Një koment nga prof. Adrian Civici

Shqiptarët shpesh përdorin shprehjen “jemi në tranzicion”. Kjo ndodh kur punët nuk ecin mire në politikë, ekonomi, jetën shoqërore, madje shkon deri aty sa edhe marrëdhëniet ndërnjerëzore të paarrira etiketohen si të tilla “ për shkak të tranzicionit”.

Sipas politologëve perëndimorë që kanë analizuar tranzicionin në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore fundi i tranzicionit në këto vende nuk arrihet lehtë për shkak të mospërputhjes së pritshmërive të arritjeve reale politico-shoqërore pas viteve 90-të.

Prof. Adrian Civici në një analizë të tij të ditëve të fundit me titull “A mund ta konsiderojmë të përfunduar tranzicionin në Shqipëri” shkruan se “ndërkohë që në shumicën e vendeve të Evropës qëndrore e lindore, debatet dhe politikat specifike për “dhënien fund dhe mbylljen përfundimtare të periudhës së tranzicionit” kanë qënë shumë aktive e eficente në vitet 1990-2000, duke kaluar nga logjika e politikave për “përfundimin me sukses të tranzicionit”, drejt politikave për “ndërtimin e një ekonomie tregu dhe kapitalizmi eficent”, në Shqipëri, debatet dhe analizat për fundin e tranzicionit janë mjaft të zbehta dhe pa ndikimin e duhur në qeverisje dhe vendimmarrje

Sipas tij në popull është krijuar një psikozë kombëtare fataliste, se “pa mbaruar tranzicioni nuk mund të shpresojmë të zhvillohemi si një vend normal. Por, kur pritet fundi i tranzicionit në Shqipëri? Kur mund të vendosim një vijë të qartë demarkacioni ndërmjet periudhave “para-tranzicion” dhe “post-tranzicion”?

Për këtë ai i referohet studjuesit Joseph Stiglitz, sipas të cilit, “tranzicioni është një eksperiment i madh, që më shumë se sa rezultati final i tij, ato që po eksperimentohen si të suksesshme apo jo, janë metodat dhe mënyrat për të arritur rezultatin final që njihet nga të gjithë: kapitalizmi si model ekonomik, politik e social”.

Shqipëria realizoi reformat drastike drejt vendosjes së ekonomisë së tregut. Përballë dy alternativave të mundshme në ritmin dhe gjerësinë e reformave, Shqipëria ndoqi rrugën e tranzicionit radikal.

Mekanizmat e tregut kishin kështu mundësinë, që « me një goditje të vetme » të siguronin një alokim efikas të burimeve dhe ta çonin ekonominë drejt një rritjeje të qëndrueshme. Por realiteti shqiptar i viteve të mëvonshme dëshmoi për rezultate të kundërta me këto konstatime. Sektorë e degë jetike të ekonomisë u shkatërruan e braktisën pa patur mundësi të rikuperohen, qoftë dhe për një periudhë afatmesme, nënvizon në komentin e tij prof Civici.

Shteti nuk duhet të tërhiqej nga jeta ekonomike, por thjesht duhet të ndryshonte modalitetet e ndërhyrjes në të. Ekonomia mund të vazhdonte edhe shumë vite të zhvillohej nëpërmjet ekzistencës në nivele të barabarta të sektorit privat dhe atij publik.

Reformat ekonomiko-financiare të ndërmarra gjatë periudhës së tranzicionit në Shqipëri, mund të përmblidhen në:

– politikë monetare restriktive, të shoqëruar me krijimin e një banke qendrore të pavarur; krijimin e disa bankave tregtare të nivelit të dytë; zgjerimin e shërbimeve bankare dhe eleminimin e exedentit financiar të trashëguar;

– politike buxhetore rigoroze, të realizuar nëpërmjet suprimimit të sistemit të subvencioneve shtetërore;

– ndërtimin i një sistemi të ri fiskal dhe tatimor si dhe kontrollin rigoroz të inflacionit;

– liberalizimi i tregut të brendshëm të kapitaleve, ku spikasin masat e vendosjes së konvertibilitetit real të monedhës kombëtare;

