Tashmë, kanë nisur pushimet e verës dhe librat duhet të bëhen miqtë më të mirë për fëmijët. Edhe këtë sezon kemi përgatitur një listë me 10 libra, pjesë e leximeve gjatë ditëve të pushimeve. Në këtë listë janë përzgjedhur me kujdes autorët shqiptarë, që nga autorët e rinj, deri tek ata që konsiderohen si autorët klasikë të letërsisë për fëmijë, me tituj të njohur e të dashur për çdo brez. Megjithatë, surprizë janë autorët bashkëkohorë shqiptarë: Rudina Çupi, Rovena Rrozhani, Ana Tisi, Anila Mullahi dhe Flori Kasaj, veprat e të cilëve ne i kemi përzgjedhur që të lexohen nga të vegjlit gjatë kësaj vere, për të vijuar me klasikët shqiptarë, si Mitrush Kuteli, Petro Marko, Gaqo Bushaka, Kiço Blushi, autorë që me letërsinë e tyre për fëmijë, kanë lumturuar edhe prindërit e këtyre fëmijëve në moshën e fëmijërisë. Kjo listë rekomandimesh përfshin fëmijët e grupmoshave 6-14 vjeç dhe merr në konsideratë formimin e tyre, botkuptimin dhe programet e leximeve jashtëklase.
Foto ilustruese - foto nga Donna D
“Rozi dhe domatja kërcimtare” nga Rovena Rrozhani dhe Dhurata Thanasi
Ky libër sjell historitë fantastike të fëmijëve sesi refuzojnë ushqimin, prandaj autoret e këtij botimi Rovena Rrozhani dhe Dhurata Thanasi e kanë shoqëruar me 8 receta të shëndetshme. Rrëfimet, recetat, përfshirja e fëmijëve në përgatitjen e ushqimit, fotografitë, dizanji dhe ilustrimet fantastike e bëjnë këtë libër me vlerë të madhe edukative dhe zbavitëse për lexuesit e vegjël. Të mërzitur, që Rozi nuk e pëlqen, një domate kërcimtare dhe miqtë e saj në kuzhinë vendosin të japin një shfaqje për të treguar sa të mirë janë. Çdo natë, kuzhina bëhet skena më e çuditshme, ku ushqimet kërcejnë, këndojnë, luajnë dhe në fund gatuajnë receta të reja. A do të pranojë vallë Rozi që t’i provojë? Një histori që fton të gjithë familjen në kuzhinë nëpërmjet lojës e vjershave por dhe gatimit.
Librat e veres- Foto La libreria dei Ragazzi
“Ana nga Tirana” nga Rudina Çupi
Një rrëfim i koduar, i shkruar me rebuse, me fjalë të krijuara duke ndërthurur figura e shkronja. Ky libër ndërveprues, pjesë e serisë “Luaj e shkruaj” për lexuesin fillestar, nxit mendjemprehtësinë dhe logjikën, si dhe shprehjen e anës krijuese.
“Përrallat e Ana Tisit” nga Ana Tisi
Autorja Ana Tisi sjell një botim special me përralla, të cilat janë ndërtuar mbi konstantet universale njerëzore si dashuria, falja, xhelozia, egoizmi i papërmbajtur, cmira apo babëzia dhe që kanë vlera të forta edukative dhe zbavitëse për lexuesit e vegjël. Në këtë libër të bukur janë fshehur një tufëz përrallëzash, të cilat presin për t’u zbuluar nga secili lexuesit e vegjël.
“Në botën magjike të Henrit” nga Anila Mullahi (Elezi)
Në botën magjike të këtij libri me përralla mund të ndodhë gjithçka. Imagjinoni, në një ditë vere mund të takoni një oktapod që ju hap zemrën për problemet e tij, ndërsa një natë dimri mund të takoni babagjyshin e Vitit të Ri, që ju kërkon ta ndihmoni për të shpërndarë dhuratat e Vitit të Ri për fëmijët. Në këtë botë magjike, nëse humbet rrugën për në shtëpi, kafshët bëhen udhërrëfyesit e tu e xixëllonjat të ndriçojnë rrugën gjatë natës. Në magjinë e këtyre përrallave mund të kërcesh në një ballo ku marrin pjesë të gjitha kafshët nënujore, por të duhet një veshje balloje. Mendo si mund të duken balenat me smoking, ose gaforret me fustan? Këto pyetje naïve I zbulon për fëmijët libri i ri për fëmijë: “Në botën magjike të Henrit”.
