Joerg Wutke është shef i lidhjes tregtare evropiane në Kinë dhe ekspert e njohës i morë i zhvillimeve në Republikën Popullore të Kinës. Ai i njeh nga afër zhvillimet dhe përparimet kineze në fushën e ekonomisë, ndaj është i saktë kur thotë se “Nëse shohim çfarë është bërë në pesë vitet e shkuara, atëherë duket qartë se Kina ka arritur thuajse të gjitha qëllimet që kishte, sipas planit të hartuar”!

Ndërkaq para pak ditësh Kina ka shpallur planin e saj të objektivave në pesëvjeçarin e ardhshëm 2021-2025. Prej kohës kur në Kinë u rikthye Ten Hasia Pin e deri më sot kursi i saj lidhet me fuqizimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së rreth 1.4 milionë banorëve të saj. Por ndërsa në periudhën e parë objektivat e pesëvjeçarëve ishin që Republika Popullore e Kinës të dilte nga varfëria, në periudhën e dytë të kohës së globalizmit këto objektiva synojnë ta bëjnë vendin konkurrues me botën tjetër, sidomos në fushën e teknologjisë.

Për këtë arsye vëmendja e vetë Kinës dhe botës së jashtme niset nga premisa se çfarë do të arrijë Republika Popullore e Kinës në pesë vitet e ardhshme. Joerg Wutke është i bindur në suksesin e planit të ri pesëvjeçar dhe mendon se këtë plan duhet ta marrim shumë seriozisht, sa i përket impaktit të Pekinit në politikën ekonomike globale. Nisur nga vendimet që u morën nga Partia Komuniste, plani i 14-të pesëvjeçar garanton zhvillimin e vendit në disa drejtime të rëndësishme:

Sipas drejtorit të Departamentit të Teknologjisë së Lartë dhe të Re në MOST, Kina do të zhvillojë gjeneratën e re të kësaj teknologjie bazuar në teknologjinë inteligjente dhe kuantike. Kjo strategji niset përsëri nga përvoja e mëparshme, pasi që vendi në pesë vitet e fundit ka vendosur themelet e suksesit të padiskutueshëm në këtë drejtim. Nëse në vitin 2015 Kina zinte vendin e 29-të në botë sa i përket zhvillimit të teknologjisë, pesë vjet më vonë, d.m.th më 2020-tën, ajo kapërceu 15 vende dhe kapi vendin e 14-të. Ky hap cilësor në zhvillimin e saj përligj faktin se në pesë vitet e ardhshme Kina ka të gjitha shanset të shndërrohet në një nga të paktat superfuqi teknologjike të globit. Dhe nëse i referohemi Joerg Wutke-s, atëherë do të thoshim se objektivi i shpallur në Planin e 14-të pesëvjeçar është plotësisht i realizueshëm.

Sipas ekspertëve evropianë, Kina synon që deri në vitin 2035 të shndërrohet në një fuqi absolute në planet, ndoshta kombi më i madh në botë, sa i përket arritjeve në fushën e ekonomisë dhe teknologjisë, duke kapërcyer të gjitha vendet e tjera dhe duke konkurruar Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo do të rriste ndjeshëm gjithashtu GDP-në kineze dhe vendi do të shndërrohej automatikisht në një superfuqi botërore, duke zëvendësuar ish-Bashkimin Sovjetik të Luftës së Ftohtë.

Han Wenxiu nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave në Partinë Komuniste sqaron për mediat evropiane strategjinë e shndërrimit të Kinës në një superfuqi ekonomike dhe në teknologji. Ai thotë se ndërsa forcohet konjuktura e brendshme ekonomike, rriten aftësitë e zhvillimit dhe konkurimit të saj në ekonominë botërore. Për këtë Kina merr parasysh zhvillimet në konjukturën ndërkombëtare, sepse kombinon të dy aspektet në rrjedhën e rritjes ekonomike.

Nga mesi i tetorit të shkuar presidenti kinez Xi Jinping paralajmëroi se në Kinë po shfaqet një model i ri ekonomik, ose siç e quajti ai "një sistem i ciklit të dyfishtë ekonomik"! Ky sistem i dyfishtë i ciklit ekonomik në Kinë duket se ka parasysh prodhimin dhe ofertën e brendshme, me synim rritjen e konsumit. Ndërkohë që në aspektin ndërkombëtar ka në themel konkurrencën tregtare. Në shtatorin e kaluar Kina pati ngritjen më të madhe në botë sa i përket bilancit tregtar, dike rritur eksportet me 9.9 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por edhe importin me 13,2 për qind. Ndërkohë që Gjermania uli masën e eksporteve me 6 për qind për t'u rritur vitin e ardhshëm në masën 4,2 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikohet të kenë gjatë këtij viti një ulje të eksporteve prej 4, 2 për qind, për ta shtuar sasinë e eksporteve në vitin 2021 me 3,1 për qind.

Starti kinez i rritjes ekonomike në përgjithësi dhe eksporteve në veçanti duket premtues dhe krijon kushte të favorshme për konjukturën e ardhshme të konkurrencës ekonomike në ekonominë botërore. Në këto kushte shteti kinez nuk është dhe nuk ka pse të jetë nën presionin e konflikteve të shumta që natyrshëm shkakton ambicja e Republikës Popullore të Kinës për t'u shndërruar në një ekonomi me ndikimin më të madh në botë krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjithkush ka të drejtë të arsyeshme të piketojë objektivat e tij ekonomikë, mjafton që realizimi i këtyre objektivave të bazohet në ligjet e normat ndërkombëtare. Duke shfrytëzuar këtë të drejtë Kina bëhet atraktive për ekonomitë e tjera të fuqishme dhe përmes bashkëpunimit me to arrin starte të reja zhvillimi.

Prandaj dhe plani ose projekti i 14-të pesëvjeçar i Republikës Popullore të Kinës, miratuar së fundmi nga forumet udhëheqëse të Partisë Komuniste, i shërben jo vetëm rritjes së konsumit në tregun e brendshëm të vendit, por edhe rritjes së përbotshme të produktit shoqëror dhe të konsumit të mallrave. Kjo është pikërisht ajo që kërkohet me qëllim që bota të shmangë më mirë dhe më me lehtësi krizat globale ekonomike dhe financiare!

Enver Bytyçi