Një tregues i mirë për të kuptuar se ku po orientohet një komb është të shikosh se si udhëheqja e tij i përgjigjet sfidave të kohës. Nëse duam të kuptojmë Kinën është e domosdoshme të kuptojmë udhëheqjen e saj - dhe nëse na duhet një ide se ku po drejtohet udhëheqja e Kinës në të ardhmen këtë e shpalosin më së miri Planet Pesë-Vjeçare të Republikës Popullore të Kinës (RPK). Prodhimtaria, urbanizimi, shkenca, arsimi, zhvillimi rajonal, qëndrueshmëria, inovacioni - strategjitë që lidhen me këto terma kanë ndikuar gjatë dekadave të fundit në jetën e popullit kinez dhe të gjitha vijnë nga ky udhëzues i rëndësishëm. Shumë ekonomistë mendojnë se Planet Pesë-Vjeçare janë "arma sekrete" e mrekullisë së zhvillimit të Kinës.

Plani Pesë- Vjeçar për Zhvillimin Ekonomik dhe Shoqëror: për t'i dhënë atij titull tё plotë, është në fakt një seri dokumentesh të cilat janë lëshuar rregullisht që nga viti 1953, secila me objektiva dhe strategji të reja ose të azhornuara për vitet në vijim. Në vitet e hershme të RPK , planet e para përfshijnё përgjithësisht rritjen industriale dhe bujqësore dhe caktimin e kuotave specifike të prodhimit për çelik dhe grurë. Sot, ashtu si vetë vendi, këto plane kanё evoluar dhe janë transformuar më shumë në një udhëzim makro-strategjik që përshkruan qëllimet, vendos objektivat dhe harton qasje dhe strategji për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

Plani ofron njohuri për ekonominë e dytë më të madhe në botë dhe përparësitë e saj duke parë nga e ardhmja. Çdo plan pesë-vjeçar i përgjigjet situatave dhe sfidave për periudhën që mbulon, mundëson që Kina të lejojë tregun të sillet me qasjen e kërkesë/ofertës, por në të njëjtën kohë ekziston një strukturë, një parashikim, një fokus që shikon më shumë nevojën kombëtare, aspiratat shoqërore, ndryshimet historike dhe sfidat ekonomike.

Kina dhe Perëndimi – ku qëndrojnë dallimet në planifikimin ekonomik

Me popullsinë më të madhe në botë, Kina duhet të zgjidhë probleme të cilat nuk diskutohen shpesh në shoqëritë perëndimore. Lufta kundër varfërisë përbën shembullin më karakteristik. Kjo luftë është bërë edhe më sfiduese gjatë krizës COVID-19. Kina merr masa dhe bën përgatitje në kohë të mira për kohë të kёqe. Për të ushqyer afërsisht 1.4 miliardë njerëz kërkohet planifikim i mirë që garanton prodhim, importe të pandërprera dhe rezerva të furnizimit. Procesi i vendimmarrjes përfshin të dhëna nga mijëra grupe interesi, agjenci qeveritare, universitete, studiues dhe profesionistë të shquar. Ai gjithashtu merr parasysh konsultimet e gjera nga përfaqësuesit e nivelit primar. Mbi 1 milion sugjerime për Planin e 14-të Pesë-Vjeçar u morën për herë të parё në historinë e tyre, online. Siç tregon procesi, planet pesë-vjeçare të Kinës nuk janë krijuar për të tërhequr vota ose për të marrë pikë politike, duke bërë premtime elektorale, ato synojnë të realizojnë aspiratat e njerëzve për një jetë më të mirë.

Në Europë cikli i planifikimit ekonomik drejtohet dhe zbatohet tërësisht në varësi të cikleve elektorale. Në këto cikle, ekonomia dhe (mbi)jetesa e njerëzve i nënshtrohen nevojës elitare të pushtetit të menjëhershëm politik, interesave të ngushta të grupeve të interesit ose lobeve afër pushtetit. Ndërsa në Europë poltika ka natyre ciklike në planifikim, në Kinë qasja është vazhdimësia dhe qëndrueshmëria.

Plani i 14 Pesë-Vjecar (2021-2025)

Udhëheqësit e lartë të Kinës përfunduan një mbledhje katër-ditore duke zbuluar projektin kritik të vendit për pesë vitet e ardhshme. Partia Komuniste e Kinës (PKK) lëshoi Planin e 14-të Pesë-vjeçar, i cili përshkruan një strategji të re të rritjes të quajtur "Dinamika e Zhvillimit të Dyfishtë" me një fokus në inovacionin teknologjik.

