Për 5 netë me rradhë u zhvillua edicioni i parë i festivalit “Gjon Mili, Jazz&Blues” i cili mbajti mbëthyer adhuruesit e kësaj rryme muzikore në Tiranë dhe Korçë. Nën moderimin e Stenaldo Mëhillit dhe Elona Islamajt, në datat 12, 13, 14 korrik festivali u zhvillua te Instalacioni Reja në Tiranë, ndërsa në pedonalen e Korçës u mbajt në datat 15-16 Korrik.

Publiku shijoi magjinë e muzikës Jazz & Blues nga artistët shqiptarë, si edhe shumë grupe muzikore të huaja nga Finlanda, Austria, Greqia etj.

“Gjon Mili, Jazz&Blues” Festival erdhi në këtë edicion të parë në shtëpinë e fotografit të njohur korçar, Gjon Mili. Nëpërmjet këtij festivali synohet promovimi i figurës së tij, duke shërbyer si një urë lidhëse midis kombit shqiptar me historinë botërore të muzikës Jazz & Blues. Në këtë mënyrë një pjesë e trashëgimisë kulturore dhe artistike e Shqipërisë bëhet e njohur për artistë nga vende të ndryshme, që i përkasin kësaj rryme muzikore.

Prezantuesja e këtij festivali, Elona Islamaj është shprehur për RTSH Korça se; “Ishin 5 netë, të cilat u ndanë midis dy qyteve, tre në Tiranë dhe dy netë në Korçë. Synimi është për të sjellë sa më afër rininë, instrumentistat, për t’i afruar sa më shumë me rrymën “Jazz”. Është një festival i organizuar nga “Kongresi rinor” në kuadër të “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë” për vitin 2022. Shpresojmë se ka dalë shumë bukur. Ka pasur të ftuar kryesisht të rinj. Ishte nje informacion i vlefshëm për të gjithë shqiptarët sepse në kuadër dhe në emrin e tij është organuar i gjithë festivali. Për të transmetuar gjenialitetin e tij dhe lidhjen që ka bërë Gjon Mili me fotografinë dhe me muzikën “Jazz” në vitet ’40-’60 . Ai ka prezantuar gjithë muzikantët më me emër botërorë kryesisht amerikanë, duke e çuar në mbarë botën muzikën “Jazz”, përfundoi Islamaj.

Ndërsa moderatori Stenaldo Mëhilli është shprehur për mediat: “Muzika ”Jazz” në vetvete është një rrymë e gjerë muzikore nga e cila rrjell Blues, Gaspel. Edhe unë vetë jam më shumë blues dhe gaspel sesa jazz dhe u them njerëzve të mi “I am black in spirit” që do të thotë se, ndjehem zezak në shpirt, ndjehem i asaj kulture. Kështu që mendoj se, në një dimension të caktuar ne po e sjellim këtë lloj forme muzikore në Shqipëri, pa diskutim që ku ka muzikë pop, ka edhe pakëz jazz sepse mënyra se si luhet muzika blues apo gaspel e bën atë të natyrshme edhe në muzikën pop, ka përfunduar Mëhilli.

Ndërsa koordinatorja e festivalit “Gjon Mili, Jazz&Blues” Aspasiana Kongo është shprehur: “Ne duam që të krijojmë traditë dhe do jemi vitet e tjera. Padyshim që do mendohet për t’u zhvilluar edhe në qytete të ndryshme. Ne jemi përpjekur që të përfshijmë sa më shumë muzikantë të rinj, me shkëmbimin e eksperiencave që kanë muzikantët e vjetër, kështu që vitin tjetër do të kemi më shumë muzikantë”.

“Gjon Mili Jazz&Blues Festival” synon promovimin e figurës së Gjon Milit, si e vetmja urë lidhëse që kombi shqiptar ka me historinë botërore të muzikës Jazz dhe Blues, duke e bërë këtë pjesë të Trashëgimisë Kulturore dhe Artistike të Shqipërisë. Lindja e këtij festivali është motivuar nga realizimi i projektit “Ëndrra e Gjon Milit” në vitin 2019, mbështetur nga Ministria e Kulturës.

Ky festival u organizua në kuadër të “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë” për vitin 2022,i cili zbatohet nga Kongresi Rinor Kombëtar, në bashkëpunim me organizatën “RIAS”, Muzika për të Rinjtë dhe me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, si dhe një përfaqësi institucionesh kombëtare dhe ndërkombëtare në vend.

Sava Lena