëpunimit dhe sigurisë globale.

Për Brukselin dhe Pekinin zyrtar me rëndësi është që të dy palët të jenë të kënaqura nga një marrëdhënie e ngushtë bashkëpunimi ekonomik midi tyre. Europa Qendrore dhe Lindore mbetet si rajoni më atraktiv për Republikën Popullore të Kinës. Kjo jo vetëm për pozicionin që ky rajon ka në raport me kontinentin aziatik, por edhe për shkak të një tradite të hershme të periudhës komuniste që është krijuar, sidomos në marrëdhëniet me Rumaninë, ish-Jugosllavinë, Shqipërinë, Hungarinë e ndonjë vend tjetër të ish-kampit komunist!

Enver Bytyçi