Panoramika e një udhëtimi
Në 25 Gusht 2020, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, njëkohësisht edhe Këshilltar i Shtetit Z.Wang Yi, nisi një vizitë në Evropë me objektiv në axhendën e tij pesë shtete: Itali, Norvegji, Holandë, Francë e Gjermani.
Duke zgjedhur Italinë si vendin e parë për vizitën e tij në kontinent, Z. Wang shprehu në takimin e tij me homologun Di Maio se kish nisur këtë udhëtim me katër qëllime kryesore në mendje: Për të rritur solidaritetin Kinë-Evropë dhe bashkëpunimin kundër COVID-19; për të treguar mbështetjen e vazhdueshme të Kinës mbi unitetin dhe zhvillimin e Evropës; për të forcuar më tej marrëdhëniet Kinë-Evropë dhe për të forcuar përkushtimin e Kinës për paqen dhe zhvillimin botëror.
Italia ka një traditë të hershme dhe të ngjeshur bashkëpunimi me Kinën, në fakt është i vetmi vend nga të sipërpërmendurit që është zyrtarisht pjesë e nismës globale të RPK “Një Brez, Një Rrugë”- po ashtu, gjatë muajve të vështirë të Italisë në luftën masive ndaj COVID-19, Kina ka qenë një nga mbështetësit më të rëndësishëm të saj, duke ndihmuar me pajisje dhe staf mjekësor. Kina dhe Italia duket se janë partnerë natyralë, historikisht dhe aktualisht. Në fakt, Kina dhe Italia mund të nxjerrin mësime nga kultura tradicionale dhe shkëmbimet e hershme (mjafton të kujtojmë udhëtimet në Azi të Marko Polos që përhapën njohuri dhe tregti nga Pekin deri në Venecia). Volumi tregtar midis dy vendeve ka patur rritje të pandalshme dekadat e fundit, po ashtu edhe bisedimet nëpërmjet kanaleve politikë kanë patur rezultate të jashtëzakonshme e të frytshme.
Në qëndresën e dytë në Holandë, një vend i njohur për hapjen ndaj botës, jo vetëm në terma tregtare, u theksua se të dy vendet duhet të japin një shembull të shkëlqyer të mbështetjes së tregtisë së lirë, hapjes së ndërsjellë dhe konkurrencës së ndershme, dhe së bashku të avancojnë ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.
Gjatë vizitës në Norvegji, u vu theksi në mundësitë e përmirësimit dhe thellimit të marrëdhënieve dypalëshe gjithashtu edhe në gatishmërinë e Kinës për të punuar me Norvegjinë, për të promovuar bashkëpunimin mbi vaksinat, bashkëpunimin detar dhe mekanizmat e dialogut, të shpejtojë negociatat për Marrëveshjet e tregtisë së lirë, etj. Norvegjia nuk është një shtet anëtar i Bashkimit Evropian (BE). Sidoqoftë, ajo është e lidhur me Unionin përmes anëtarësimit të saj në Zonën Ekonomike Evropiane, që prej 1994.
Në Francë, Presidenti Emanuel Makron shprehu qartë se pala franceze është e gatshme të punojë me palën kineze për të avancuar më tej partneritetin strategjik gjithëpërfshirës, të mbështesin së bashku multilateralizmin, të forcojnë komunikimin dhe koordinimin për shëndetin publik, ndryshimin e klimës, biodiversitetin, çështjet që lidhen me Afrikën dhe të zbatojnë bashkërisht Nismën e Pezullimit të Shërbimit të Borxhit G20 për vendet më të varfra. Të dy palët angazhohen të thellojnë shkëmbimet e rëndësishme dhe axhendën politike për fazën tjetër.
Gjatë vizitës në Gjermani, Ministri i Jashtëm Heiko Maas, pas takimit të tij me homologun e tij kinez u shpreh se shkëputja e marrëdhënies midis BE dhe Kinës nuk do të ishte në interesin e Brukselit. Ky është një tregues i qartë i avancimit të mëtejshëm të konceptit të autonomisë strategjike midis dy partnerëve.
Pikat e “nxehta” dhe adresimi i tyre
Në 1990, Robert Keohane përcaktoi multilateralizmin si praktikë e koordinimit të politikave kombëtare në grupe të tre ose më shumë shteteve. Sa më shumë aktorë të jenë prezent në takime me rëndësi të veçantë, aq më shumë përfitimet ndahen midis palëve. Sfidat globale kërkojnë zgjidhje globale, multilateralizmi është e vetmja rrugë, jo vetëm në kohët kritike të pandemisë, por edhe në të ardhmen e afërt e të largët.
Një zgjedhje shumë interesante e vendeve të qëndrimit dhe itinerarit të kryediplomatit kinez, këto pesë shtete tregojnë një seleksionim të kujdesshëm në shumë nivele. Në radhë të parë është zgjedhje gjeografike gjithëpërfshirëse, Jug, Veri dhe Qendër të Evropës, duke lënë të kuptohet qartë ideja bazë e angazhimit shumëpalësh.
