Tenori Gjergji Mani ka lindur në Korçë dhe që në moshë të vogël është dalluar për talentin e tij të veçantë në muzikë dhe aftësitë vokale. Ai ka mbaruar shkollën e muzikës në vendlindje, ndërsa mësuesi i tij i kantos ishte tenori i njohur i Teatrit të Operas dhe Baletit Gjergj Sulioti. Gjergji Mani u diplomua me vlerësime të shkëlqyeshme si tenor nga Universiteti i Muzikës në Bukuresht dhe menjëherë pushtoi skenat e Rumanisë, duke mishëruar veprat kryesore të repertorit operistik botëror. Ai është martuar me sopranon rumune Iοnela Mani me të cilën kanë bashkëpunuar shpesh në skenat operistike dhe jo vetëm.
Gjergji Mani ne skenen e operas ne Bukuresht (Facebook)
Mani ka dhënë një kontributi të çmuar në fushën e kërkimit dhe studimit të muzikës lirike shqiptare dhe muzikës së lehtë patriotike korçare. Ai jeton në Rumani, por shpesh viziton vendlindjen e tij për koncerte dhe shfaqje. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) tenori Mani tregon për karrierën e tij artistike si dhe projektet e reja muzikore.
CMG: Cili ka qenë rrugëtimi juaj artistik përpara se të largoheshit nga Shqipëria për në Rumani?
Gjergji Mani: Unë që në moshë të vogël kam marrë pjesë në festivalet e fëmijëve. Kam studiuar në shkollën e muzikës katër vjet për flaut dhe katër vjet të tjera për kitarë klasike, por në të njëjtën kohë u përgatita për të vajtur në Konservatorin e Bukureshtit, në Rumani, me tenorin e madh shqiptar Gjergji Sulioti, i cili ka qenë profesori im i parë. Ndihmesa e tij ka qenë e jashtëzakonshme për mua dhe rrugën e operës e kam marrë si pasion nga profesori im, sepse ai ma futi në gjak dhe më bëri të dashurohem me këtë zhanër muzikor.
Gjergji Mani gjate nje shfaqje (Facebook)
CMG: Pse zgjodhët të studionit në Konservatorin e Bukureshtit dhe jo në Akademinë e Arteve në Tiranë?
Gjergji Mani: Unë kam shkuar me bursë studimi në Konservatorin e Bukureshtit, por nuk ishte ky motivi i vetëm për të shkuar në Rumani. Mund të them dhe një motiv tjetër që profesori im i parë Gjergj Sulioti ka pasur profesor rumun në Shqipëri dhe unë kisha tre mundësi për të studiuar, në Tiranë, në Athinë dhe Rumani. Unë zgjodha Rumaninë për të vetmen arsye, duke ditur traditën dhe kulturën e madhe që ka pasur Rumania në muzikën klasike dhe sidomos atë operistike.
CMG: Si ishin ditët e para të integrimit tuaj në Rumani?
Gjergji Mani: Mund të them se që ditën e parë jam ndjerë si në shtëpinë time, për të vetmen arsye sepse jemi shumë të afërt nga ana e mentalitetit dhe sidomos kolegët e mi kanë qenë jashtëzakonisht të afrueshëm dhe nuk kanë bërë asnjë lloj dallimi se unë isha i huaj dhe të më linin mënjanë. Përkundrazi më kanë ndenjur aq pranë dhe më kanë ndihmuar nga ana e gjuhës, por dhe nga gjithë anët e tjera që mund të zbuloja në Rumani.
CMG: Kishit njohuri të rumanishtes më përpara, apo e mësuat kur shkuat atje?
Gjergji Mani: Gjuhën e mësova në Rumani dhe kam bërë një vit përgatitor, por njohuri kam pasur sepse unë që i vogël kam kënduar në Kishën e Vllehëve sepse nga babai jam me origjinë vllahe dhe në shtëpinë time gjyshërit kanë folur gjuhën vllahe dhe veshi më ishte vrarë. Mirëpo nuk është e njëjta gjuhë edhe pse ka shumë përafërsi dhe rumanishten e mësova në Rumani.
Tenori Gjergji Mani dhe Sopranoja Ionela Mani (Facebook)
CMG: Gjatë studimeve në Konservatorin e Bukureshti ju gjetët dhe dashurinë e jetës. Si është jeta juaj bashkëshortore dhe ajo artistike dhe a është e lehtë të jeni në të njëjtën fushë?
Gjergji Mani: Bashkëshortja ime është në të njëjtën fushë me mua, kemi qenë studentë bashkë në të njëjtën klasë dhe vazhduam edhe jetën duke krijuar familjen. Ka bukurinë e saj edhe nga ana artistike sepse ndihmojmë njëri- tjetrin dhe jemi edhe kritika më e sinqertë që mund të kesh brenda familjes, por dhe ndihmesa nga ana profesionale na bën mirë të dyve. Ne u rritëm bashkë edhe nga ana profesionale, por dhe nga ana e jetës private, sidomos martesore ku tani kemi binjakë vajzë dhe djalë dhe gëzohemi për të gjitha arritjet tona si ato profesionale ashtu dhe të jetës.
