Foto nga VCG

Hong-Kongu në jug të Kinës përbëhet nga Ishulli Hong-Kong, Gadishulli Kowloon dhe Territoret e Reja, me një sipërfaqe tokësore që arrin në 1106.66 kilometra katrorë.

Në vitin 1841, pas Luftës së Parë të Opiumit, Britania e Madhe pushtoi Ishullin Hong-Kong dhe në gusht të vitit 1842, qeveria e dinastisë Qing të Kinës u detyrua të nënshkruajë “Traktatin e Nankinit”. Sipas këtij traktati të pabarabartë me qeverinë britanike, Ishulli Hong-Kong i kaloi Britanisë. Në vitin 1860 dhe 1898, dy palët nënshkruan përkatësisht edhe dy traktate të tjera, sërish të pabarabarta, sipas të cilave Britania merrte me qira Ishullin Hong-Kong, Gadishullin Kowloon dhe Territoret e Reja për 99 vite, deri më 30 qershor të vitit 1997.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Hong-Kongu përjetoi një periudhë zhvillimi të shpejtë ekonomik e shoqëror, duke u shndërruar në një port të lirë dhe një qytet ndërkombëtar. Hong-Kongu është qendra e tretë më e madhe financiare ndërkombëtare, por edhe qendra financiare, e shërbimit dhe lundrimit të Azisë. Pas kthimit në atdhe në vitin 1997, Hong-Kongu ka hyrë në një etapë të re zhvillimi.

Hong-Kongu quhet “Perla Lindore”, ku kultura kineze dhe ajo perëndimore shkrihen me njëra-tjetrën, duke treguar magjinë e veçantë të saj. Peizazhet e bukura dhe sektori i zhvilluar i shërbimit në Hong-Kong tërheqin turistë nga mjaft vende të ndryshme.

Porti “Victoria” i Hong-Kongut është një port natyror i detit të thellë, i cili mund të ankorojë 72 anije oqeanike. Në bregun detar të portit ndërtohen shumë rrokaqiej modernë. Pas errësirës, drita të ndritshme pasqyrohen mbi sipërfaqen e ujit, ndërsa anije të ndryshme udhëtojnë njëra pas tjetrës, duke shfaqur një peizazh shumë të bukur detar. Për këtë arsye, porti “Victoria” i Hong-Kongut është përzgjedhur si një nga tre “peizazhet e natës në botë”. Sot porti “Victoria” është qendra e Hong-Kongut dhe marka e qytetit.

Foto nga VCG

Në shtator të vitit 2005, u hap Disneyland i Hong-Kongut, i 5-ti në botë dhe i pari në Kinë. Pas hapjes, Disneyland i Hong-Kongut është zgjeruar vazhdimisht. Sot në park ndodhen 7 zona tematike, duke përfshirë “Gryka malore e thinjur”, “Adventureland”, “Fantasyland”, “Tomorrowland” etj., ndër të cilat “Gryka malore e thinjur” dhe “Manor mistik”, janë të vetmet në të gjithë globin. Krahas këtyre, në Hong-Kong ka edhe shumë pika turistike interesante, si për shembull Parku Oqeanik, Muzeu i Dyllit “Madame Tussaud's”, Tempulli “Lotus” me Budën e lartë etj., të cilët tërheqin turistë nga e gjitha bota.

Hong-Kongu është edhe një qytet gastronomik, ku kuzhina kantoneze e Kinës është kryesore. Në “Udhëzuesin e Michelinit 2017” në versionin e Hong-Kongut, dy restorante të kuzhinës kantoneze në Hong-Kong fituan “3 yje të Michelinit”, vlerësimi më i lartë për restorantet. Duke qenë një vend bregdetar prodhimet e frekëta të detit janë shumë popullore në Hong-Kong. Krahas këtyre, në Hong-Kong mund të shijohen gjithashtu edhe gatime nga vende të ndryshme, si kuzhina perëndimore, ajo japoneze, tajlandeze, indiane, vietnameze etj. Mund të thuhet se Hong-Kongu është një parajsë gastronomike. (Fani)