"Vatrani i harruar” është shfaqja më e re që ngjitet në skenën e teatrit "Andon Z. Çajupi". Premiera e kësaj shfaqje u vu në skenë më 10 korrik. Vërtetësia historike, por dhe interpretimi mjeshtëror artistik i kësaj vepre madhore, e shkruar nga Teodor Laço dhe e vënë në skenë nga Milto Kutali, mbetet si një himn jo vetëm për Korçën dhe korçarët, por për të gjithë shqiptarët.

Premiera ne teatrin AZ.Cajupi ( Foto nga botaSot)

Premiera ne teatrin AZ.Cajupi ( Foto nga botaSot)

Mbrëmja nisi me interpretimin e bandës muzikore, në zemër të qytetit, ndërsa salla ishte e mbushur plot me artdashës, ku mes tyre shihje dhe personalitete të artit, kulturës, dhe fushave të tjera të këtij qyteti, të cilët mezi po prisnin për të ndjekur shfaqjen “Vatrani i harruar”. Një titull që lidhet sa me bandën muzikore “Vatra” gjithashtu edhe me “Vatanin”, një formë metaforike e Teodor Laços. Qyteti i dashurisë, i serenatave solli në këto ditë të nxehta korriku në qytetin e Korçës, pas afro një shekulli Thoma Nasin, atë atdhetar i cili krijoi bandën e parë muzikore me emrin e madh “Vatra” në Korçë, teksa e la Amerikën me familjen e tij për Shqipërinë. Kthehemi pas në kohë, ku në vitin 1925 atij iu ngarkua nga Mbreti Zog (pasi ai i dha një “torbë” me flori), të organizonte krijimin e bandës muzikore, zhvillimin e jetës muzikore dhe sistemimin e edukimit muzikor në vend, duke krijuar kështu edhe të parën bandë muzikore, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Mbreti Zogu i I, i tha Thoma Nasit në atë kohë se: “Ai komb që ka himnin e tij pa Bandën muzikore – nuk mund të jetë komb”. Prandaj po t’i jap këto florinj, që kjo bandë të quhet, Banda Presidenciale Shqiptare”. Mirjana Deti, bashkëshortja e Teodor Laços, ishte në Korçë, së bashku me djalin e saj Pandi Laço, kur në atë kohë ishte narratore e kësaj shfaqje. Ajo ka theksuar se Thoma Nasi pasi krijoi këtë bandë muzikore u largua nga Shqipëria në vitin 1926 dhe u vendos përsëri në SHBA, ku vazhdoi të punonte si dirigjent i orkestrave frymore të kishave Ortodokse shqiptare në Massachusets. Për këtë ai është sot një ndër figurat më të rëndësishme të artit dhe kulturës, i cili erdhi në Shqipëri nga kolonitë e para shqiptare në Amerikë, që ishin mbledhur në atë kohë përrreth Federatës Pan-Shqiptare, “Vatra”.

Banda Kombëtare (Foto nga Bota Sot)

Banda Kombëtare (Foto nga Bota Sot)

Në këtë shfaqje të shkëlqyer për më shumë se një orë, në qendër të saj ishte Thoma Nasi, ndërkohë që përreth tij lëviznin nën interpretimin e shkëlqyer aktorët, duke luajtur figura të nderuara të kombit tonë, si Fan Noli apo Ahmet Zogu. Figura që kanë bërë histori, por edhe djem korçare si, Kristaq Antoniu, Papahristo, Mihal Ciko, dhe vlonjati Ali Asllani etj… figura që sakrifikuan gjithçka për emancipimin dhe edukimin kulturor e patriotic, jo vetëm të qytetit të Korçës, por edhe të kombit shqiptar! Aktori, Kristian Koroveshi ka mbajtur një peshë të madhe mbi supe, duke interpretuar rolin e Thoma Nasit. Ai në prononcimin për media është shprehur:

“Kjo është një vepër historike, që është përgjegjësi në të njëjtën kohë jo vetëm nga pikëpamja profesionale si aktor, por është nga pikëpamja e peshës profesionale, por edhe nga pikëpamja e peshës historike, dokumentare. Është një “fat” mbi supe, privilegji shtohet, që do i kthehem vetes time dhe do i them “Po, kam luajtur Thoma Nasin”, jam përpjekur të luaj një figurë të një qyteti që unë e dua shumë sepse jam edhe vetë nga Korça dhe më bën të ndjehem krenar”.