Më tej, qëllimi i vizitës mund të analizohet në dy rrafshe, në atë pragmatik dhe në rrafshin vizionar. Në rrafshin pragmatik mund të thuhet se destinacionet kanë rëndësi si vijon: Franca dhe Gjermania janë gati të pashmangshme, jo vetëm për rolin e tyre si vende kryesore të BE por edhe për volumin tregtar që kanë me Kinën, Italia për shkak të marrëdhënieve të shkëlqyera ekzistuese, Holanda për mendësinë tregtare të sajën dhe për shkak të portit të Rotterdamit (ku 10% e volumit të kontejnerëve përpunohet nga kompania kineze COSCO) dhe Norvegjia si një anëtare në Këshillin e Sigurimit të OKB 2021-2022 por edhe si një përpjekje për fashitjen e mospajtimeve të së kaluarës. Këto vende janë të rëndësishme për Kinën, por pa dyshim edhe Kina është e rëndësishme për to. Si partneri i parë importues por edhe si një treg i pazëvendësueshëm për prodhimet Evropiane. Në 14 vitet e fundit BE si bllok ka qenë partneri më i madh tregtar i Kinës; por bashkëpunimi nuk ka ngelur vetëm në sferën ekonomike por ka vazhduar në atë që quhet “partneritet i qeverisjes globale” - Kina ka shumë arsye për të ruajtur marrëdhëniet konstruktive me vendet evropiane dhe e anasjelltas.
Mesazhe për të tashmen dhe të ardhmen: vizioni global i Kinës. Një rend botëror ku mbizotëron komunikimi në baza të barabarta dhe jo "ligji i xhunglës" – tha Wang Yi. Pala kineze nuk ka ndërmend të përfshihet në një "Luftë të Re të Ftohtë" dhe është fuqimisht kundër kësaj hipoteze. Pretendimi për të filluar një "Luftë të Re të Ftohtë" do të kthejë mbrapsht rrjedhën e historisë, do ti shërbejë vetëm interesave të ngushta të një minorance dhe do të marrë peng botën. Një përpjekje e tillë është kundër trendit të zhvillimit botëror. Kina do të ndihmojë Evropën të luftojë pandeminë dhe të rigjallërojë ekonominë e saj – u shpreh Z. Wang Yi.
Në fund të 2019, Josef Borell deklaroi se nëse Evropa nuk bëhet lojtar i vërtetë gjeopolitik, rrezikon të bëhet “sheshi i lojës” ku do të luajnë fuqitë e tjera të mëdha (duke iu referuar Kinës dhe SHBA). Në Evropë nuk ka oreks për një luftë të re të ftohtë, por mund të bëhet shumë e vështirë për evropianët të arrijnë një balancë midis Kinës dhe SHBA , është një ekuilibër shumë delikat për t'u gjetur dhe vizita e Wang Yi në këtë aspekt është jashtëzakonisht e rëndësishme.
Duke iu përgjigjur disa akademikëve në Paris, Wang Yi tha se: “Gënjeshtrat dhe thashethemet, pa marrë parasysh sa herë përsëriten, do të zhbëhen përfundimisht nga faktet....Kina bën atë që thotë - ne nuk jemi vetëm të qartë por edhe të vendosur në veprimet tona.”
Narrativa e numrit një të diplomacisë kineze në Evropë është qartazi një mesash që ndjell dialog e jo konfrontime mes palëve. Një gjuhë përkrahjeje dhe jo kërcënimesh, një mesazh për të punuar të gjithë për të mirën e përbashkët. Mesazhe të qarta për dy kontinente që vetëm mund të përfitojnë nga intensifikimi i bashkëpunimit. Duke rigjallëruar Rrugën e Vjetër të Mëndafshit me anë të “Një Brez, Një Rrugë” Evropa dhe Kina mund të vendosin një shembull të papreçedent në promovimin e dialogut midis popujve duke u mbështetur në njohjen e ndërsjellë dhe në baza të barabarta.
Në mediat Evropiane kjo vizitë u lakua me një kryefjalë “Ofensivë Sharmante” – ose ndryshe një fushatë lajkash, miqësie dhe miklimi të krijuara për të arritur mbështetjen ose marrëveshjen e të tjerëve. Por, a ishte me të vërtetë kështu?
Kina dhe pesë vendet Evropiane që Z. Wang Yi vizitoi, janë realitete dhe sisteme të ndryshme politike, dhe shpesh herë zhvillimet lokale dhe botërore i shohin nga këndvështrime të ndryshme. Kjo u bë e dukshme në disa nga konferencat për shtyp të dhëna gjatë ditëve të kësaj jave intensive, ku nuk munguan as pyetjet tendencioze e as spekulimet. Sidoqoftë, ky realitet nuk ka penguar deri më sot, dhe nuk duhet të pengojë në të ardhmen angazhimin e tyre (Kinë-BE) për t'iu përgjigjur së bashku sfidave globale.