Rona Nishliu
Festivali kulturor “Green Fest”, i cili u mbajt në qytetin e Mitrovicës për një javë gjatë muajit korrik të këtij viti. Ky ishte edicioni i 12-të i cili ofroi aktivitete të pasura edukative dhe kulturore, duke filluar nga: Green Talks, shfaqje filmash, program për fëmijë, aktivitete sportive dhe u mbyll me dy netë muzikore. Programi u zhvillua në pika të ndryshme në qytetin e Mitrovicës: në Muzeun e Qytetit, në hapësirat e 7Arte, BONEVET si dhe Qendrën Sportive “Fatime Xhaka” (Partizani).
Festivali zhvillohet në kuadër të jetës kulturore, turizmit si dhe rritjes së vetëdijes mbi çështjet e mjedisit. Që në fëmijëri shprehja popullore “tfillo” kishte kuptimin e kërkesës së thënë nga nënat për të rregulluar rrëmujën në shtëpi. Në kontekstin e një të rrituri ajo tingëllon si zgjidhje problemi, kryerje pune dhe mbi të gjitha përgjegjësi për një çështje të caktuar.
Drejtori i festivalit Lulzim Hoti, theksoi se tema e sivjetme “Tfillo” erdhi si thirrje për të kryer punët me sa më përgjegjshmëri, si në nivelin lokal, por edhe më gjerë.
Tema e edicionit të këtij viti të ”Green Fest” është motivuar nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara. Programi i “Green Fest 12” organizoi aktivitete të larmishme si kumtesa punëtori, aktivitete rekreative e gjithëpërfshirëse, shfaqje filmi, aksione mjedisore, si dhe dy netë muzikore. Për Grupin Mediatik të Kinës drejtori i festivalit “Green Fest” Lulzim Hoti rrëfen në detaje këtë edicion.
Green Kids
CMG: Përshëndetje dh urime për "Green Festival"! Fundjavën që lamë pas përfundoi edicioni i 12-të i "Green Festival". Për publikun që nuk e njeh këtë festival na tregoni diçka më tepër ?
Lulzim Hoti: “Green fest” është një festival i frymëzuar nga nevoja për të përmirësuar imazhin e qytetit të Mitrovocës, si një qytet i kulturës dhe rock-ut, duke ditur që çështjet mjedisore nuk i takojnë vetëm një komuniteti. Ne organizatorët e festivalit jemi përpjekur të përfshijmë të gjitha komunitetet rreth kësaj kauze, rreth çështjeve mjedisore dhe koncepteve të qëndrueshmërisë. Prandaj festivali ynë ka filluar të krijojë një brand të Mitrovicës, duke e promovuar atë si një qytet, argëtues dhe të qëndrueshëm. Festivali ka dy programe, edukative dhe argëtuese, prandaj i gjithë fokusi ynë përqëndrohet në pasurimin e këtyre programeve.
CMG: Si shkoi këtë vit dhe çfarë risie kishte?
Lulzim Hoti: Kur flasim për risinë, normalisht çdo festival ka sfidat e veta dhe mjeshtëria e të mbajturit gjallë për 12 vite qëndron aty ku, pavarësisht sfidave nuk i ndahemi synimit tonë dhe nuk dorëzohemi lehtë. Ky vit kishte një sfidë të madhe, mosmbështjetjen financiare sipas pritshmërive tona, megjithatë e bukura e këtij edicioni qe mesazhi që pasuam me temat që prezantuam për të pranishmit, me fokus të veçantë të rinjtë.
Tema e festivalit për këtë vit ishte “TFillo”, prandaj në kuadër të festivalit trajtuam diskutime dhe programe te tipit “a t’fillohet qyteti, si do t’fillohen mbetjet ushqimore”, madje organizuam aktivitete sportive duke krijuar gjithëpërfshirje të grupeve të cënueshme, duke thirrur me thënien: “Tfillo mendjen dhe trupin” , shfaqëm filma dokumentarë që trajtojnë probleme mjedisore, madje organizuam dhe panele diskutimi me artistë. Krahas të tjerave kemi përfshirë edhe grupe muzikore të ndryshme edhe nga Tirana si dhe Bojken Lako, të cilët sollën ritme dhe energji pozitive në qytetin e Mitrovicës.
Green mussic
CMG: Çfarë ka ndryshe “Green Fest" nga festivalet e tjera, që organizohen në Kosovë apo në Shqipëri?
