Filmi “Kur po xhirohej një film”, i regjisores së njohur Xhanfise Keko, është një nga filmat vërtet të bukur të kinemasë shqiptare të para viteve ‘90. Një film që trajton një temë të mprehtë shoqërore, aktuale edhe për ditët e sotme, ku protagonist janë fëmijët dhe prindërit e tyre, pa lënë mënjanë gjyshërit që shfaqen. Tema e divorcit, që regjisorja Xhanfise Keko tajton, vjen e plotë, e ndjeshme, e dhimbshme dhe e vërtetë në ekranin e kinemasë, me të gjitha dritëhijet e tij.

Filmi është realizuar në vitin 1981 dhe skenari i tij është shkruar nga shkrimtarja për fëmijë Shpresa Vreto dhe Xhanfise Keko.

Po kush e frymëzoi skenarin e filmit. A ka ndonjë histori të vërtetë, apo është e gjitha trillim?

Ndonëse filmi është riparë me dhjetëra herë, askush nuk e di që filmi “Kur xhirohej një film” është një histori e bazuar mbi jetën e vërtetë të aktorit shqiptar, Herion Mustafaraji. Tematika e divorcit e trajtuar në film është frymëzuar nga familja e Herionit dhe prindërit e tij. Divorci i prindërve të tij u bë skenar filmi.

Regjisorja Xhanfise Keko, e ka shprehur edhe në kujtimet e veta që ky film është frymëzuar nga jeta e një aktori, por duke respektuar anonimatin, ajo kurrë nuk e ka deklaruar emrin e aktorit.

Regjisorja e njohur e filmave për fëmijë e njihte mirë Heronin dhe historinë e divorcit të prindërve të tij, pasi kishte xhiruar tre filma me aktorin e vogël Herion Mustafaraj dhe sigurisht kërkoi lejen e tyre për të shkruar një skenar për një film të ri. Skenari u shkrua në bashkëpunim me skenaristen Shpresa Vreto dhe ndonëse si aktor nuk u zgjodh Heroni, por Gentian Basha, Herioni sot e kësa dite flet me krenari se ajo është historia e familjes së tij.

Në film interpretojnë aktorët Viktor Zhusti, Violeta Deda, Sokol Angjeli, Marjeta Ljarja, Zhani Ziçishti, me pjesamarrjen e veçantë të fëmijëve: Gentian Basha (që luan rolin e protagonistit kryesor, Gencit), Bledar Islami (në rolin e Albanit), Xhoana Xhillari (në rolin e Elës), etj.

Subjekti i filmit është i thjeshtë: Një film i ri po xhirohet në një qytet të vogël. Mes aktorëve janë edhe një grup fëmijësh. Genti i vogël, është zgjedhur të luajë rolin e një bashkëmoshatari të tij, që gjatë viteve të luftës, i vritet i ati nga nazistët, por gjatë interpretimit të filmit është nën stres, sepse prindërit e tij, Liljana dhe Kujtimi po ndahen. Liljana është një grua në karrierë, arkitekte dhe punon në një studio projektimi, ndërsa i ati, Kujtimi, është inxhinier dhe punon në një uzinë mekanike.

Disa muaj më parë marrëdhëniet e dy prindërve të Gencit janë tronditur rëndë. Shkaku ishte qëndrimi i Kujtimit, i cili nuk e lejon Lilianën të ndjekë zbatimin e projekteve të saj në veprat industriale.

Pas një debati të shkurtër dhe nervoz, Kujtimi largohet nga shtëpia. Ndarja e bashkëshortëve shkakton boshllëk të madh te Genci. Në xhirim e sipër, Genci qan. Një fëmijë i ka thënë “ti s’ke baba”. Lotët e Gencit shqetësojnë të gjithë grupin e në veçanti regjisorin dhe asistenten Drita. Ai kujton vazhdimisht ditët e gëzuara me prindërit. Se sa e papjekur ishte ndarja e bashkëshortëve e tregojnë dhe ngjarjet e mëvonshme, të filmit. Të dy prindërit ndiejnë më shumë se kurrë mungesën e djalit dhe analizojnë veten. Së fundmi, Kujtimi kthehet në shtëpi dhe Genci gjen lumturinë në strehën e prindërore.

Ky film mbahet mend për subjektin e freskët dhe real, për interpretimin e ndjerë të fëmijëve, për temën thellësisht familjare, për gjetjet regjisoriale dhe sidomos për mizanskenat që kanë ngelur të pavdekshme, si përshembull skena kur Genti ndan baraz mollët që ka blerë në Pogradec, duke numëruar:“një mami”, “një babi”; apo skena e fundit, ku i vetëm në shtëpi, pasi xhirimet kanë përfunduar, flet me mamin në telefon dhe njëkohësisht i ati i bie ziles së shtëpisë. Thirrjet e Gentit të vogël: “alo mami, alo babi”, “alo mami, erdhi babi” dhe lumturia ekzaltuese në sytë e tij, janë të paharruara.

Ky film kaq i bukur veç të tjerash mbahet mend edhe për kolonën zanore, kompozuar nga Aleksandër Peçi dhe të kënduar nga Liliana Kondakçi dhe Luan Zhegu, një këngë me tekst frymëzues, që renditet jo vetëm në listën e këngëve më të bukura të realizuar për filma, por edhe ndër krijimet më të mira të muzikës së lehtë shqiptare.

Neritana Kraja