– krijimi i një tregu eficent kapitalesh, krijimi i bazave të nevojshme juridike për funksionimin e tregut të kapitaleve;

– liberalizimi i tregtisë së jashtme, nëpërmjet suprimimit të monopolit shtetëror; braktisjen e sistemit të tregtisë me klering, mbështetjen e sipërmarrjes private në këtë fushë etj.;

-rritja e ofertës së brendshme, të përqendruar kryesisht në reformën e çmimeve dhe eliminimin e rritjes fiktive të tyre si pasojë e mungesës se ofertës se brendshme në sasinë e kërkuar nga tregu; nxitjen e prodhimit të brendshëm industrial e bujqësor etj.

Megjithatë, “dirigjenti” kryesor i reformave ishte FMN-ja dhe “recetat” e saj liberale, pavarësisht rotacionit të pushtetit dhe qeverisjes ndërmjet të majtës dhe të djathtës shqiptare. Por, sot, duke analizuar tranzicionin shqiptar, po bëhet dakord gjithnjë e më shumë se Shqipëria nuk e zbatoi në mënyrë të pastër e rigoroze, as terapinë e chok-ut dhe as gradualizmin, por zbatoi një tranzicion të tipit “stop and go”, pra “ec dhe ndalo”, duke alternuar periudhat e zhvillimit me kriza të njëpasnjëshme.

Nga studjuesit Shqipëria konsiderohet si një “rast specifik” me tranzicion të vështirë, të dhimbshëm nga pasojat sociale e ekonomike, të shoqëruar me kriza të forta politike, ekonomike e sociale.

Kur mund të quhet i përfunduar tranzicioni?

Kësaj pyetjeje në artikullin e tij prof. Civici i përgjigjet “Tranzicioni mund e duhet të quhet i përfunduar kur realizohen 4 elemente bazë të tij: kur reformat më të rëndësishme janë zbatuar qartë nga politikanët dhe kuptuar e përkrahur gjerësisht nga populli; kur reformat e ndërmarra kanë prekur thelbin e problemeve të tranzicionit – liberalizuar çmimet, ndërtuar tregun e lirë funksional, privatizuar gjerësisht ekonominë dhe sipërmarrjen, konsoliduar qeverisjen dhe stabilitetin e institucioneve demokratike, realizuar rezultate ekonomike e financiare të mira e të prekshme nga të gjithë; kur vendet e lindjes integrohen në BE ose janë shumë pranë përfundimit të këtij procesi; kur vendet ish-komuniste të kenë ndërtuar në mënyrë të qëndrueshme e funksionale kapitalizmin demokratik.

Afro 30 vjet pas rënies së “perdes së hekurt” dhe fillimit të aventurës së tranzicionit, analizat dhe studimet dedikuar specifikisht “fundit të tranzicionit” i ndajnë vendet e lindjes në tre grupe:

– vendet që e kanë përfunduar tranzicionin plotësisht me rezultat final integrimin në BE, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Sllovenia (2004); Bullgaria dhe Rumania (2007); Kroacia (2013);

– grupi i disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, Bosnja që janë në proces integrimi evropian, por akoma larg përmbushjes së kushteve për konsolidimin e një kapitalizmi demokratik dhe me rezultate ekonomike e financiare të dobëta, çka nënkupton se ju duhet akoma kohë për të deklaruar fundin e tranzicionit në kuptimin e plotë të fjalës;

– grupi i vendeve ish-republika sovjetike si Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Moldavia, Kazakistani, Kirkizistani, Uzbekistani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Rusia, të cilat janë akoma larg përfundimit të tranzicionit duke u përballur vazhdimisht me kriza politike, institucionale dhe ekonomike.

Parë në këtë kontekst, përgjigja për “fundin e tranzicionit” në Shqipëri është akoma larg pohimit përfundimtar, larg plotësimit të kritereve të një kapitalizmi funksional eficent të shoqëruar një një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe demokraci të konsoliduar, theksohet në artikullin e prof. Adrian Civicit në rrjetet sociale.

Eda Merepeza