Jo rrallë ndeshim në internet njoftime për shitjen e librave dhe revistave të të gjitha llojeve: libra të përdorur, libra për fëmijë, libra ekonomikë, libra shkollorë, juridikë, komikë, psikologjikë e të tjerë. Disa i shesin, por ka të tjerë që i blejnë. Për dikë, një libër është mbarimi një epoke, për të tjerë fillimi.
Në jetën e çdo lexuesi vjen një kohë kur ata duhet të pranojnë disa të vërteta të vështira. Jo çdo libër që ata kanë lexuar është ai që mund ta duan ta ruajnë përgjithmonë. Një lexues përshembull nuk ka nevojë për tre versione të veçanta të librit të pëlqyer të fëmijërisë, edhe pse ai vazhdon të ribotohet me kopertinë të fortë e të bukur. Kur të arrinte në këtë pikë, lexuesi do të dëshironte që koleksioni i tij të pastrohej. Për më tepër, kjo mund të nënkuptojë se ka ardhur koha për të hequr ca libra, të cilët janë gati t’jua blejnë disa të tjerë, që më pas i shesin prapë.
Libra te perdorur online- foto Fanpage
Tani njerëzit nuk mjaftohen thjesht me librat e rinj që mund t’i blejnë në çdo librari, ata gjithnjë e më shumë, ose për arsye nostalgjie, ose të pamundësisë për të gjetur botime specifike, bëhen kërkues në një treg që ka filluar të lulëzojë: në botën virtuale të librit të përdorur.
Një biznes i ri ka lindur. Bukinistët po hidhen në botën e internetit. Ndonëse nuk ka statistika për shitjen e librave të përdorur online, shumë librashitës thonë se interneti po rrit shitjet e tyre. Ky është një biznes i mirë, pasi tregtarët e librit të përdorur online po i mundin çmimet e librave të rinj, që tregtohen në internet, apo nëpër libraritë tradicionale, duke ofruar te blerësit një eksperiencë të soditjes dhe të kursimit të kohës dhe të parave.
Gjithashtu, normat e fitimit te librat e përdorur janë më të mira sesa ato të librit të ri. Që në zanafillë ky biznes nuk kërkon shumë investim, meqënëse fondi i librave të përdorur krijohet kryesisht, ose përmes dhurimeve të bibliotekave personale pas vdekjes së pronarit të tyre, ose prej shitjes së librave nga individë, të cilët i heqin librat nga shtëpitë për arsye nga më të thjeshtat e deri më jetiket, ndonjëherë duke mos iu ditur vlerën, me çmime mjaft modeste.
Por nëse për botën, biznesi i librave, duke përfshirë edhe ato të përdorur ka vite që funksionon përmes platformave shumë të njohura dhe të sofistikuara të shitblerjes online, tek ne, nuk mund të flitet për një standard të tillë. Pasi nuk ka ende faqe dominante ku një blerës të gjejë mundësi titujsh të shumtë. Tregtarët zakonisht përdorin faqet e internetit, kryesisht të rrjeteve sociale për reklamimin e titujve, duke iu drejtuar një publiku nostalgjik, të cilët rendin pas titujve të harruar.
foto ilustruese - foto Europa e lire
“Libra të vjetër dhe të përdorur” është një prej librarive që ka krijuar një traditë dhe emër të mirë në këtë lloj biznesi. Ndonëse fizikisht libraria ka një ambient të vogël tek Rruga e Barrikadave në Tiranë, përsëri volumin më të madh të punës ajo e bën online, përmes një rrjeti lexuesish që i kanë sytë tek letërsia e mirë, botimet e hershme, ku spikasin përkthyes me emër dhe shkrimtarë dinjitoz, gjithmonë të reklamuar në rrjetet sociale të saj. Librat janë të gjithë të ekspozuar në websitin e saj, ku lexuesi gjen çdo detaj të librit. Për një lexues të kualifikuar, kjo mundësi blerjeje, është një përzgjedhje mjaft e mirë dhe me çmime të arsyeshme. Aq më shumë që kundrejt një pagese të vogël ta sjellin librin kudo në Shqipëri.
Por faqe të tilla në fakt ka disa. Ndoshta jo kaq të plota, por ka një përpjekje për ta shtuar volumin e punës në këtë drejtim. Ata zakonisht përdorin Facebookun apo Instagramin për reklamimin e titujve të tyre dhe ndiqen nga mijëra ndjekës dhe lexues të gatshëm dhe në garë për të kapur i pari librin e shumëpritur.
Ndryshe nga libraritë e tjera, këtu kopjet janë të numëruarartitujt online, si me çdo relike tjetër, në më të shumtën janë unikë, prandaj kërkohet durim dhe fat. Dhe këtu qëndron edhe e bukura e kësaj pune. Jo domosdoshmërisht, një libër i përdorur ka edhe çmimin më të lirë. Ai mund të ketë edhe një çmim të majmë, pasi mund të konsiderohet si një antikuar i rrallë, që nuk ke se ku tjetër e gjen.
“Shtëpia e librit”, është një tjetër platformë online, shumë e njohur për shitjen e librit, ku në faqen e saj në internet, ka edhe një seksion kushtuar librit të përdorur. Ky sektor është mjaft i dashur për lexuesit dhe librat aty shiten shumë shpejt. Bëhet fjalë për libra artistikë të botuar, por edhe studimorë, të cilët shiten sapo afishohen në web.
Libra te perdorur - foto Libra te vjeter dhe te perdorur
Një mundësi tjetër shumë e mirë, për të shitur apo blerë vetë librat është ajo që njihet në të gjithë botën eBay.
Kjo është faqja e ankandit online ndër më të hershmet dhe ndër mënyrat më të suksesshme të shitjes së librave në internet. Kjo platformë e cila mund të aplikohet nga kushdo, gjithnjë e më shumë po gjen përdorues edhe nga vendi ynë. Nëse kërkoni do të gjeni tituj librash të përdorur shqip, që mund të përmbushin interesin tuaj.
Për të blerë do t'ju duhet të krijoni një llogari në eBay për të filluar dhe futur të dhënat tuaja të Paypal. Tarifat minimale të ankandit lidhen me çdo shitje dhe ju mund t'i zbritni ato automatikisht nga llogaria juaj Paypal. Pastaj do t'ju kërkohet të futni numrin ISBN të librit, të përmendni statusin e tij, të tregoni çmimin tuaj dhe të futni kostot e transportit. Ekziston gjithashtu një seksion komentesh ku mund të shtohen detaje shtesë: si psh lirbi është “i përdorur”, por “është i mbajtur mirë” dhe se ka një kopertinë të trashë me shënime në faqet e tij të brendshme.
Por nëse shitjet apo blerjet në eBay, kërkojnë që ju të përmbushni disa kërkesa specifike që lidhen me kartat e blerjes dhe pagesat përmes Paypal, që jo të gjithë dinë që t’i bëjnë, përmes faqeve që reklamuam më sipër, procedura është shumë e shtjeshtuar: Mjafton që të porosisni librin dhe ai ju vjen për një ose dy ditë në shtëpi dhe ju do ta paguani atë me paratë në dorë.
Neritana Kraja