Një kombinim i politikave që rrit eksportet ndërsa, nxit njëkohësisht kërkesën e brendshme - shpesh referuar si strategji e qarkullimit të dyfishtë - duket se përmbledh qëllimet e ardhshme ekonomike. Ky ribalancim i nevojshëm nuk është i lehtë. Ashtu si me politikën e mëparshme të hapjes ndaj botës, edhe në këtë rast kërkohet kohë dhe durim. Udhëtimi i ribalancimit mund të jetë herë pas here i trazuar.

Udhëheqja kineze është e vetëdijshme për mjedisin e paqëndrueshëm ndërkombëtar dhe po vepron në përputhje me rrethanat. Plani i 14-të Pesë-vjeçar (2021-25) mishëron vullnetin e saj që vendi të dalë sa më i fortë dhe i vetë-mbështetur në të gjithë sektorët. Ky nuk është produkt i pasigurisë së vazhdueshme ndërkombëtare, por i studimit sistematik. Për shembull, nga maji i vitit 2018, Presidenti Xi Jinping identifikoi problemet me të cilat përballet Kina dhe zhvilloi konsultime të njëpasnjëshme në mënyrë që Kina të gjejë zgjidhjen e duhur për problemet e kohës.

Sipas komunikatës së seancës së Pestë Plenare të Komitetit Qendror të (PKK) Kina ka shpalosur një dinamikë të re e cila synon që vendi të përshpejtojë ndërtimin e një sistemi modern ekonomik dhe do të përshpejtojë krijimin e një modeli të ri zhvillimi i cili merr tregun e brendshëm si kolonë bazё dhe lejon tregjet e brendshme dhe të huaja për të rritur interaktivitetin me njëri-tjetrin, me qëllim përfundimtar për të arritur një ekuilibër midis zhvillimit dhe sigurisë ekonomike.

Disa analistë kinezë janë të mendimit se vendi do të kërkojë të rrisë në mënyrë drastike tregun e brendshëm të konsumit për të siguruar rritje të qëndrueshme afatgjatë ekonomike. Kjo siguron që rritja ekonomike e vendit mund të ndikohet më pak nga pasiguritë dhe paqëndrueshmëritë jashtë kufijve të saj, të tilla si tarifat dhe luftërat e teknologjisë me SHBA.

Instituti Kinez i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Bashkëkohore, sqaron se strategjia mund t'i japë Kinës më shumë hapësirë për të manovruar nën mjedisin aktual të pasigurt ndërkombëtar dhe të lehtësojë kalimin në një ekonomi me cilësi të lartë, të drejtuar nga konsumi, përfshirë kapitalin, talentin, informacionin dhe teknologjinë.

Në të kaluarën koncepti i self-reliance, ose i shqipëruar mbështetja në forcat vetjake, nënkuptonte izolim, por për Kinën e shekullit XXI mbështetja në kapacitetet e brendshme nuk nënkupton veçim nga bota, pasi edhe vetë bota nuk mund të izolohet nga Kina. Integrimi i thellë i prodhimtarisë kineze në zinxhiret globalë të furnizimit e bën praktikisht të pamundur këtë gjë. Për me tej, koncepti i ri zhvillimor i qarkullimit te dyfishtë lejon që tregu i brendshëm dhe i jashtëm të rriten bashkërisht dhe të suportojnё njëri-tjetrin.

Jo vetëm deri në 2025 por 2035 - ndërtimi i një shoqërie të madhe moderne socialiste

Modeli i planit pesë-vjeçar përfaqëson përvojën e vlefshme të zhvillimit të Kinës, e cila thekson optimizimin e qeverisjes ekonomike me një qasje gjithëpërfshirёse dhe arritjen e një ekuilibri dinamik midis synimeve të shumta. Objektivi i vetë-mjaftueshmërisë ndërthuret me hapjen e tregjeve ndaj botës duke rritur nivelin e kësaj qasjeje. Kina është zhvendosur në një fazë të zhvillimit me cilësi të lartë, me përparësi të konsiderueshme institucionale, efikasitet të përmirësuar të qeverisjes, përmirësim ekonomik afatgjatë, themel të fortë material, burime të bollshme njerëzore, hapësirë të gjerë tregu, qëndrueshmëri të fortë të zhvillimit. Koncepti i një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin po merr rrënjë gjithnjë e më shumë, sidomos në kohët e pandemisë, ku u pa qartazi që fatet i kemi të pёrbashkata pёrfshi këtu edhe sigurinë shëndetёsore.

Për më tepër në këtë seksion u parashtruan gjithashtu Objektivat Afatgjatë deri nё Vitin 2035, gjë që nënkupton jo vetëm vazhdimësi në politika zhvillimore, por intesifikim të mёtjeshëm tё synimeve bazë të një kombi që planet (dhe ëndrrat) i bën realitet.