CMG: Pasi mbaruat studimet, ju u punësuat në Teatrin e Operës të Bukureshtit. Sa e vëshirë ishte për ju futja në këtë institucion?
Gjergji Mani: Nuk mund të them se është e lehtë apo e vështirë, por mund të them se për mua rrugët u hapën. Mbasi mbraova studimet, kam dhënë konkurs dhe jam pranuar direkt. Roli im i parë ka qenë roli i Taminës në flautin magjik dhe me këtë rol kam nisur karrierën time.
CMG: Aktivitetet tuaja artistike janë të fokusuara vetëm në Bukuresht apo dhe në qytete të tjera të Rumanisë?
Gjergji Mani: Sigurisht që rolet erdhën njëri pas tjetrit, por aktiviteti ynë nuk është vetëm tek institucioni i operës sepse ne këndojmë edhe në filarmonika të qyteteve të ndryshme. Ne nuk këndojmë vetëm operën por dhe gjini të tjera muzikore, dhe kemi realizuar dy projekte të mëdha në Rumani, ku kemi nxjerrë dy albume, njëri me muzikë shqiptare dhe albumi i dytë është me muzikë shqiptare dhe rumune. Projekti i fundit ka qenë para disa ditësh, një këngë dhe videoklip me profesorin tim të parë, tenorin e madh Gjergji Sulioti ku kemi kënduar këngën “Dëshërim për mëmëdhenë” që sot njihet më shumë me titullin “Dua më shumë Shqipërinë”.
CMG: Cilat ishin emocionet që përjetuat kur kënduat bashkë me profesorin tuaj Gjergji Sulioti?
Gjergji Mani me bashkeshorten Ionela Mani dhe sopranon Inva Mula (Facebook)
Gjergji Mani: Emocioni ishte i jashtëzakonshëm sepse mbas kaq vitesh u rikthye profesori për të bërë një këngë në studio vetëm për mua. Ky për mua ishte një nder dhe gëzim i madh sepse do mbetet një nga kujtimet më të bukura.
CMG: Ionela si jeni ndjerë kur keni kënduar këngë shqiptare bashkë me Gjergjin?
Ionela Mani: Jam ndjerë jashtëzakonisht shumë mirë me muzikën shqiptare sepse jam dhe shumë e familjarizuar me të dhe muzika shqiptare më pëlqen jashtë mase. Ne kur jemi në shtëpi në Rumani dëgjojmë shumë muzikë shqiptare.
CMG: Gjergji vini shpesh në Korçë dhe për çfarë ju merr malli më shumë kur jeni i larguar në Rumani?
Gjergji Mani: Mua më merr malli dhe për gurët e sokakut, kam një dashuri shumë të madhe sidomos për Korçën sepse është vendlindja ime dhe më tërheq toka. Unë vij çdo vit në Shqipëri, por tre vitet e fundit nuk kisha mundësi të vija për arsye të pandemisë, Ionela ishte shtatëzënë dhe pastaj fëmijët ishin të vegjël dhe ne erdhëm pas tre vitesh në Shqipëri. Ndjehemi shumë të lumtur dhe të gëzuar që erdhëm, dhe në fakt erdhëm si për pushime, mirëpo gjërat ndryshuan dhe më shumë projekte u bënë. Për mua është gëzim i madh gjithmonë kur vij në vendin tim.
CMG: Ionela çfarë ju pëlqen më shumë nga Shqipëria?
Ionela Mani: Në radhë të parë më pëlqejnë shumë njerëzit që janë të sinqertë dhe shumë të dashur, unë kështu i ndjej. Më pëlqen shumë në Korçë kalldrëmi, më pëlqen ushimi, më pëlqen energjia e vendit. Unë ndjehem shumë mirë edhe kur shkoj në kishë sepse ndjehem si në shtëpinë time. Këtë muaj që kemi qenë në Shqipëri, çdo të dielë kemi qenë dhe në kishë ku kemi kënduar afër njerëzve dhe jam ndjerë shumë e lumtur.
Gjergji Mani dhe Ionela Mani ne interviste per CMG
CMG: Cilat janë projektet tuaja artistike së afërmi?
Gjergji Mani: Ne do të rikthehemi tani në Bukuresht ku fillojmë në opera me premiera, por edhe me operat që kemi bërë më përpara të rikthyera. Gjithashtu kemi një projekt të filluar, ku me dëshirë shumë të madhe do jetë ardhja jonë në festivalin e këngës në RTSH që organizohet në fundvit.
CMG: Do jeni bashkë me Ionelën në duet?
Gjergji Mani: Këtë nuk e kemi akoma të qartë, por do të jetë një surprizë e bukur besoj.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.
Gjergji Mani: Faleminderit shumë për ftesën. Përshëndes të gjithë dëgjuesit dhe ju uroj nga zemra që të keni sa më shumë suksese në karrierën tuaj.
Ionela Mani: Faleminderit shumë. Gëzohem shumë që ju njoha dhe që bëmë një bisedë bashkë, dhe ju uroj shumë suksese në të gjitha projektet tuaja në të ardhmen.
Intervistoi: Gazmend Agaj