Për herë të parë në Shqipëri është zhvilluar festivali folklorik tipologjik kombëtar i lojërave popullore dhe riteve, i mbajtur në Devoll.
Grupe nga krahina të ndryshme shqiptare kanë prezantuar veshjet dhe disa prej kërcimeve të tyre karakteristike, që kanë tërhequr me qindra banorë të Devollit.
Specialistja e turizmit në Bashkinë e Devollit Hermalda Ago, e cila ka lindur në Bilisht dhe pas studimeve për menaxhim turizmi ka drejtuar një agjenci turistike, jep kontributin e saj në promovimin e turizmit në vendlindje.
Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, Hermalda flet për Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Lojërave Popullore dhe jetën e saj.
CMG : Pse keni pasur gjithnjë dëshirë për t’u marrë me turizëm?
Hermalda Ago: Unë pasi mbarova studimet iu dedikova këtij profesioni. Kam ndërtuar agjencinë time të udhëtimit, pikërisht sepse vetë doja që të udhëtoja shumë dhe vlerësoja çdo vend të ri që prekja. Pasi u futa në këtë botë kuptova që ka nevojë edhe për më shumë se kaq. E ndieja si detyrim, t’i kthehesha vendit tim për ta ndihmuar në rritjen e kapaciteteve turistike nëpërmjet aktiviteteve dhe punës në terren. Kështu, zgjodha të punoj pranë Bashkisë Devoll, në vendlindjen time dhe e kisha detyrim të kontribuoja.
Prej dy vitesh punoj për Bashkinë, duke shpresuar që edhe turizmi do të marrë më tepër karakter.
CMG: A mund ta nisim këtë bisedë me një tur në Bashkinë e Devollit, të na njihni më tepër me të ?
Hermalda Ago: Kjo zonë është e mrekullueshme! Bashkia e Devollit shtrihet në cepin juglindor të Shqipërisë dhe emrin e ka marrë nga lumi Devoll, i cili rrjedh në perëndim, përpara se të bashkohet me Osumin, në Shqipërinë qendrore, Devolli ndan një kufi me prefekturat greke të Follorinës dhe Kastorisë në pikën kufitare të Kapshticës.
Qendra administrative e Devollit është qyteti i Bilishtit, i vendosur në rrafshnaltën e poshtme të Qarkut të Devollit, në rrëzë të Malit të Thatë. Bilishti ka një klimë të shëndetshme mesdhetare. Dimrat janë të ftohtë, të lagësht dhe shpesh me borë, ndërsa vera është me temperatura mesatare.
Marrja e rrugës nga qendra e Bilishtit dhe ndjekja e përroit të lumit do t'ju çojë në një fushë të madhe midis maleve të larta të Moravës dhe Gramosit. Miras është vendbanimi më i madh ndër të tjerët, me rreth 300 shtëpi. Komuniteti lokal është i lidhur me bujqësinë. Vendasit njihen si punëtorë të palodhur dhe kjo nuk është gënjeshtër sepse do t'i gjeni gjithmonë duke punuar në arë ose duke u kujdesur për tufat e kafshëve të tyre. Ndërsa vazhdoni lart shtratit të lumit në bregun e majtë, sytë tuaj do të kapin çatitë gëlqerore të një fshati shumë të vogël me jo më shumë se 30 shtëpi, ku sot janë të banuara vetëm 2 prej tyre. Ky vendbanim shumë i vogël njihet si vendlindja e Adam Belushit, babai i John dhe James Belushi (aktorë të famshëm amerikanë). Qyteza u formua gjatë shekullit të 18-të nga kolonët ortodoksë të fshatrave të braktisura aty pranë, të shkatërruar nga shtypja osmane.
Rruga për në Cetë dhe Arrëz, fshati tjetër është e pashtruar dhe kalon në mes të pyllit. Sipas traditave dhe materialeve të shkruara nga arkivat e kohës, mësojmë se Arrëzi është një vendbanim 600-vjeçar. Fshati Arrëz u themelua nga familje që së bashku me bagëtitë e tyre ndodheshin brenda maleve për të shmangur luftërat e kohës. Emri i fshatit mund të shpjegohet me fjalën arrë e vogël, tokë e punueshme ku u vendosën banorët e parë dhe hodhën themelet. Banorët e parë ishin të besimit ortodoks deri në fillim të viteve 1700, kur nga pushtuesit osmanë u detyruan të konvertoheshin në myslimanë.
Duke u larguar nga Arrëzi, rruga do të bëhet më e vështirë, por e bukur. Ju do të gjeni veten në mes të pyllit të Dobergorës. Në një lartësi prej 1300 m, peizazhi është i mahnitshëm. Male të larta të pyllëzuara nga bredhi, panja dhe lisi. Tufat e lopëve kullosin të qeta në livadhe të hapura.
