Veprat e bukura i mbijetojnë kohës dhe janë pasuri e madhe e popullit. E tillë është vepra “Halili dhe Hajrija”, që përveç vlerave muzikore dhe estetike, ruan edhe vlerën e rekordeve historike, pasi është i pari balet shqiptar.
“Halili dhe Hajrija” është kompozuar nga kompozitori Tish Daija, në moshën 36 vjeçare, kur ai ishte ende në fillimet e punës së tij si kompozitor dhe kur mungonte krijimtaria shqiptare në këtë gjini. Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, kishte një trupë balerinësh, por nuk kishte repertor vendas, viheshin në skenë vetëm pjesë të huaja. Pra, sfida ishte e madhe.
Ishte 13 janari i vitit 1963, kur kompozitori Tish Daija, baletmaestri Panajot Kanaçi, dirigjenti Mustafa Krantja e një grup i madh artistësh, arritën të vënë në skenë baletin “Halili dhe Hajria” – një vepër baleti tërësisht shqiptare. Teatri i mbushur plot me publik dhe interesi i veçantë për shfaqjen. Si do të pritej një balet, kompozuar nga një kompozitor i ri, subjekti i të cilit bazohej në një dramë, e cila edhe ajo mbështetej te një këngë e vjetër me bazë historike?
Subjekti i baletit “Halili dhe Hajrija” realisht mbështetet tek drama me të njëjtin titull, shkruar në vitin 1949 nga Kolë Jakova. Ajo pasqyron trimërinë e luftëtarëve të Malësisë së Madhe në ndeshje me pushtuesit turq, në shekullin XVIII.
Subjekti është marrë nga një këngë populliore shkodrane “Fryni era, u çil Taraba”, e cila këndohet edhe sot, që prej malësive të Veriut deri në Elbasan. Sipas dëshmive, kjo ngjarje është mjaft e vjetër: mund t’i referohet shekullit të 18, por Kolë Jakova i kishte vendosur ngjarjet rreth vitit 1700-1710. Në atë kohë sundonte në Shkodër Sulejman Pasha. Ky pashë ka çuar gjashtëmbëdhjetë ekspedita kundra malësorëve të Kelmendit, por malësorët ia prisnin rrugën për në Mal të Zi. Sulejman Pasha kërkonte të shtronte malësorët e malazeztë, që nuk njihnin sundimin e tij. Malësorët e Kelmendit të Kuçit e të Shkrelit e kanë thyer vazhdimisht Sulejman Pashën, duke i shkaktuar shpeshherë dëme shumë të mëdha. Lidhur me këto ngjarje, është ndërtuar edhe historia, ku Hajrija, e tradhëtuar nga burri i cili bashkëpunon me turqit, ka tradhëtuar vëllezërit e saj, prandaj ajo vret burrin dhe përmes një drame të madhe vihet në dilemë për të vrarë edhe djalin. Personazhet turke, veç Sulejman pashës, janë të krijuara, kurse Halili, e motra, Musta e Bejta Syla kanë ekzistuar me të vërtetë, po me këta emra (përveç emrit Hajrije i cili është i sajuar). Edhe sot malësorët e malësisë së Shkodrës i kujtojnë me krenari trimëritë e Halilit me shokë.
Kjo dramë u bë frymëzuese për kompozitorin e ri Tish Daija që të krijonte muzikën e më pas baletmaestri Panajot Kanaçi “ta vishte” veprën me lëvizje dhe shprehi koreografike, që do të interpretoheshin nga trupa e balerinëve të talentuar të Teatrit të Operas dhe të Baletit.
Baleti, i kompozuar nga kompozitori Tish Daija dhe baletmaestër Panajot Kanaçi, u dirigjua nga Mustafa Krantja. Solistët e baletit ishin Ganimet Vendresha, Xhemil Simixhiu, Miltiadh Papa, Petrit Vorpsi, Zoica Haxho, Estref Shaqiri, Albert Janku dhe Engjell Tershana.