Ndërsa Pandi Laço i biri i autorit Teodor Laço ka treguar për mediat se vepra “Vatrani i humbur” për autorin konsiderohej e humbur. “Ishte një nga pengjet e tij, që kjo vepër nuk ishte vënë në skenë. Pas disa vitësh unë hyj tek kompjuteri i tij, dhe për çudi e gjej atë file me një emër tjetër, siç na ndodh ne të gjithëve. Ishte një emocion shumë i bukur, se u zbulua vepra që gati ishte fshirë”, ka përfunduar Pandi Laço.

Pas shfaqjes regjisori Milto Kutali është shprehur, “Për një vepër të tillë, për protagonistin e saj Thoma Nasin dhe gjithë bandën “Vatra” duhet që diaspora shqiptare të japë ashtu si edhe e ka dhënë një kontribut shumë të madh në qytetërimin tonë të mbarë shoqërisë shqiptare”.

Kristian Koroveshi Foto nga shqiptarja.com

Kristian Koroveshi Foto nga shqiptarja.com

Kjo vepër erdhi në dy mbrëmje në mes korrikut në skenën e teatrit të Korçës me interpretimin e aktorëve Kristian Koroveshi, Dasara Xhangolli, Miriana Deti, Guri Koço, Ligoraq Riza, Franc Bregu, Xhuliano Brisku, Mateus Frroku, Barjam Dosti, Kristi Baçe dhe Barius Hoxhalli. Skenografia u realizua nga Beqo Nanaj, me një gërshetim të shkëlqyer dhe pjesëmarrjen e korit “Lira” dhe Bandës së Qytetit, të përgatitura dhe drejtuara nga mjeshtri Pandi Bello. Artdashësit korçar duartrokitën pa ndalim lojën e shkëlqyer të aktorëve dhe interpretimin e korit të famshëm “Lira” me dirigjent mjeshtrin Pandi Bello.

Shfaqja përgjatë 90 minutave dhuroi emocione të bukura që solli “Vatrani i harruar”, shkruar nga Teodor Laço, i cili kishte dëshirë që ta vinte në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës”, erdhi nën mjeshtërinë e Milto Kutalit, duke risjellë këtë verë para publikut korçar edhe një herë veprimtarinë e shquar të disa figurave shqiptare të asaj kohe si Fan Noli, Ahmet Zogu, Mihal Ciko, figura që sakrifikuan për emancipimin dhe zhvillimin kulturor e patriotik të vendit. Thoma Nasi emigrant në Amerikë mblodhi instrumentistë dhe krijoi në vitin 1917 bandën muzikore shqiptaro-amerikane “Vatra”. E gjithë vepra i kushtohet këtij aktiviteti të bandës dhe shoqërisë së arteve të bukura, që filloi aktivitetin e vet në qytetin e Korçës, me personalitete të tjera artistike si Mihal Ciko, Vangjush Mio, Sokrat Mio.

Vatrani i harruar (Foto nga Bashkia Korce)

Vatrani i harruar (Foto nga Bashkia Korce)

Më pas aktiviteti i tyre u shtri edhe në Tiranë dhe personazhe në këtë vepër janë edhe personalitete të politikës si Fan Noli, e Ahmet Zogu. Nëpërmjet kësaj drame, erdhi e famshmja e asaj kohe “Vatra” nëpërmjet figurave më të spitakura si Noli, dhe Konica, dhe regjisori i shfaqjes, Milto Kutali, tha se vepra të tilla duhet të vendosen më shpesh në skenë, për të dëshmuar sakrificat që atdhetarët kanë bërë ndër vite për vendin dhe kjo është një vepër, që ka rëndësi dhe për vlerat historike. “Ngjarjet e veprës janë 100 vjet më parë, por gjithçka i kushtohet 110- vjetorit të bandës muzikore “Vatra”, aktivitetit të Thoma Nasit dhe të tjerëve.

“Vatrani i harruar” është një vepër, që ka shumë vlera dokumentare edhe historike, padyshim dhe për të evidentuar për ti dhënë një vlerë të duhur kontributit të artistëve edhe në lëvizje të tilla të rëndësishme siç ishin në ato kohëra të vështira për Shqipërinë”, është shprehur regjisori i njohur Milto Kutali për këtë vepër, e cila shënoi premierën në skenën teatrore.

Pandi Laço i biri i shkrimtarit të njohur Teodor Laço tregoi rëndësinë që kjo vepër kishte për babain e tij, ndërkohë nuk fshehu emocionet e pa përshkruara. Jeta kulturore dhe artistike e Korçës u zhvillua rreth viteve 1920 e cila mori hov për të mos u ndalur me dhjetra banda muzikore. Shfaqja “Vatrani i harruar” është mbyllur për këtë sezon, për t’u rikthyes sërish në shtator të këtij viti.

Sava Lena