Teuta Ribstein studimet e para për violinë i ka kryer në Tiranë dhe pas Akademisë së Arteve ka qenë violiniste në “Formacionin e Harqeve”. Teuta ka studjuar dhe në Genova të Italisë dhe pas martesës me franko-gjermanin Jean-Claude Ribstein në 1992 ajo u largua nga Shqipëria drejt Francës. Në shtator të vitit 1992 Teuta filloi punën si profesore violine, pianoje dhe formacioni muzikor solfezh dhe koral, si dhe u aktivizua si violoniste në orkestra të një niveli të lartë artistik me një repertor të larmishëm. Në vitin 1995-1996 ajo u diplomua në Konservatorin Nacional Metropol të Metz në Francë, ku dhe është nderuar me medalje nga Ministria e Kulturës Franceze Masterclass Internacional me Jean-Jacques Kantorow, Jean-Pierre Walez, Philippe Koch. Përveç veprimtarisë si violiniste dhe pianiste Teuta Ribstein është dhe soprano lirike e nderuar me çmim në vitin 2000 nga Ministria e Kulturës së Luksemburgut, e cila e ka cilësuar si një nga sopranot më të kompletuara deri në ditët e sotme.
Teuta Ribstein (Foto personale)
CMG: Mbiemri juaj nuk duket si shqiptar, apo jo?
Teuta Ribstein: Jo absolutisht. Është një mbiemër franko-gjerman.
CMG: Si e keni menaxhuar jetën artistike mes Francës dhe Shqipërisë?
Teuta Ribstein: Gjithçka ka nisur në vitin 1992 për shkak të martesës. Jeta familjare në të gjitha vendet është po e njëjta, po ashtu dhe jeta e çiftit. Familja franceze ishte shumë mikpritëse me mua. Jeta franceze në kontekstin profesional është shumë herë më e shpejtë, por si temperament ata janë shumë komunikues dhe të sinqertë.
CMG: Kur keni filluar të luani në violinë në Shqipëri?
Teuta Ribstein: Unë këtu e kam nisur dhe këtu i kam marrë mësimet e para në violinë dhe për këtë ndihem e lumtur. Kam përfunduar të gjitha ciklet e studimeve dhe pas Akadamisë së Arteve u vendosa në Formacionin e harqeve. Të gjithë dirigjentët kanë qënë shumë të mirë dhe kam mësuar prej tyre.
CMG: Si kanë qënë performancat tuaja të para?
Teuta Ribstein: Kam pasur patjetër frikërat e mia dhe më është dashur shumë punë deri në momentin që kam ndërtuar siguri dhe vetëbesim. Më kanë mbështetur njerëz që kanë pasur një karrierë të mirë dhe ndoqa hapat e tyre.
Teuta Ribstein (Foto Linkedin)
CMG: Sot këta njerëz kanë bërë karrierë në Shqipëri, ndërsa ju u larguat. Jeni larguar me dëshirë, apo jo?
Teuta Ribstein: Jo, nuk jam penduar. Unë jam vlerësuar tej mase atje ku kam shkuar dhe vijoj ende të vlerësohem. Mundësia për t’u kthyer në vendin tënd është vetëm njëherë në vit dhe këto janë gjatë aktiviteve që mund të kem ose pushimeve verore.
CMG: Si e kanë vlerësuar artin tuaj të huajt ?
Teuta Ribstein: Unë kam spikatur që në vitin 93, sapo shkova atje. Ata më këshilluan që të përshpetoja diplomën që të mund të punoja menjëherë.
Luksemburgu më priti shumë mirë dhe më ofroi tepër mundësi.
Unë u futa në pedagogji menjëherë për të ushtruar mësimdhënien.
Kandidatët atje duhet të kishin një performancë të lartë dhe disiplina ishte gjithçka.
Ajo që më ka gëzuar ka qënë fakti se pavarësisht që më kërkohej një punë shumë e madhe, unë vija nga një shtet i vogël por që më kishte përgatitur shumë mirë me punë. Jam patjetër edhe produkt i dy prindërve artiste, që më kanë rritur me këtë frymë.
CMG: Si e kanë kuptuar që ju vërtet keni talent që e vogël?
Teuta Ribstein dhe orkestra ku performon (Foto personale)
Teuta Ribstein: Në fakt një fëmijë i talentuar, dallon menjëherë, nuk ka shumë nevojë për këtë gjë. Mënyra se si punon rregullisht, se si e ndjen melodinë janë patjetër karakteristika të tyre. Pastaj janë konkurset ato të cilat të testojnë shumë mirë.
CMG: A i evidentoni këto tipare sot edhe tek fëmijët tuaj?
Teuta Ribstein: Të tre kanë shumë talent, por është në dorën e tyre për të ndjekur atë profesion që ju duket i përshtatshëm.
CMG: Duke qënë se keni qenë pedagoge në Luksemburg, keni evidentuar talente?
Teuta Ribstein: Po. Ka pasur gjithnjë dhe vijon të ketë talente, por ajo që më vjen mirë është se vijojnë të jenë të lidhur me mua. Sot ata bëjnë karrierë dhe mbajnë kontakt për t’iu dhënë unë këshilla.
CMG: Sa e vlerësuar ndiheni nga ana institucionale?
Teuta Ribstein: Ka qënë çdo gjë e menjëhershme. Më kanë krijuar besim, mundësi dhe kushte. Më vjen mirë që e kanë vleresuar talentin tim.
CMG: Çdo vepër është e veçantë, ku keni spikatur më tepër?
Teuta Ribstein në intervistë për CMG
Teuta Ribstein: Nuk dua t’i ndaj. Ajo që mua më ka karakterizuar ka qënë fakti se temparamenti im niste dhe nuk mbetej në gjysmë. Veprat janë gati 1 orë ose edhe më shumë dhe unë vijoja të performoja dhe vijoj ende dhe sot me shumë profesionalizëm, duke mos e lënë në gjysmë nivelin tim artistik profesional.
CMG: A jeni krenare për atë që jeni sot?
Teuta Ribstein: Para se të ndihem krenare unë e ndiej që e kam për detyrë t’i ofroj shoqërisë, vetes dhe familjes diçka nga vetja. Trashëgimia më e madhe e botës është arti.
Intervistoi Megi Latifi