Ministri i Punëve të Jashtëme i Republikës Popullore të Kinës, Z. Wang Yi, mbylli vizitën e radhës në kontinentin evropian. Kjo vizitë (25 gusht–1 shtator 2020) në Itali, Holandë, Norvegji, Francë e Gjermani, ishte një tjetër gur themeli për të ardhmen e marrëdhënieve midis dy palëve dhe padyshim një sukses individual i Z. Wang, si Ministri XI i Punëve të Jashtëme të Kinës që nga viti 2013, periudhë në të cilën Bashkimi Evropian ka ndërruar disa herë hierarkinë e lartë, përfshirë edhe politikën e jashtëme.
Nëse shqyrtojmë ecurinë e marrëdhënieve Kinë – BE, vlen të ndalemi në takimin e Pekinit të Majit 2016 midis Z. Wang dhe Ministrin e Punëve të Jashtëme të Francës, për statusin e ekonomisë kineze lidhur me Organizatën Botërore të Tregtsë si “ekonomi jo tregu”, ku Z. Wang Yi deklaroi se: “vota evropiane nuk ishte aspak konstruktive”.
Më tej, në Mars 2018, ai vlerësoi grupin e vendeve të Vishegradit (Sllovakia, Hungaria, Republika Çeke dhe Polonia), vende anëtare të BE-së, si “forca më dinamike e bllokut”, duke i dhënë një frymëmarrje të re bashkëpunimit me Evropën.
Gjithashtu, në Maj 2018, në lidhje me takimin vjetor midis vendeve të Evropës Lindore dhe Kinës, Z. Wang tha se: “marrëdhëniet e Kinës me këto vende janë me përfitim për tërë Evropën”.
Në të tëra takimet e formatit 17+1 (më parë 16+1) midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore, Z. Wang ka theksuar se: “marrëdhëniet e Kinës me këtë pjesë të Evropës, janë të natyrshme në ndihmë të marrëdhënieve me tërë kontinentin evropian.
Në Mars 2019, ministrat e punëve të jashtëme të vendeve të BE-së shprehën mbështetjen e tyre të plotë për qendrimin e ri ndaj Kinës, me përshkrimin si një vend me një “sistem rival”, me të cilin BE-ja kërkon ribalancim marëdhëniesh ekonomike e tregtare, qendrim që shtypi evropian i kohës e cilësoi si “një ribalancim për bashkëpunim dhe negociata me një vend partner dhe konkurrues në lidhje me lidershipin teknologjik e modelet alternative qeverisëse”.
Samiti i Prillit 2019 për aksesin në tregje dhe kufizimet, ka qenë pikë kthese në marrëdheniet midis dy ekonomive, pasi u hodhën themelet për një traktat të ri për investimet respektive, çështje që palët e diskutonin prej vitesh.
Përgjatë kësaj periudhe, pikëpamja e Qeverisë Kineze, shprehur fare qartë nga Z. Wang ka qenë se: “edhe pse të dy partnerët kanë këndvështrime të ndryshme për ekonominë e tregtinë dhe se konkurrenca është e paevitueshme, të dy palët mund të përfitojnë shumë nga bashkëpunimi i ndershëm, i paanshëm, jo diskriminues “, ndërsa pikëpamja evropianoperëndimore, shprehur nga rangu më i lartë diplomatik i BE-së, u artikulua se: “do ishte naive, në mos qesharake, të fshihen diferencat në mënyrën si palët adresojnë qeverisjen dhe sistemet politike”.
