Luo Shengtian "mbjell" një lule të shajaktë në një cep muri të thyer në fshatin Nanting në qytetin Guangzhou të provincës Guangdong të Kinës Jugore. / foto nga "China Daily"
Projekti personal i një studenti të Arteve po tërheq vëmendjen e mbarë vendit. Mjafton të shëtisësh në fshatin Nanting të qytetit Guangzhou të provincës Guangzhou në Kinën Jugore për të shikuar shumë lule të mrekullueshme që kanë "çelur" në cepat e thyera apo të plasaritura të mureve. Vetëm kur afrohesh pranë tyre do të zbulosh se këto lule janë prej shajaku dhe janë “mbjellur" mbi një copë bari artificial. Kopshtari i këtyre luleve është Luo Shengtian, një student që sapo u diplomua nga Shkolla e Skulpturës dhe Arteve Publike pranë Adademisë së Arteve të Bukura të Guangzhout. Tulipanë, lulekuqe misri, krizantemë dhe zambakë në ngjyra të verdha, të kuqe, vjollcë e rozë janë disenjuar për të mbuluar plasaritjet dhe të çarat në cepat e mureve. "Disa rrugica në fshat janë të ngushta dhe nganjëherë dëmtohem nga qoshet e thyera të mureve kur jam duke ngarë biçikletën. Ato mund të lëndojnë edhe fëmijët." – tregon Luo. Në fillim ai nisi riparimin e tyre duke përdorur shajakë me ngjyra të ngjashme me materialet e ndërtesave që do të arnoheshin. Por i riu u mërzit shpejt me këtë punë, sepse përveç përshtatjes së ngjyrës, ajo nuk përbënte ndonjë sfidë tjetër.
Një bashkëstudent i Akademisë e këshilloi që të mendonte diçka më interesante, duke e bërë Luo-n të sillte ndërmend lulet. Ai kishte punuar me shajak për projektin e tij të diplomimit dhe profesori i tij mbikqyrës e këshilloi që të fokusohej te marrëdhëniet me komunitetin. Luo i prodhon lulet e shajakta në shtëpi, duke përdorur një gjilpërë. Fillimisht ai fut një tel në kërcellin e luleve, pastaj rregullon qoshet e thyera të mureve me argjilë. Në fund ai vendos lulen në baltë dhe e mbulon me shajakun e gjelbërt, duke bërë që ajo të “rrënjoset” në mur.
Nga e mjata: Dy lule të shajakta janë vendosur në një cep muri të prishur në fshat./ foto nga "China Daily"
Më 5 prill ai vendosi lulen e tij të parë në bazën e një porte përkujtimore në fshat. Katër ditë më pas, ai shikoi se një pjesë e murit të përparmë të një ëmbëltoreje ishte plasaritur, prandaj së bashku me një mikun e tij e riparuan me një tjetër lule të krijuar. Megjithatë Luo ishte pak i shqetësuar se mos pronari i ëmbëltores nuk do të kënaqej me ndërhyrjen e tij. Në fakt pronari ishte lumturuar me këtë befasi. Ai e gjeti Luo në "WeChat", një rrjet social kinez, dhe i la një mesazh: "Muri im i vjetër tani ka një lule të bukur dhe simpatike, e cila më pëlqen me të vërtetë dhe më prek shumë. Një sjellje e tillë nuk mund të shpërblehet me para, prandaj do t'ju ofroj falas supën e ëmbël për një muaj, në shenjë falënderimi." Luo refuzoi ofertën me mirësjellje.
Një djali të vogël në fshat i pëlqeu aq shumë kjo lule, saqë e mori dy herë nga muri i ëmbëltores. Pronari e zuri djalin dhe i kërkoi të bëhej rojtar i lules. Qysh nga atëherë lulja nuk ka lëvizur më. Luo ka mbjellur 18 lule në fshatin Nanting. Ai thotë se këto lule mund t’i rezistojnë edhe rrezeve të diellit, edhe shiut, por nëse ndonjëra prej tyre do të dëmtohet, ai do ta zëvendësojë. Luo mendon se këto lule i kanë rigjallëruar ndërtesat e vjetra, duke shërbyer si një prekje e ngrohtë për fshatarët. Pasi një shok shkolle postoi një video me lulet e tij të vogla në internet, ato patën një jehonë të madhe, duke u quajtur si "arna të buta për qytetin" dhe "letra nga pranvera". Luo filloi të merrte kërkesa nga vullnetarë të ndryshëm dhe më pas vendosi të zgjerojë aktivitetin e tij. Ai formoi një grup në "WeChat" me emrin "Kavalieri i luleve të vogla", i cili tashmë ka mbi 200 anëtarë nga qytete të ndryshme kineze dhe huaja, përfshirë shokë të shkollës, gazetarë, operatorë restorantesh dhe studentë në Zelandën e Re, ShBA, Britani dhe Itali. Luo ndan me ta përvojën e prodhimit të luleve.
Luo shfaq një prej luleve të tij të shajakta./ foto nga "China Daily"
Lin Lizhang, qiradhënësja e mëparshme e Luo-s, ka prodhuar gjashtë lule për fshatin Nanting. "Jam e lumtur që përfshihem në këto aktivitete të riparimit së bashku me të rinjtë. Është diçka krijuese dhe e bukur, që u pëlqen të gjithëve, qoftë të rinjve apo të moshuarve," - tregon 49-vjeçarja që dikur kishte punuar për prodhimin e veshjeve. Wang Qiyao, një shoqe shkolle e Luo-s, që punon me kohë të pjesshme në ëmbëltore, ka bërë arna në formë luleje dhe kërpudhe me pronarin e saj. "Pas lules së parë pronari më tha se ëmbëltorja u bë e famshme në internet. Ndonjëherë dëgjoj fëmijë të mahnitur që thonë: 'Uau, kjo është ajo lulja e vogël që kemi parë në Douyin (TikTok)'! Lulet e kanë bërë ëmbëltoren tonë të veçantë dhe mjaf tërheqëse," thotë ajo. Në ekspozitën e të diplomuarve të Adademisë së Arteve të Bukura të Guangzhout në qershor, Luo shfaqi një hartë ku shënoheshin lulet e shajakta të mbjellura në mbarë vendin. Ky projekt e ka ndihmuar atë për të njohur edhe më shumë veten. "Isha i mbyllur dhe i flashkët, ndërkohë që kisha pak antipati për rrjetet sociale. Por tani, dal shpesh jashtë dhe i ndaj gjërat me të tjerët," - thotë Luo, duke shtuar se tashmë është mjaft mirë dhe ka një horizont më të gjerë për jetën.