Një ngjarje ndër më të rëndësishmet e kulturës së rajonit, Panairi i Librit në Ulqin, ka bërë bashkë librin shqip nga të gjitha hapësirat shqipfolëse. 70 shtëpi botuese nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, etj., kanë sjellë në këtë panair botimet më të fundit.
Ulqini është një vend ku gërshetohen historia për të jetuar kohërat dhe epokat dhe si vend frymëzimi për të bërë letërsinë. Panairi i Ulqinit cilësohet si ngjarje e rëndësishme kulturore, ku në kuadër të verës turistike, të gjithë bëhen bashkë rreth librit. Panairi i Librit zgjati 5 ditë dhe u shoqërua me aktivitete të shumta kushtuar librit, autorëve dhe përkthyesve. Kjo festë e librit u zhvillua në bregdetin e Ulqinit në kuadër të verës turistike me vizitorë dhe adhurues të librit nga e gjithë bota.
Shkrimtarë dhe përkthyes, të pranishëm në panair, prej vitesh i kanë dhënë një hov qytetit dhe lidhjeve ndërshqiptare në rajon, si dhe vetë gjuhës, duke e bërë librin të thyejë kufijtë politikë e ndërshtetërorë. Panairi me një traditë 21 vjeçare, që i ka rezistuar kohërave, ka bërë të mundur që drejt Ulqinit të Malit të Zi, aq afër me kufirin very-perëndimor shqiptar, të udhëtojnë çdo verë, qindra e mijëra libra të gjuhës shqipe, për t’u ekspozuar në plazhin e vogël të Ulqinit dhe të hyjnë në një garë të vogël, për katër çmime të rëndësishme.
Çmimet iu dorëzuan fituesve nga personalitete të kulturës së shkruar, që ishin të pranishëm: nga drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli, shkrimtari Odise Kote, botuesi Bujar Hudhri, akademik Neritan Ceka. Juria që mori në analizë këtë herë prurjet e shtëpive botuese pjesëmarrëse në panair, përbëhej nga personalitete të fushës: Arta Marku Qëndro (kryetare), Dorian Koçi (anëtar), Ismet Kallaba (anëtar).
Çmimi i letërsisë për fëmijë “Dega e Ullirit” shkoi për shkrimtarin Xhahid Bushati për përmbledhjen me vjersha “Trumcak bredharak” (Mediaprint). Çmimi “Servantes” shkoi për Erion Gjatollin, për përkthimin nga italishtja të romanit “Ethet” të Jonathan Bazzi (Toena). Çmimi “Olcinium” shkoi për Fatmir Toçin, autor i “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” (Toena). Ndërsa çmimi, më i rëndësishëm i eventit, Çmimi “Liburnia” shkoi për shkrimtarin Ridvan Dibra, për romanin “Gruaja që deshe” (Onufri).
Në romanin fitues “Gruaja që desha”, kemi një rrëfim personal të personazhit-autor, i cili kalon një natë të plotë pa gjumë pranë oxhakut, me lexuesin, duke kujtuar historinë e tij të dashurisë. Një subjekt i thjeshtë, ku nuk ka ngjarje. Autori ndez oxhakun e shtëpisë, shtriqet dhe ngrohet ndanë tij dhe kujton veten në raport me gruan. Nga ana tjetër, gruaja që është personazh real, i afrohet disa here, përpiqet që ta bindë që ta shoqërojë në shtrat për të fjetur, por burri i shkon deri në fund – ai kujton e analizon, ndërsa ne si lexues vëzhgojmë autorin personazh, sjelljen, mendimet dhe psikikën e tij. Gruaja hyn e del disa herë, deri në agim.
Një lexim sipërfaqësor do ta perceptonte librin veç një histori martese të lumtur: përtej kësaj teksti rreket të na japë një studim të vetes, të psikikës së vetes si shkrimtar, si ndërtues i vetes në raport me botën. Zëri i narratorit në vetë të dytë i jep natyrë akoma më analitike rrëfimit. Personazhi autor është burrë, është bashkëshort, është i penduar, është prind, ëndërrimtar e idealist, vëzhgues dhe në fund, një burrë i zakontë. I lumtur pafundësisht në të qenurit i tillë, falënderues dhe në paqe me veten, por gjithnjë analitik. Gjithnjë i shqetësuar, një tipar që e kanë të gjithë shkrimtarët. Vepra qëndron deri në fund e hapur dhe bashkëbiseduese, e sidomos nxitëse për vetë-reflektim. Librin fitues të Panairit të 21 të librit në Ulqin “Gruaja që desha”, mund ta gjeni në çdo librari dhe mund tia shtoni leximeve tuaja të verës, pasi është një libër që lexohet lirshëm dhe mjaft frymëzues. Romani është botim i vitit 2021, është publikuar nga Shtëpia Botuese “Onufri” dhe kulshton 800 lekë.
Sa i takon autorit Ridvan Dibra, ai i përket ditëlindjes 1959, ka lindur në Shkodër dhe ka mbaruar studimet e larta ne degën Gjuhë Letërsi në Universitetin Luigj Gurakuqi po në Shkodër. Nga viti 1982 e deri në vitin 1987 ka qënë mësues i Gjuhës dhe Letërsise shqipe ne qytetin e Kukësit në veri të vendit. Nga viti 1988 e deri në vitin 1994 ka punuar si gazetar në Shkodër. Me pas profesor i Letërsisë Shqipe në Universitetin e Shkodrës, ku vazhdon të punojë dhe sot e kësaj dite. Dibra është autor i rëndësishëm i letërsisë bashkëkohore, I nderuar edhe me çmime të tjera letrare. Ai është një ndër figurat kryesore të letërsisë së sotme shqipe dhe autor i shumë vëllimeve novatore.
Neritana Kraja