Vlashent Sata, i lindur më 1983 në Tiranë është këngëtar, tekstshkrues dhe kompozitor. Ai e filloi karrierën në moshë të re me këndim, duke u ngjitur në skenë në moshën 5 vjeç. I nxitur nga i ati, Loro Sata, një muzikolog dhe këngëtar tenor lirik, në moshën 6 vjeç Vlashenti nisi pianon. Në vitin 2002 ai shkon në Francë për të vazhduar studimet e pianos dhe përfundon të gjitha ciklet e konservatorëve në Bordeaux dhe Paris.

Vlashent Sata prej 6 vitesh është drejtor artistik “Za Fest”, festivali që zbulon thesaret e folklorit shqiptar, duke ndërthurur muzikën, legjendat, poezinë dhe kinemanë. Vijon rrugëtimin për 3 ditë radhazi mes mikpritjes së banorëve të Shkodrës, për të rizgjuar shpirtin e këtij vendi. Kantautori dhe drejtori artistik i festivalit, Vlashent Sata fton dashamirësit e muzikës, arteve pamore dhe sportit, për t’iu bashkuar një eksperience ndryshe, në gjirin e natyrës. Nata e parë do të jetë në shtëpinë e doktor Shirokës, ndërsa nata e dytë dhe e tretë në Kalanë e Rozafës.

“Tinguj zanash ndjellin në Shkodër një tjetër edicion na pret në strehën më të ëmbël, në 28,29,30 korrik” thotë për Grupin Mediatik të Kinës, drejtori artistik i festivalit Vlashent Sata

CMG: A ndiheni krenarë që keni arritur deri në edicionin e gjashtë të “Za Fest”?

Vlashent Sata: Po. Emocionet janë po të njëjtat që nga fillimi i edicionit të parë dhe tani. Është e pabesueshme dhe më vjen mirë sepse unë vijoj ende të takoj të njëjtat fytyra të gëzuara të “Za Fest”. Ndoshta nga viti në vit pjesëmarrësit janë pak më të butë e më të mirë me të tjerët.

CMG: Çfarë ka pasur gjithmonë si pikësynim ky festival?

Vlashent Sata: Festivali ka pasur gjithmonë si synim të sjellë cilësinë në thjeshtësi. Synimi ka qenë përherë që të mbrojë traditën mbi të gjitha. Kemi punuar për një marketing të qëndrueshëm. Risia vjet ishte baleti, ndërsa këtë vit do të jetë teatri, "Fantastik quhet". Që në hapje të festivalit do të ndërthuret sarkazma në këtë teatër.

Ndërsa, pikësynimi tjetër është t’i japim rëndësi muzikës elektronike, e cila do të kulmojë në dy “after party” në Kalanë e Rozafës.

CMG : Për çfarë jeni më tepër entuziastë?

Vlashent Sata: Jam entuziast sepse festivali gjithnjë ka pritur, fëmijë, të rinj e njerëz të moshës së tretë bashkë. Kemi menduar që të mos rëndojmë xhepat e shqiptarëve dhe biletën ta nxjerrim me një çmim ekonomik. Për fëmijët nuk ka çmim gjithashtu edhe për "fëmijët +65 vjeç". Të moshuarit tek Za fest duhet të ndihen komodë.

CMG: Cili është identiteti i “Za fest”?

Vlashent Sata: Në “Za Fest” muzika ndërthuret me fjalën. Ky nuk është vetëm një festival argëtues, por është një festival brezash ku të rinjtë gjejnë veten, frymëzojnë të njëri-tjetrin dhe bëhen optimistë për të ardhmen. Ky festival na mëson që e thjeshta dhe e bukura janë ato që vlejnë.

CMG: Cilat janë disa nga detajet e festivalit këtë vit?

Vlashent Sata: Festivali fillon me Jeton Neziraj, i cili ka shfaqjen teatrale për të cilën unë ju fola. Do të ketë më pas një film me metrazh të shkurtër. Nata e parë do të mbahet në një shtëpi tradicionale shkodrane në Shirokë. Shtëpia e doktor Shirokës, e cila është e gjitha e rezervuar tashmë. Natën e dytë dhe e tretë jemi në Kalanë e Rozafës.

CMG: Sa i përket audiencës a ka nga vendet e huaja të cilat vijnë për “Za Fest”?

Vlashent Sata : Po ka dhe e veçanta është se ka deri në Australi artdashës, të cilët vijnë për të ndjekur “Za Fest”. Përveç miqve nga Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi ka edhe shumë të tjerë nga vendet fshqinje dhe jo vetëm.

CMG: Cili është motivi juaj për të mos u ndalur?

Vlashent Sata : E bukura është detyrë që duhet ta kultivosh për veten dhe për të tjerët. Shpresoj shumë se këtë që unë po mbjell sot ta trashëgojnë edhe të tjerë nesër. Ky është motivi im kryesor.

Megi Latifi