Ditët e fundit është mbajtur në Pekin sesioni i pestë plenar i Plenumit të 19-të të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Kinës, të kryesuar nga Presidenti i Kinës Xi Jinping, dhe në të cilin morën pjesë rreth 364 anëtarë të përhershëm e të përkohshëm ku u diskutua Plani i 14-të pesëvjeçar, 2021-2025. Gjithashtu, po në ktë sesion, u diskutuan edhe direktivat kryesore për zhvillimin ekonomik deri në 2035. Fryma e përgjithshme e këtij takimi të zgjeruar të udhëheqjes kineze ishte ajo e një linjë të kujdesshme dhe pragmatike për shkak të rritjes së presionit nga jashtë por edhe sfidave ekonomike të brendshme. Ajo që bie në sy është fakti se megjithëse e ardhmja e marrëdhënieve ekonomike por edhe politike ndërkombëtare mbetet e paqartë për shkak të disa lëvizjeve qartësisht kundër Kinës të administratës Trump, përsëri Kina duket e vendosur të çojë përpara jo vetëm zhvillimin e vet ekonomik, por mbi të gjitha të përqendrohet mbi një zhvillim ekonomik cilësor, duke i dhënë prioritet zhvillimit të mëtejshëm të teknologjive të reja, dhe një ekonomie që ecën në harmoni me ambientin. Gjithashtu, synohet përforcimi i parimit të qarkullimit të dyfishtë që do të thotë përforcimi i konsumit të brendshëm dhe varësi sa më të vogël nga tregjet e jashtme, sidomos në prodhimin e mallrave me vlerë të shtuar siç janë ato që kanë të bëjnë me pjesët kompjuterike apo mallra të tjera me teknologji të avancuar. Kjo do të thotë se Kina dëshiron të mbështetet më shumë në tregun e brendshëm se atë të jashtëm për ti garantuar rritje ekonomisë kombëtare. Disa nga këto tendenca të zhvillimit të afërm e afatgjatë të ekonomisë kineze në fakt u paralajmëruan edhe gjatë vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Shenzhen para pak kohësh.

Plani pesë vjeçar i korrespondon direktivave ekonomike afatshkurtra, ndërsa fakti që për herë të parë përmendet edhe një plan i përgjithshëm me një shtrirje kohore deri në vitin 2035 tregon se në dritën e sfidave të brendshme dhe të jashtme, Kina po tregohet më strategjike në politikat e saj ekonomike afatgjata. Në planin afatgjatë Kina ka objektivin të dyfishojë të ardhurat për frymë, dhe të zgjerojë në mënyrë të konsiderueshme klasën e mesme me të ardhura të larta. Në rrafshin e teknologjive të reja, Kina vë objektivin të bëhet një lider global në inovacion dhe shkencë. Aq rëndësi ka marrë në fakt teknologjia në planin e ri pesë vjeçar, sa edhe ministri i shkencës e teknologjisë, Wang Zhigang, tha se një kapitull i tërë në plan i kushtohet vetëm zhvillimit teknologjik.

Në rrafshin më të gjerë mund të thuhet se pavarësisht krizës ndërkombëtare të shkaktuar nga pandemia dhe pasojat e saja në ekonominë botërore, Kina duket se ja ka dalë që jo vetëm të shpëtojë nga pasojat më negative që kjo pandemi mund të kishte shkaktuar, por edhe të mbajë të pandryshuar kursin e saj të rritjes ekonomike, me gjithë impaktin negativ të pandemisë që ka shkaktuar një reduktim të lehtë të rritjes së prodhimit të brendshëm bruto për këtë vit.

Si në rrafshin politik ashtu edhe ekonomik mund të nxirren disa konkluzione interesante.

E para, është fakti se ndryshe nga ekonomitë e vendeve perëndimore në të cilat po programohen buxhete krizash, dhe menaxhimi të pasojave të pandemisë mbi ekonominë, Kina me masat e saj të forta kundër pandemisë dhe herët në kohë, ka mundur jo vetëm të sjellë nën kontroll pandeminë, por më e rëndësishmja të mbajë ekonominë në shinat e progresit dhe lëvizjes.

E dyta, ka dy paqartësi që vijnë nga jashtë që e kanë shtyrë Kinën që zhvillimi i saj i ardhshëm të jetë më shumë i varur nga tregu i brendshëm sesa nga ai i jashtëm. E para ka të bëjë me faktin se për kundër impenjimit kinez për një ekonomi globale të hapur, tregjet ndërkombëtare po përballen me trysni nga politikat e administratës Trump për të reduktuar hapësirat për investitorët kinezë. Kjo shkakton shumë paqartësi për sa i përket mundësisë për qasje të investitorëve kineze në tregjet ndërkombëtare. E dyta, zhytja e Perëndimit në një valë të dytë goditje nga ana e epidemisë Covid-19 akoma edhe më të fortë se e para, ka nxjerrë në pah se kriza të tilla për një numër arsyesh janë të vështira për tu vënë nën kontroll në këto vende, duke shkaktuar pasoja shumë të rënda mbi ekonomitë e tyre që nga ana a tyre shkaktojnë paqartësi në marrëdhëniet ekonomike të Kinës me këto vende.

Për të reduktuar varësinë nga tregjet ndërkombëtare që varen nga ekonomi që janë të paparashikueshme siç po ndodh së fundmi në perëndim, Kina po rrit parashikueshmërinë e rritjes së ekonomisë së saj, duke i bërë qëllimet afat shkurtra por edhe afat gjata sa më realiste, por mbi të gjitha duke rritur peshën e faktorëve të brendshëm në realizimin e objektivave të progresit ekonomik dhe shoqëror.

Në të njëjtën kohë vihet re edhe një aspekt tjetër i rëndësishëm. Përballe sfidave të viteve të fundit të Kinës, sistemi i saj politik, sado i ndryshëm nga ai i perëndimit, ja ka dalë që të tregojë se në raste krizash, por edhe sfidash të mëdha të vendit, mund të mobilizojë me shumë efikasitet burime të jashtëzakonshme për përballimin e tyre. Kjo është në njëfarë mënyre një sfidë e hapur ndaj atyre kritikëve në perëndim që shikojnë në sistemin politik kinez një limit që kufizon shtjellimin e forcave krijuese në ekonomi dhe shoqëri. Pavarësisht shumë problemeve, si në çdo shoqëri dhe vend të madh, Kina ja ka dalë që të përdorë më së miri potencialet e saj njerëzore dhe ekonomike që kanë bërë të mundur që vetëm në rreth katër dekada nga një ekonomi e varfër dhe me pjesën më të madhe të popullsisë në kushte të vështira ekonomike, të bëhet ekonomia e dytë në botë, dhe më e rëndësishmja të nxjerrë pothuajse të gjithës popullsinë nga varfëria dhe të shikojë përpara drejt objektivit për tu bërë një ekonomi e plotësisht e zhvilluar në 15 vitet e ardhshme. Ky zhvillim i Kinës për disa shihet si një kërcënim, por për të tjerë mund të jetë dhe është një mundësi e madhe për të ndërtuar një rend ekonomik global që i përgjigjet nevojave të njerëzimit i cili fatet e veta i ka ngushtësisht të lidhura me rrjedhën që do të kenë marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes fuqive të mëdha.

Ylber Marku