Më 1 dhjetor 1958, u shfaq për herë të parë në Shkodër opera e parë shqiptare “Mrika” e kompozitorit Prenk Jakova. “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti. “Mrika” mishëroi ëndrrën e të gjithëve, por sidomos artistëve shkodranë, me në krye të madhin Prenk Jakova, që dhe Shqipëria të kishte operan e saj.
kompozitori Prenk Jakova (foto TOB)
Opera Mrika me bazë veprën “Dritë mbi Shqipni” është vepra e parë operistike, e organizuar, e arritur dhe e shfaqur në fillimet e saj, në mënyrë ekskluzive nga forcat krijuese, talenti dhe guximi i qytetit tradicional e kulturor të Shkodrës. Ishte në atë kohë një vështirësi e madhe të vendosje një opera në skenë, të mblidhje orkestrantë, tenorë, soprano, skenografi, grimier, kostumografë, balerin e vallëtar. Por gjenialiteti i Jakovës, regjizura e Andrea Skanjetit dhe talenti i më se 62 koristëve dhe 42 orkestrantëve të evidentuar në mënyrë perfekte në afishen e kohës, kanë bërë të mundur realizimin e një vepre të pa menduar ndonjëherë në Shqipëri dhe e realizuar në Shkodër.
Ndonëse opera u vu në skenë në dhjetorin e 1958-ës, puna për të në të vërtetë filloi në vitin 1956. Me një punë këmbëngulëse e vullnet të fortë, Prenk Jakova filloi të hedhë në partiturë notat e muzikës që kishte në imagjinatën e vet. Të gjitha punimet, çdo pasdreke i kalonte në piano dhe vetëm atëherë i konsideronte të përfunduara. Me t’í përfunduar, ai niste direkt provat me këngëtarët të cilët quheshin amatorë, por që kur sot kujtojmë emrat e tyre, kuptojmë se bëhet fjalë për artistë që i dhanë frymë qytetit të Shkodrës dhe artit kombëtar gjatë atyre viteve. Midis tyre ishin Klodilta Shantoja, Florinda Gjergji, Ndrekë Gjergji, Petrit Garuci, etj. Provat zyrtare filluan në vitin 1958-të dhe duhet thënë se në Tiranë, nuk kishte asnjë pikë besimi që një inisiativë e tillë do të kishte sukses. Mirëpo Prenk Jakova, një artist i madh, idealist dhe vizionar, me një mbështeje të jashtëzakonshme të njerëzve në Shkodër, të atyre “amatorëve”, që ditën punonin me tre turne në uzina dhe kantiere dhe pasdite shkonin e bënin prova në teatër ose në filarmoninë e qytetit, arriti të përfundonte një punë kolosale, siç ishte opera e parë shqiptare. Kompozitori ishte shumë i vendosur dhe këmbëngulës për ta çuar punën deri në fund, ashtu siç e kishte programuar ai vetë. Më 27 nëntor u bë prova gjenerale. Ndërsa, më 1 dhjetor 1958, u dha shfaqja e operës që pati një sukses të madh. Atë natë në sallën e Teatrit Migjeni të gjithë mbanin frymën. Po shfaqej opera e parë shqiptare “Mrika”, një realizim artistik, fund e krye i qytetit verior.
posteri i operas MRIKA (foto TOB)
Ishte një opera më katër akte, një proces krejtësisht i ri. Një kompozim original që Prenk Jakova e pasuroi me këngë, valle, pjesë korale, arie, duke e bërë atë një opera kombëtare.
Sipas dëshmive të kohës, tregohet se kur Prenk Jakova zuri vend në podin e vet të dirigjimit, para orkestrës, i veshur me një kostum jeshil të errët dhe me një paraqitje elegante, pesë minuta para se të fillonte, flautisti i parë Tish Hila, që ishte njëkohësisht edhe argjendar, i dhuroi Prenk Jakovës një shkop të artë, si dhuratë nga orkestra, me të cilin do të dirigjonte Prenk Jakova operën atë natë.
Ngjarjet e operës “Mrika” zhvillohen në vitet 50-të dhe në to, përshkruhet jeta e një vajzë mirditore dhe e familjes së saj. Aria e Mrikës, “Dielli ka perëndue”, karakterizohet nga një ton lirik, shumë tërheqës. Po ashtu edhe aria “Oh, Ç’janë këto trazime” është po aq e bukur, tërheqëse dhe e pasur me shumë elemente lirike dhe dramatike, ashtu si e gjithë muzika që kompozitori ia ka përshtatur vendit të ngjarjes, dialektit të të folurit, veshjes dhe botëkuptimit.
Skene nga opera MRIKA (foto TOB)
Suksesi i Mrikës në atë premierë ishte i padiskutueshëm. I gjithë qyteti nuk fliste gjë tjetër, vec për operan e parë.
Për operan u angazhua një kor i madh, prej 62 vetash, të cilët në fakt nuk ishin profesionistë dhe disa prej tyre ishin dhe solistë. Ndërkohë ishin edhe 42 orkestrantë absolutisht të talentuar që bënë të mundur ekzekutimin e veprës kolosale të Prenk Jakovës. Kjo pjesmarrje tregonte fuqinë e madhe të trashëgimisë artistike dhe muzikore të qytetit.
Pasi u shfaq 18 herë në Shkodër, një vit më pas, opera “udhëtoi”drejt Tiranës, ku u interpretua nga artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit, më 26 nëntor 1959. Në role interpretuan këngëtarët e njohura Marije Kraja, Lluk Kaçaj, Avni Mula, Ibrahim Tukiqi, Jorgji Velo, me dirigjent Mustafa Krantja dhe pati një sukses të plotë.
Patjetër që mbas kësaj vepre kanë dalë vepra të tjera, por kjo është pionierja e gjinisë së operas dhe njerëzit e saj, po ashtu, janë pionierët e fillimit të muzikës së madhe që na bashkonte me botën e qytetëruar.
Prenkë Jakova është autor edhe i një tjetër opera, që u shkrua pak më vonë, “Skënderbeu”, edhe ajo e sukseshme, si dhe autor i shumë romancave, kantatave dhe këngëve. Ai është edhe autor i dy këngëve shumë të njohura që të gjithë i konsiderojnë si këngë popullore: “Syrin si qershia” dhe “Margjelo”.
Prenk Jakova me operan e tij u tregue njohës dhe mjeshtër i dramaturgjisë muzikore operistike. Për suksesin e arritur Prenk Jakova u dekorua me Urdhrin e Punës të Klasit të Parë dhe me Çmimin e Republikës, ndërsa më vonë i akordohet titulli Artist i Merituar dhe Nderi i Kombit.
Edhe pse kanë kaluar dekada, nga koha kur kompozitori shkroi veprat e tij, ato vazhdojnë të admirohen, kurse autori i tyre konsiderohet nga shtypi dhe kritika e artit, si kompozitori gjenial shqiptar.
Neritana Kraja