Vizita e fundgushtit 2020 e Z. Wang në Evropë vjen pas vizitës që Presidenti i Republikës së Kinës, Z. Xi Jinping, zhvilloi në Itali, Francë dhe Monaco, vizitë ku u diskutuan pëfshirja e Italisë në projektin “Një rrugë – Një brez” dhe riformatimin e grupit 16+1 (tashmë 17+1), pas së cilës, Mogherini, përfaqësuesja e BE-së, deklaroi se: “uniteti i BE-së në marrëdhëniet me Kinën është gjë pozitive, evidente, me interes, pasi asnjë nga vendet anëtare të BE-së, individualisht, nuk ka madhësinë, ndikimin, fuqinë për të negociuar mbi baza të barabarta me Kinën në tregti, investime çështjet e sigurisë”, deklaratë së cilës Z. Wang Yi ju përgjigj me shprehjen se: “Kina, pa asnjë mëdyshje, mbështet integrimin e BE-së. Iniciativa “Një rrugë – Një brez” është program masiv infrastrukturor që ndërthur interesat për financimin e projekteve të infrastruktrës në Evropë”.
Në vazhdën e këtyre zhvillimeve, në Dhjetor 2019, Z. Wang shfaqi bisedimet për tregtinë e lirë Kinë - BE, paralelisht me negociatat për marrëveshjen e investimeve, shtuar këtu faktin se: Kina tashmë është ekonomia e dytë më e madhe në botë, partneri i dytë më i madh tregtar me BE-në, me një fluks tregtar ditor rreth 0.8 miliardë euro.
Takimi i dhjetë vjetor për Dialogun Strategjik Kinë - BE u zhvillua virtualisht (prill 2020). Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i BE-së, në konferencën për shtyp tha: “Ne patëm një bisedim të hapur, të frutshëm. Ramë dakord për të përshpejtuar “Marrëveshjen për investimet” dhe duam që Axhenda 2025 të jetë e kënaqshme për të dy palët. Duam të kemi qasje të balancuar, reciproke në bashkëpunimin tonë dypalësh në fusha si tregtia e lirë, kooperimi shkencor, bashkëpunimi kulturor, mediatik, etj, dhe, padyshim, edhe në lidhje me të drejtat e njeriut dhe për çështje me interes shumëpalësh si qasja ndërkombëtare Post – COVID – 19, objektivat e Axhendës 2030 dhe Marrëveshja e Parisit. Ne kërkojmë të transformojmë shoqëritë dhe ekonomitë tona në mënyrë të qendrueshme, të gjelbër. Kina padyshim është një nga lojtarët kryesorë globalë. Ky është një fakt dhe Kina do shtojë rolin e saj gobal. Ne duhet të angazhohemi së bashku me Kinën në arritjen e objektivat tona globale, bazuar në interesat dhe vlerat tona”.
Deklarata e Z. Borell solli urgjentisht në Evropë Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Mike Pompeo dhe pas kësaj, u realizua vizita e Z. Wang, vizitë e cila në thelb ka riforcimin e faktit se Evropa dhe Kina historikisht kanë qenë dhe mbeten dy forcat më madhore të tregut e civilizimit në botë. Mbi këtë bazë, kjo vizitë synoi dy plane, marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe. Në aspektin e marrëdhënieve dypalëshe, vizita synoi (1) zgjerimin e axhendës ekonomike dhe tregtare dypalëshe, (2) thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër COVID – 19, (3) stabilizimin e kërkesës dhe ofertës në tregjet ndërkombëtare, (4) dakordësinë në sektorin e ekonomisë dixxhitale, (5) dakordësinë në sektorin e ekonomisë së gjelbër, etj.
Në aspektin e marrëdhënieve shumëpalëshe, vizita synoi (1) mbështetje për dakordësinë shumëpalëshe dhe globale (patur parasysh edhe qasjet në rang shumëpalësh të SHBA-së e Britanisë së Madhe), (2) përmirësim të qeverisjes në aspektin global, (3) kontribut për paqen në rang global, (4) qendrueshmëri të zhvillimeve në botë.
Nga ky këndëvështrim, kjo vizitë duhet parë si shkëndija dhe sinjale bashkëpunimi të frutshëm, në prani edhe të debateve të shëndetshme.