Prezantimi i shtepive botuese ne panair- foto Shoqata e Botuesve Shqiptare
“Një det me libra” është motoja e festivalit më të ri letrar që u zhvillua në qytetin e Durrësit. Për pesë ditë me radhë qyteti turistik u kthye në një arenë të madhe feste për librin!
Mbrëmjet e gushtit u bënë tejet të veçanta. Librat mbi tezga, nëpër vitrina, në promovime, apo në skena, ftonin durrasakët dhe pushuesit të bëheshin miq të librit. Nga ora 19 deri pak para mesnate, prania e librave dhe aktiviteteve turistike ndihej kudo.
Inskenime të ndryshme, biseda sociologjike, filozofike, deklamime dhe lexime poezish dhe promovime librash, takim nga afër me shkrimtarë ku një vend të veçantë kishin autorët durrsakë, ishte ajo çfarë ofruan mbrëmjet bregdetare të librit.
Në ceremoninë e hapjes së Festivalit Veror të Librit, morën pjesë ministria e kulturës, Elva Margariti, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, shkrimtari dhe përkthyesi, Virgjil Muçi, drejtorja e QKLL, Alda Bardhyli dhe personalitete të tjera.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi se ky festival libri është një tjetër shenjë domethënëse për Durrësin, për ringritjen e tij, pas goditjes nga tërmeti. Ndërsa, kryebashkiakja Emiriana Sako e vuri theksin në rëndësinë që ka ky panair për të promovuar shkrimtarët e rinj durrsakë.
Aktivitete, lexim poezish- foto Shoqata e Botuesve Shqiptare
Ndërkohë, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri foli për rëndësinë e këtij aktiviteti:
“Bëjmë thirrje për të lexuar, bëjmë thirrje për librin, kjo është një thirrje për shkollën, kjo është një thirrje për mësuesit, kjo është një thirrje për institucionet arsimore në radhë të parë, të cilat në disa raste nuk punojnë ashtu siç duhet me librin. Libri të ndihmon të qetësohesh, të gjesh veten, të mësosh, prandaj target grupi që ne i jemi drejtuar janë rinia, fëmijët, familjet, sepse në fund të fundit themeli i shoqërisë është shkolla dhe familja”, u shpreh Ymeri në një dalje për mediat.
Botuesit pjesmarrës në panair prezantuan në stendat e tyre titujt e rinj. Ishin 35 shtëpi botuese që vinin nga Shqipëria dhe trojet shqipfolëse të cilët i prezantuan librat në pikat strategjike të qytetit, si: shëtitorja Taulantia, Amfiteatri Romak, Muri i Kalasë e destinacione të tjera që njihen për takimet me librin.
Nete librash ne Durres- foto Shoqata e Botuesve Shqiptare
Pas ceremonisë së hapjes, protagonist i mbrëmjes të së enjtes ishte shkrimtari Loer Kume, fitues i çmimit “Kadare” për vitin 2019. Ndërsa e premtja iu kushtua diskutimit të temës “Nga libri në libër, nga zëri në zë”, me të ftuar shkrimtarë dhe përkthyes si Aida Baro, Virxhil Muçi, Rudi Erebara, Sokol Cunga, etj. GJithashtu u zhvillua edhe një bisedë për librin “Erosi tek gostia e Platonit” me autor Artan Fugën. Ndërkohë që e shtuna iu dedikua dy personaliteteve, Moikon Zeqo dhe Gjergj Vlashi, dy durrsakëve miq edhe në jetë, në një tryezë diskutimi me studiues si Përparim Kaba, Haxhi Rama, etj.
Për ta përmbyllur me mbrëmjen e së dielës, ku harmonizohej muzika me letërsinë dhe në fokus u vunë shkrimtarët e rinj, pa harruar edhe tema të tjera të rëndësishme për letërsinë e të rriturve dhe për fëmijë.
Studiuesi Perparaim Kaba ne nje diskutim te tij - Foto Shoqata e Botuesve Shqiptare
Interesi i dashamirësve të librit ishte i madh, sidomos nga emigrantët, të cilët e panë Panairin Veror të Librit si një mundësi të mirë për të blerë libra në gjuhën shqipe të paktën një herë në vit, kur kthehen në atdhe, gjatë pushimeve të verës. Në përzgjedhjet e tyre ata priren më shumë drejt librave historikë, apo biografive të personaliteteve shqiptare, pa harruar as librat që lidhen me temat historike më specifike. Pastaj në preferencat e emigrantëve vijnë librat të shkruar nga gazetarë të njohur në Shqipëri dhe në fund vijnë librat artistikë. Ndryshe nga turistët shqiptarë që po pushojnë në Durrës dhe preferojnë më shumë romane nga autorë të ndryshëm.
Çmimet e kripura të librave bëhen shpesh pengesë për lexuesit, por gjatë 5 netëve të këtij eventi shumëkush ka mundur t’i blejë titujt e preferuar më lirë. Shtëpitë botuese shprehen të kënaqura nga interesi i treguar nga qytetarët. Për ta është një ogur i mirë që panairi u hap kur Durrësi është në pikun e sezonit turistik.
nga takimet e librit- foto Shoqata e Botuesve Shqiptare
Panairi veror i librit në Durrës është një ngjarje e rëndësishme kulturore, që bën bashkë shkrimtarë, përkthyes, botues, pedagogë, aktorë, muzikantë e personalitete të tjera të fushës së letrave që kanë një qëllim: të gjallërojnë jetën kulturore të qytetit bregdetar dhe të nxisin dashurinë për librin e leximin, veçanërisht te të rinjtë. Sipas kryetarit të Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, ky është një aktivitet i mirëmenduar dhe po synohet që të shtrihet edhe në qytete të tjera të vendit.
“Festivali Veror I Librit”, u realizua me mbështetjen e Bashkisë Durrës, Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Ministrisë së Turizmit.
Neritana Kraja