Krijimtaria e tij tek “Halili dhe Hajrija”flet shqip, që nga zgjedhja e materialit burimor, harmonizmi, orekstracioni, forma etj., flasin të gjitha vetëm shqip. Duke qenë baleti i parë shqiptar që vihej në skenë edhe përgjegjshmëria ishte e madhe. Me këtë vepër ishte bërë një punë shumë e madhe, për atë premierë, punohej natë e ditë. Pa filluar ende punën me provat në sallë, balerinët e artë të asaj kohë, jetonin me muaj e muaj me fabulën e tij, intrigën, muzikën, plastikën, lëvizjet, mimikën, sytë…. Njëri kishte qejf të interpretonte Halilin, dikush tjetër Hajrijen, ndërsa dikush e pëlqente veten nën petkun e Bektash Agës… Narrativa e plotë e historisë së baletit, u kishte dhënë në duar atyre balerinëve të parë, një thesar të cilin ata punonin që ta ruanin e ta ekspozonin sa më bukur në sytë e publikut.
I paharruar ngelet interpretimi i balerinës Ganimet Vëndrezha, Artiste e Merituar në rolin e Hajrijes. Ajo kishte nisur të frymonte me portretin e Hajries, një grua e fortë, e martuar me një burrë që tradhëton vëllezërit e saj….Kjo gjë i jepte shumë dhimbje personazhit dhe në fund ka një monolog shumë interesant përpara djepit, ku ajo ka thikën në dorë dhe do të vrasë fëmijën, pjellën e tradhtisë.
Drama përqendrohej në tablo të gjera e masive, me kundërvënie të figurave dhe të palëve që ato përfaqësojnë, që janë bazë për zhvillimin muzikor të veprës. Përdorimi me kritere të drejta, si i elementeve karakteristike të valleve dhe të muzikës popullore instrumentale, ashtu dhe i formave të njohura muzikore e koreografike të baletit klasik, i jepnin këtij baleti karakterin kombëtar e origjinalitet. Dhe padyshim që baleti ishte një sukses.
Baleti “Halili dhe Hajrija” hodhi baza për krijimin e një tradite kombëtare. Kjo shfaqje u prit në mënyrë të shkëlqyer nga publiku, duke dalë me qindra herë para spektatorit dhe duke marrë duartrokitje e vlerësime pa fund. Më 12 dhjetor 1973 u luajt për të njëqind e pesëdhjetën herë.
Ndërsa në 1983, u rivu në skenë, tashmë nga një kast balerinësh më të rinj. Krahas emrit të Llaqi Nakos, në rolin e Halilit, radhitet edhe ai i Ilir Kernit, ndërsa në rolet e tjera Albana Sulejmani, Pëllumb Agalliu, Hajdar Shtuni, Ludmill Çakalli, etj. Koreograf është sërisht Panajot Kanaçi.
Baleti “Halili dhe Hajrija” është shfaqur afro 300 herë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Për të kanë punuar edhe koreografë të tjerë si Agron Alija apo Arjan Sukniqi. Janë dhëna pa fund shfaqje brenda dhe jashtë vendit, si në turnetë e Greqisë (1983), në Itali (1991) dhe në Festivalin “Vera e Ohrit” (2005).
Në Francë, ky balet është vënë në skenë me artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit Clermond-Ferrand (1980), me koreograf Brice Leroux. Baleti është vënë në skenë gjithashtu edhe në Kosovë nga Ansambli i Baletit të Teatrit Krahinor të Prishtinës në vitin 1979.
Vlerat e baletit të parë shqiptar, kompozuar nga Tish Daija, janë vënë shpesh në dukje nga kritika. Para një viti, që kjo punë të ruhet e paprekur, u bë e mundur që partitura të kompjuterizohet dhe të botohet e plotë, në 573 faqe.
Ndërkohë kompozitori Tish Daija, mbetet në historikun e muzikës shqiptare, si artisti që kompozoi muzikën e të parit balet në historinë tonë. Ai përfaqëson një nga ata pak kompozitorë, që mbeten në elitën e kompozitorëve më të shquar shqiptarë.
Neritana Kraja