Zekirja Mexhiti është gazetar dhe folës i njohur në Maqedoninë e Veriut. Ai e nisi rrugën e gazetarisë krejt rastësisht, kur ishte në moshë të vogël dhe pasioni i tij i madh ishte sporti. Talenti, puna dhe përkushtimi për profesionin bënë që Zekirja të jetë sot nga gazetarët me zë në Maqedoninë e Veriut. Aktualisht ai punon në Klan Maqedonia si gazetar dhe folës i edicionit të lajmeve. Në një intervistë për Grupin Mediatike të Kinës (CMG), ai tregon për rrugëtimin e tij në gazetari, sfidat e këtij profesioni si dhe kënaqësinë që ka marrë nga puna që bën.

Zekirja Mexhiti gjate edicionit te lajmeve ne Klan Meqedonia (Facebook)

Zekirja Mexhiti gjate edicionit te lajmeve ne Klan Meqedonia (Facebook)

CMG: Si ka nisur rrugëtimi juaj në gazetari?

Zekirja Mexhiti: Eksperienca ime apo lidhja ime me gazetarinë ka nisur që në moshën 14 vjeçare dhe është diçka e rastësishme që kam përfunduar në këtë profesion. Fillimisht unë jam marrë me sport, kam bërë trajnime me moshat e vogla në një klub futbollistik në Maqedoninë e Veriut, që quhej Macedonia Gjeorçe Petrov. Më vonë kam filluar të kem një nuhatje rreth gazetarisë sportive, pra fillova që të shkruaj rreth futbollistëve, rreth sportit në përgjithësi dhe këtu do të thoja që ishte lidhja ime me gazetarinë.

CMG: Në fillim ju kishit pasion sportin?

Zekirja Mexhiti: Lidhja me gazetarinë u bë pikërisht nga futbolli. Gjatë kohës që trajnoja skuadrën, fillova të kem një pasion për gazetarinë. Kur isha më i vogël bëja sikur thurja lavde për futbollistë të ndryshëm, përshkruaja ndeshje të sportit, komentoja në atë botën time ndeshjet e sportit e kështu me radhë. Pikërisht ky moment dhe kjo ngjarje do të shënonte edhe fillimet e mia, që do të më shtynin në ujërat e gazetarisë ku jam edhe sot.

Zekirja Mexhiti ne studio (Facebook)

Zekirja Mexhiti ne studio (Facebook)

CMG: Me kaq vite eksperiencë, si e ndjeni veten në këtë profesion dhe a mendoni se keni bërë zgjedhjen e duhur?

Zekirja Mexhiti: Do të thoja se gazetaria është më tepër se një profesion dhe unë e them gjithmonë se është një profesion përtej profesionit. Për mua është një mision dhe diçka që e bëj me shumë dëshirë, se nuk e kam një punë sa për të përfunduar orarin, apo sa për të përfunduar muajin dhe të marr lekët e të shikoj punët e tjera. Pra është një punë të cilën e bëj me shumë pasion dhe përkushtim. Unë jam shumë i kënaqur që kam zgjedhur këtë profesion që gjithnjë e bëj me shumë pasion. Dita ditës po më rritet vullneti, motivi si dhe pasioni shtohet në këtë drejtim.

CMG: Ju tashmë përveç punës si gazetar në Klan Maqedonisë, jeni dhe folës i edicionit të lajmeve në këtë televizion. Kë preferoni të bëni më tepër, apo nuk i ndani të dyja?

Zekirja Mexhiti: Në lidhje me spikerimin do të thoja se kjo është një punë në kuadër të gazetarisë, por është diçka tjetër dhe më bën të ndjehem më mire. Gjithashtu më bën të jap më të mirën nga vetja pikërisht në drejtim të folësit të lajmeve. Gazetaria i ka përvojat e veta, të cilat t’i sjell nga terreni, përballja me vështirësitë që i ka terreni, lajmin e fundit, përballja me gjëra të hidhura, por dhe gjëra të bukura. Janë dy gjëra, të cilat i bëj me shumë dëshirë. Unë kohët e fundit kam filluar të anoj më shumë si folës i lajmeve, por nuk mund të le anash edhe gazetarinë e terrenit. Kjo varet kur është nevoja që të dal në terren dhe sigurisht në ngjarje më kryesore, apo në ngjarje që shënojnë historinë e shtetit apo lajmeve të përditshmërisë tonë.

Zekirja Mexhiti gjate nje raportimi live nga Brukseli (Facebook)

Zekirja Mexhiti gjate nje raportimi live nga Brukseli (Facebook)

CMG: Cila ka qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme ku ju e keni ndjerë veten më mirë në raportim nga terreni dhe që do ta veçonit nga të tjerat?

