Foto nga VCG

"Fillimi i vjeshtës" ndodh zakonisht më 7, 8 ose 9 gusht, ndërsa këtë vit i binte më 7 gusht. "Fillimi i vjeshtës" përfaqëson ndryshimin e stinëve dhe simbolizon periudhën kur vera e nxehtë do të përfundojë shumë shpejt dhe vjeshta e freskët do të vijë. Meteorologët e përkufizojnë vjeshtën kështu: kur temperatura mesatare e pesë ditëve me radhë arrin nën 22 gradë, kemi hyrë në vjeshtë. Por në fakt, Kina ka territor shumë të madh dhe në krahina të ndryshme ka shumëllojshmëri temperaturash dhe klime. Vitet e fundit, i gjithë globi është ngrohur shumë. Prandaj në fazën stinore "Fillimi i vjeshtës", temperatura mesatare në shumicën e krahinave kineze vazhdon të mbetet mbi 22 gradë. Vetëm në dhjetëditëshin e dytë dhe të tretë të shtatorit, në shumicën e tyre fillon në të vërtetë vjeshta. Prandaj mes popullit kinez është shumë e përhapur shprehja "Tigri i vjeshtës". Sipas saj, pas "Fillimit të vjeshtës" temperatura mund të arrijë mbi 35 ose 40 gradë për disa ditë me radhë, ndërsa acarimi i klimës së nxehtë në këtë fazë është përshkruar në gjuhën kineze si zemërim i papritur i tigrit. Në fakt, dukuria e mosikjes së verës së nxehtë ndodh edhe në rajone të tjera anembanë botës. Në Evropë ajo është quajtur "Vera e plakës", ndërsa në Amerikën Veriore është e njohur si "Vera indiane".

Në Kinën e lashtë në fazën "Fillimi i vjeshtës", perandori kryesonte funksionarët e shtetit gjatë një ceremonie të mirëpritjes së vjeshtës dhe urdhëronte gjeneralët të stërvitnin ushtarët për të mbrojtur atdheun. Përveç kësaj, qeveria e atëhershme dhe fshatarët e thjeshtë zgjidhnin një ditë fatbardhë për të bërë lutje, duke falënderuar "hyjninë qiellore" dhe "stërgjyshërit" për të mirat e dhëna prej tyre.

Pas "Fillimit të vjeshtës" temperatura bie dalëngadalë, metabolizmi i njeriut ulet pak nga pak dhe oreksi fillon të rritet. Për këtë arsye, duhet rregulluar ushqimi i përditshëm sipas karakteristikave të vjeshtës. Në krahinat veriore të Kinës është i përhapur zakoni i ngrënies së shalqirit në ditën e "Fillimit të vjeshtës". Ky zakon quhet edhe "ngrënia e vjeshtës". Kinezët besojnë se ngrënia e shalqirit mund të shmangë sëmundjen e diarresë në dimrin e mëvonshëm dhe pranverën e vitit tjetër. Edhe në fazën "Fillimi i pranverës" është një zakon i ngjashëm, "Ngrënia e pranverës", që do të thotë ngrënia e perimeve të freskëta pranverore. Në verë temperatura e lartë shkakton mungesën e oreksit dhe shumë njerëz dobësohen. Me ardhjen e fazës "Fillimi i vjeshtës", duhet të hamë ushqime të mira për t'u fuqizuar. Ushqimi më i pëlqyer patjetër është mishi. Prandaj, familjet e thjeshta kineze përgatisin mish rose, derri, qengji etj. për të kremtuar këtë festë. Përveç ushqimeve, mjekësia kineze jep disa sugjerime për rregullimin e shpirtit dhe të pushimit:

Rregullimi i shpirtit - Duhet të mbajmë pastërti dhe qetësi psikologjike. Klima e vjeshtës mund të shkaktojë pikëllim dhe ndjeshmëri te njerëzit. Në kulturën kineze, vjeshta është një stinë e lidhur me trishtimin dhe hidhërimin. Në kohën e lashtë, kriminelët ekzekutoheshin vetëm në vjeshtë.

Rregullimi i pushimit dhe i veshjes - Duhet të flemë dhe të ngrihemi më herët. Megjithëse temperatura fillon të ulet, nuk mund të vishemi shumë trashë. Trupi duhet të mësohet me ndryshimin e klimës në këtë kohë. (Fani)