Lulzim Hoti: “Gren Fest” në krahasim me festivalet e tjera dallon nga pasioni i madh, për të transformuar një shoqëri dhe mjedis të tërë, veçohet për durimin dhe kreativitetin që sjell çdo vit mbi faktin se dimë të bëjmë gjëra të mëdha dhe dimë t’ja dalim. Ky është një aktivitet racional i vetmi në Mitrovicë që synon e promovon edhe artistë të rinj.
CMG: Çfarë keni fituar në këto 12 vite gjatë realizimit të tij dhe a i keni arritur të gjitha synimet tuaja, për këtë festival?
Lulzim Hoti: Ne si festival kemi bërë mjaft për përfitimet, festivali ka arritur të sjellë ndjenjën e mirë për qytetin, krenarinë, të promovojë ngjyrën e gjelbër e njohur për këtë qytet që dekada më parë, pasi në këtë mjedis përveçse kalojnë tre lumenj, ka edhe mjedis të gjelbër, e nëntokë të pasur. Krahas kësaj ne kemi përfshirë edhe shumë të rinj që kanë filluar të ndërgjegjësohen me njohuritë që i kemi ofruar, nëpërmjet mësimit, formave sa më argëtuese që kemi ofruar si festival.
Kemi përfituar partnerë të rinj, rrjete të reja si dhe bashkëpunime, ndër institucionale. Edhe nëse nuk i kemi arritur ende të gjithë synimet, përsëri kemi përfituar dhe kemi ndërtuar një bazë, për të ardhmen sa më të mirë, të qytetit të Mitrovicës.
Green sports
CMG: Kur nisin përgatitjet për edicionin e ardhshëm?
Lulzim Hoti: Duke analizuar mbi këtë edicion, kanë filluar menjëherë përgatitjet madje synojmë që së shpejti të dalim me temën e edicionit të ardhshëm. Do fokusohemi te ndryshimet klimatike, prandaj nëpërmjet kësaj interviste ftoj të interesuarit që merren me çështjet mjedisore, apo që e përdorin artin dhe kulturën për t’i trajtuar këto problematika, që të na kontaktojnë dhe ne të rrisim nivelin e bashkëpunimit dhe zhvillimit për të mirën e përbashkët.
Green Talks
CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese në vazhdim.
Lulzim Hoti: Ju falenderoj për intervistën dhe mundësinë që na dhatë për të ndarë këtë informacion për festivalin tonë, anekënd dëgjuesve tuaj.
“Green Fest” kishte të ftuar grupe muzikore me zhanre të ndryshme si muzikë indie rock, pop, punk si dhe muzikë alternative. Për spektatorët e pranishëm dhuroi gjithashtu një atmosferë plot emocione edhe këngëtarja mjaft e dashur për publikun, Rona Nishliu, e shoqëruar nga tingujt e kitarës përcjellë nga Driton Bejta. Rona Nishliu është shprehur për këtë event: “Ka qenë një natë plot emocione, mu duk sikur po performoja për herë të parë, pasi sapo nisa albumin e dytë. Për shkak të pandemisë gjithçka ndaloi, gjithashtu kisha edhe një arsye tjetër, pasi u bëra nënë vit pas viti dhe kjo ishte performanca ime pas tre vitesh mungese në publik. Ishte një natë magjike, mjaft e veçantë dhe më vjen shumë mirë që ishte në qytetin tim të lindjes dhe pikërisht në Green Festival, ku kisha pesë vite që nuk kam performuar. Më vjen shumë mirë që “Green Fest” po vazhdon për të 12-in vit me rradhë, që do të thotë se ata kanë qenë shumë këmbëngulës, kanë punuar fort, dhe ja kanë dalë që të mbajnë gjatë festivalin. Programin që paraqita ishte si një përmbledhje e dy albumeve të mia, të cilat i kam trajtuar me motivet tona”, ka përfunduar këngëtarja Rona Nishliu.
Lulzim Hoti -Drejtor i Green Festival
“Green Fest” është festival që ofron një larmishmëri aktivitetesh, duke fuqizuar artin dhe kulturën e cila të çon drejt ndërgjegjësimit të shoqërisë mbi çështjet mjedisore, ndryshimet klimatike, zhvillimit të qëndrueshëm, etj.
Intervistoi: Sava Lena