Zekirja Mexhiti: Në ngjarjet e vendit ndjek më shumë ngjarjet politike, zhvillime që kanë të bëjnë me politikën e brendshme, por dhe atë të jashtme. Gjithashtu jam marrë dhe me tema sociale, tema të karakterit kulturor, por nuk e kam lënë anash dhe kronikën e zezë, ku në këtë pjesë kanë qenë dhe raportimet nga situata të rrezikshme përfshirë tërmetet, zjarret, përmbytjet etj. Të gjitha këto më kanë ndihmuar që sot të bëj një bagazh për të arritur këtu ku jam. Nuk mund ta veçoj se cila pjesë do të më tërheqë më shumë, por do të thoja se është një ndërthurje e këtyre dy punëve që bëj, të profesionit të spikerimit dhe atë të gazetarit të terrenit. Të dyja kur i bëj bashkë, më bëjnë krenar dhe ky që jam sot i lumtur me këtë profesion që bëj.

CMG: Mbani kontakte me kolegë nga Shqipëria dhe Kosova?

Zekirja Mexhiti: Jam në kontakt të vazhdueshëm, por dhe shkëmbejmë informacione në lidhje me çështje të ndryshme, që kanë të bëjnë me dy vendet. Duke pasur parasysh kontekstin e ngjarjeve dhe zhvillimeve që ndodhin, është e patjetërsueshme mbajtja me Shqipërinë dhe Kosovën, si për neve kolegët gazetarë, por dhe mbajtja e lidhjeve mes popujve. Kjo vazhdon të jetë një lidhje që unë edhe sot po e kultivoj dhe po e ruaj me kolegë gazetarë të Shqipërisë dhe Kosovës.

CMG: Ju në fillim të bisedës thatë që sporti ishte shkëndija që ju futi në rrugën e gazetarisë. Keni ndonjë emision me tematikë sportive në televizionin ku punoni?

Zekirja Mexhiti: Unë vijoj të përcjell informacione sportive dhe çdo ditë më interesojnë informacionet e fundit nga sporti. Gjithashtu vijoj të shikoj ndeshje futbolli. Për momentin nuk merrem me ndonjë aktivitet sportiv për shkak të angazhimeve dhe dinamikës në të cilën karakterizohemi ne si gazetarë, dhe do të thoja se nuk kam kohë që të merrem personalisht me sport, por edhe nuk bëj ndonjë emision sporti në televizion.

Zekirja Mexhiti ne Bruksel (Facebook)

Zekirja Mexhiti ne Bruksel (Facebook)

CMG: Si është një ditë e zakonshme pune në TV Klan Maqedonia, ku ju punoni aktualisht?

Zekirja Mexhiti: Unë meqenëse jam dhe udhëheqës i departamentit të rrjeteve sociale këtu në Klan Maqedonia, si dhe redaktor i ditës, mëngjeset e zakonshme i kemi me një kafe pranë vetes, duke diskutuar me gazetarët në lidhje me zhvillimet të cilat e kanë karakterizuar ditën paraprake, por edhe atë të cilën do ta karakterizojnë gjatë ditës. Fillon në këtë mënyrë dhe përfundon me orët e vona, meqenëse unë kam dhe edicionet e fundit të lajmeve si folës në studio. Është një ditë e mbushur me angazhime, punë që përfundon me edicionin e orës 23.00 dhe pas këtij edicioni shkoj në shtëpi për t’u çlodhur dhe për të kaluar atë pak kohë që na mbetet nga dita me familjen.

CMG: Cilat janë marrëdhëniet tuaja me kolegët e komunitetit maqedonas?

Zekirja Mexhiti: Ne megjithëse jemi dy etnitete të cilët jetojmë bashkarisht në një shtet të përbashkët, pra mes shqiptarëve dhe maqedonasve, vijoj të mbaj kontakte direkte dhe shumë intensive me kolegë maqedonas sepse kemi shumë gjëra të përbashkëta, dhe është e pamundur që funksionimi të bëhet veçmas nga komuniteti maqedonas. Kemi raporte shumë të mira dhe korrekte, shkëmbejmë informacione dhe gjëra që na ndërlidhin bashkarisht. Dy nga kolegët e mi më të mirë janë kolegë maqedonas nga media të tjera. Janë çështje që të lidhin përtej gazetarisë dhe e kalojnë interesin e gazetarisë. Kemi marrëdhënie të mirë jo vetëm me kolegë maqedonas, por edhe të etniteteve të tjera.

Intervistoi: Gazmend Agaj