Foto nga VCG
23 korriku i këtij viti ishte “Dashu” (Nxehtësia e madhe), një nga 24 fazat stinore, sipas kalendarit hënor kinez. “Dashu” do të thotë faza më e nxehtë e vitit. Gjatë kësaj periudhe në shumicën e krahinave kineze temperatura arrin mbi 35 gradë Celsius.
“Dashu” është gjithashtu periudha kur bimët bujqësore rriten më shpejt. Për shumicën e krahinave kineze, kjo është faza me ndriçimin e diellit, temperaturën dhe reshjet e shiut më të mëdha, të cilët formojnë kushte të mira klimatike për rritjen e bimëve bujqësore.
24 fazat stinore kineze kanë lindur prej mbi 2.000 vitesh. Gjatë historisë së gjatë, në çdo fazë janë krijuar mjaft zakone të veçanta nëpër krahinat e ndryshme të Kinës. Edhe periudha “Dashu”, ka zakonet e saj, si për shembull pirja e çajit, përcjellja e anijes “Dashu” në det etj.
Pirja e çajit me rastin e fazës “Dashu” ka një histori qindravjeçare në shumë krahina kineze. Njerëzit përgatisin çaj për t’ia dhuruar udhëtarëve, një zakon që ruhet ende edhe sot në Wenzhou të provincës Zhejiang në Kinën Juglindore. Ky çaj që pihet në fazën “Dashu” është quajtur “Fucha” dhe përbëhet nga më shumë se 10 bimë të ndryshme. Efektet e tij mjekësore i ndihmojnë njerëzit të mbrohen nga nxehtësia e madhe.
Foto nga VCG
Përcjellja e anijes në det është një tjetër zakon popullor përgjatë fazës “Dashu”, sidomos në zonat bregdetare të provincës Zhejiang, veçanërisht në Taizhou. Ky zakon ka kuptimin e largimit të të nxehtit, duke u lutur për shëndetin dhe sigurinë e banorëve në verë. Kjo anije e quajtur “Dashu”, është rreth 8 metra e gjatë, 2 metra e gjerë dhe ka një peshë prej afro 1.5 tonësh. Në anije vendosen flijime të ndryshme. Pas fillimit të veprimtarisë, rreth 50 peshkatarë mbajnë anijen në rrugë, të rrethuar nga njerëzit që luten. Anija përcillet deri në port, pastaj lundron në det dhe ndizet për t’u lutur për korrje dhe lumturi në jetë.
Në krahinat veriore të Kinës ekziston një tjetër zakon, ai i pirjes së supës me mish deleje me rastin e fazës “Dashu”. Pas punës së lodhshme të korrjes në verë, e gjithë familja mblidhet për të shijuar supën me mish deleje dhe çlodhur. Në zonën e Tajvanit të Kinës, gjatë fazës “Dashu” është zakon ngrënia e ananasit, pasi pikërisht në këtë periudhë ka shijen më të mirë.
Krahas këtyre, në fshatrat e shumë krahinave kineze është zakon loja e luftimit të bulkth-ve me rastin e fazës “Dashu” etj. Të gjitha ritet e kësaj faze tregojnë dëshirën e popullit kinez për sigurinë dhe lumturinë në jetë. (Fani)