“Andrushi” nga Flori Kasaj
Në vëllimin “Andrushi”, autori i ri Flori Kasaj na sjell një personazh të ri, tepër simpatik, ketrushin Andrushi, një personazh që shkrin veçoritë biologjike të bukurisë dhe shkathtësisë me veçoritë etike të guximit dhe dashamirësisë. Personazhi di të luftoj për mbijetesë, por ai zotëron edhe tiparin e solidaritetit ndaj mikeshës së vet Andrina, me të cilin ndan ushqimet dhe lodrat. Libri është në dy gjuhë: shqip dhe anglisht.
“Aventurat me ishullin lundrues” nga Viktor Canosinaj
Një roman i llojit të fantazisë për moshën 10-14 vjeç, i shkruar nga një prej autorëve më të spikatur të letërsisë për fëmijë. Vigi, një djalë 11-vjeçar, me anë të një filmi të realizuar në kompjuter nga një shoqja e tij e ngushtë, përjeton një sërë ngjarjesh fantastike, që vënë në provë karakterin e tij, duke e paraqitur ndryshe nga ç’është në të vërtetë. Në fund, Vigi merr vesh se gjithçka është një mesazh i gjatë kompjuterik i dërguar nga shoqja e tij e ngushtë me rastin e ditëlindjes së tij.
“Tregime të moçme shqiptare” nga Mitrush Kuteli
Një kryevepër e magjisë popullore shqiptare që vjen në filtrin rrëfimtar të Mitrush Kutelit: Një nga librat më të shitur të dy dekadave të fundit; një rekomandim i përhershëm për fëmijët dhe një zgjidhje briliante për të kuptuar boshtin e fantazisë shqiptare.
“Pushimet e Çufos” nga Gaqo Bushaka
Çufo është një nga personazhet më të dashura për lexuesit e vegjël, ende i pakapërcyer nga letërsia fëmijë përsa i përket karakterizimit, humorit dhe mënyrës sesi ndërvepron me lexuesit e vegjël. Tashmë ky personazh ka pesë seri të botuara dhe prej katër dekadash vazhdon që të mrekullojë lexuesin. Ne kemi përzgjedhur librin “Pushimet e Çufos” për ta rekomanduar këtë verë sepse sjell personazhet tona të dashuria në periudhën e pushimeve, me aventurat e tyre dhe kjo do të ndikojë që vogëlushët tanë të përjetojnë më mirë këto ditë të bukura të verës.
Librat e veres per femije- foto ilustruese Baby Bazar
“Shpella e piratëve” nga Petro Marko
Shpella e piratëve është një nga romanet e mirënjohura të shkrimtarit tonë të dashur Petro Marko. Ngjarjet zhvillohen në brigjet e Jonit dhe trajton eksplorimin që një grup fëmijësh i bën Shpellës së Piratëve. Ky libër flet për disa fëmijë vendosin të shkojnë te shpella, por mënyra e vetme është me ndihmën e peshkatarit Niko Dabo. Ai i ndihmon fëmijët që të bëjnë një varkë për të shkuar atje. Fëmijet shkojnë dhe atje zbulojnë shumë gjëra për historinë e shpellës dhe banorët që kanë jetuar atje. Ata ndihen zbulues dhe arkeologë për një moment dhe largohen me shpresën se do të vinin sërish. Por një e papritur i vë në vështirësi. Varka nuk është më dhe atyre i duhet të gjejnë një zgjidhje. Për të mos e shuar kureshtjen e lexuesve të vegjël, i ftojmë të gjithë ta lexojnë këtë libër të mrekullueshëm të Petro Markos.
“Beni ecën vetë” nga Kiço Blushi
Nga kujdesi i tepruar i prindërve, Benin nuk e lejojnë të luajë jashtë mureve të shtëpisë. Xhaxha Thomai që vjen nga fshati e merr me vete dhe për herë të parë Beni gjendet pa kujdesin e prindërve. Beni për herë të parë jeton në familjen e xhaxhait dhe i duhet të mësojë shumë gjëra të reja. Për ta ndihmuar të kalojë frikën dhe të ambientohet e ftojnë të marrë pjesë së bashku me fëmijët e tjerë në një piknik. Një natë Beni mbetet i vetëm në mes të pyllit por tashmë ai fillon të zbulojë se sa e mrekullueshme është jeta pranë natyrës.
Neritana Kraja