CMG : Çfarë ndodh në Devoll me jetën kulturore?
Hermalda Ago: Sapo të mbërrini në Devoll do të shihni sa zonë e pastër dhe e pasuruar është. Duke qenë terren malor të jep mundësinë per të zhvilluar turizëm malor. Ne kemi krijuar mundësinë që në pika të ndryshme turistike të ngrejmë hapësira, të cilat të përdoren për piknik, një mundësi e mirë për familjarët.
Çdo verë që mund të zgjidhni për të ardhur këtu do të argëtoheni me eventet që ne si zonë krijojmë. Ne sapo kemi zhvilluar "Open Cinema", kinemanë lëvizëse e cila u prit shumë mirë.
CMG: Ju sapo keni mbyllur projektin e "Festivalit Folklorik". Si u prit ky festival?
Hermalda Ago: Ishte një event që as ne vetë nuk e prisnim që të ishte kaq mirë.
U krijua pikërisht për të mbrojtur traditat e zonës.
Në festival pati valle, këngë, rite dhe tradita të kohës dhe zonës. Ajo që na pëlqeu ishte që pjesëmarrës nuk ishin vetëm të rinj të zones, por pati pjesëmarrje nga Kosova, Maqedoniae Veriut, Mali i Zi etj. Shqiptaria e madhe u bë një dhe ky aktivtitet mori një rëndësi të madhe për qytetin.
CMG : Çfarë pati të veçantë ky festival ?
Hermalda Ago: Karakteri tradicional. Ishin plot tre ditë që u zhvilluan në qytetin e Bilishtit dhe argëtuan qytetarët. Asnjë nga ditët nuk i ngjante tjetrës sa i përket performancave.
CMG: Devolli njihet për figurat e njohura që ka nxjerrë, një ndër ta edhe shkrimtari i madh Dritëro Agolli. Cilat jane eventet që mbahen në nder të figurës së tij?
Hermalda Ago: Përveç faktit që shkolla mbajnë emrin e tij dhe të rinjve ju kultivohet ideja se këtu ka lindur një shkrimtar i madh si Dritëroi, qyteti feston ende ditëlindjen e tij nëpërmjet aktiviteve. E kemi në kalendarin zyrtar të bashkisë, çdo gjë që lidhet me Driteroin. Ai e donte shumë vendlindjen dhe Devolli e do shumë atë.
CMG : Cilat janë karakteristikat e Devollit?
Hermalda Ago: Në Devoll punohet shumë. Nuk gjen asnje tokë që nuk është e mbjellë. Të gjithë merren me diçka dhe kjo është diçka tepër e mirë sepse ata jetojnë dhe punojnë në vendin e tyre. Devolli ka shumë tradita dhe zakone.
Njihet mes të tjerash edhe për përgatitjen e ushqimeve dimërore, një traditë që vjen falë grave të Devollit. Si nikoqire të mira që janë ato mendojnë për familjet e tyre dhe duke qënë se edhe dimri ka qënë i gjatë dhe i ftohtë ato kanë përgatur disa ushqime bazë prej brumi. Kështu tërhani, petkat, rosnicat, janë gjërësisht të përdorura në çdo familje në Devoll. Por këto ushqime tërheqin edhe vemendjen e të huajve dhe atyre që vizitojnë Devollin nga rrethe të tjera. Të gjitha këto janë një vitrinë e mirë e asaj që tashmë është e reklamuar si vlerë e shtuar e Devollit edhe në këtë drejtim.
Ndërkohë do të shtoja vallen popullore karakteristike për krahinën e Devollit, Valle Devolliçe. Vallja Devollice është valle burrash shumë e vjetër e zonës. Nga shekulli i 19-të vjen edhe e kënduar, e interpretuar me fyell, tambura dhe dajre. Më pas, në vitet 1900 futet edhe klarineta. Vallja luhet vetëm nga burrat me kostumet kombëtare të zonës, fustanella, kallca, këpucë më xhufka, çepkenë dhe qeleshe. Vallja vjen në trajtën e një ballade, fillon ngadalë shtruar, mbështetur fort, duke pasqyruar jetën, sakrificat, mbijetesën, luftën dhe në fund atmosferën dinamike festive të fitores. Me ritmin, figurat, lëvizjet dhe muzikën, ajo na sjell një koreografi komplekse të harmonizuar në mënyrë organike.
CMG : Çfarë parashikoni si evente të gushtit?
Hermalda Ago : Fshatrat gati të gjitha krijojnë "Festën e emigracionit" të gjithë mblidhen për të festuar me njerëzit e afërt, të cilët jetojnë larg atdheut.
Intervistoi :Megi Latifi