Vallja e Osman Takës është një nga më të bukurat jo vetëm të Çamërisë, por të gjithë botës shqiptare dhe e mbarë Ballkanit. Kjo valle në origjinë ishte e Epirit, por mori emrin e Osman Takës, atëherë kur valltari patriot Osman Taka, një nga luftëtarët kryesorë të degës çame të Lidhjes së Prizrenit me qendër në Prevezë, u kap rob dhe u burgos në Burgun e Janinës, ku dhe u dënua me varje. Para se ta varnin ai shprehu dëshirën e tij të fundit: një orkestër, e cila të luante vallen çame. Osman Taka nisi të kërcejë para valiut të Janinës dhe bashkëshortes së tij. Vallen e kërceu shumë bukur. Falë bukurisë trupore, shkathtësisë dhe zhdërvjelltësisë, bëri që vajza e valiut pothuajse të rrëzohej nga dritarja. Dokumente arkivorë të Janinës thonë se pas kësaj valleje e shoqja e valiut i ka kërkuar atij që Osman Taka të mos vritet. Dhe në të vërtetë ai u fal e që nga ajo ditë kjo valle u quajt Vallja e Osman Takës.
Vallja e Osman Takes - Ilustrim- Credit Iliria News Agency
Ende mungojnë të dhënat për fillimet e jetës së Osman Takës. Ai lindi në Konispol, në një nga familjet më të fuqishme e të pasura të qytetit. Sipas dëshmive të kohës, në 1848 Osman Taka filloi një revoltë të armatosur kundër Perandorisë Otomane dhe u bë protagonist i saj. Kur u themelua Lidhja e Prizrenit, ai u emërua kryetari i degës së saj në Prevezë. Pasi forcat osmane shtypën Lidhjen e Prevezës, ata e arrestuan më 1886 Osman Takën, i cili u akuzua nga turqit për tradhëti. E burgosën në Janinë dhe e dënuan me vdekje. Vallja e shpëtoi herën e parë, por pas disa ditësh pasi pati përpjekje të re kundër Osmanëve, e kapën përsëri dhe e vranë, në Konispol.
Vallja e Osman Takes - Credit Observer Kult
Vallja kërcehet nga djem që vendosen në trajtë shkalle. Nisja është e qetë, me hap të thjeshtë, lëvizjet janë plot hijeshi dhe e bëjnë këtë valle tepër burrërore, njëkohësisht edhe elegante. Në mbarim të strofës së parë muzikore valltari me kokën dhe dorën duke e lëvizur paksa përpara, të duket sikur të paralajmëron për atë që do të vijë më pas. Çuditërisht kjo valle sa më mjedis të ngushtë të kërcehet, aq më e bukur është. Gjatë interpetimit të saj, spikat dora, këmba, gjoksi, koka, dora që vendoset pas kokës e që lidhet me zakonin dhe mbajtjen e kapelës pak të shtypur në cep. Më tej në sfond një melodi e shtruar dhe hedhëse e gërnetës nën goditjet ritimike e të ëmbla të një defi tërë ritëm e rrisin bukurinë e saj.
Vallja e Osman Takes - Credit Radi and Radi
Vallja e Osman Takës është një valle tradicionale çame, me të gjithë elementet çame. Kërcehet me shumë elegancë. Ajo është valle epike, por brenda këtij epizmi ka një lirizëm, ka një lirshmëri që i tërë trupi kërcen në organikë me shpirtin e atij që e kërcen vallen, por edhe me ata që i bien veglave muzikore. Këtë valle e luajnë edhe grekët, maqedonasit, bullgarët, por të gjithë e quajnë “Vallja e Osman Takës”. Madje shkolla koreografike e Janinës jep edhe tekstin në shqip të kësaj valleje.
Trupa e Ansamblit te Kengeve dhe Valleve Popullore - Credit Radi and Radi
E veçanta e kësaj valleje është se sa mjedis më të ngushtë të ketë, aq më bukur e më mirë kërcehet, qoftë edhe mbi një tavolinë. Vallja ka disa pika kulminacioni. Pikën kulmore e ka, në momentin kur në mënyrë akrobatike, valltari kryesor kthehet në urë dhe mbi barkun tij luajnë dy-tre valltarët e tjerë, kërcejnë njëri mbas tjetrit për rreth një minutë e gjysëm. Kur interpetuesi i saj përkul trupin në formën e një ure, nuk kemi thjesht të bëjmë me një urë të zakonshme trupore, por me atë që quhet ura e brezave, e historisë, e përpjekjeve, e sakrificave, e gjakut dhe mençurisë popullore.
Janë shumë studiues të huaj anglezë, francezë që kanë kaluar në Çamëri dhe e kanë vlerësuar këtë valle. Në kohën kur Bajroni vizitoi trojet e Sulit u befasua nga vallet epike të kësaj krahinë dhe thuri vargje shumë të bukura që do të bëheshin edhe si një burim i fuqishëm informacioni kulturor të Çamërisë në botën perëndimore. Janë të shumta pikturat e piktorëve të huaj për këto valle.
Neritana Kraja