Dava Gjoka ka përfunduar studimet në Shkollën e Bashkuar Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë dhe prej vitesh ka ushtruar profesionn e oficeres së ushtrisë në Forcat e Armatosuara. Ajo tani është një oficere në pension, por vazhdon të jetë aktive me krijimtarinë e saj letrare, duke botuar disa libra me poezi. Znj.Gjoka ka botuar katër libra, ku tre prej tyre janë promovuar para pak ditësh në sallën e Muzeut historik kombëtar në Tiranë. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ajo tregon për eksperiencën e saj në ushtri, si dhe rrugëtimin në fushën e krijimtarisë.
Dava Gjoka ne interviste per CMG
CMG: Znj.Gjoka ju sollët këtë vit tre libra me poezi të promovuara në një ditë. Na flisni për krijimtarinë tuaj letrare.
Dava Gjoka: Unë jam një krijuese e poezisë dhe për mua sot në promovimin e tre librave të mi ishte një ditë tepër e veçantë, mund të them që ishte dita më e bukur e jetës time, e cila do të mbetet një kujtim përjetësisht në zemrën time. Unë promovova tre libra, “Dhimbje dhe mall”, “Kalimtar në këtë jetë” dhe “Botë e pikëpyetjeve të mëdha”. Këtë vit është hera e dytë që po botoj, sepse librin e parë e kam botuar në vitin 2017 dhe në ditën e lindjes sime promovova dhe këto tre libra. Unë kam akoma libra të tjerë të pa botuar që rrinë në sirtarët e mi, me shpresën se do t’u vijë dita që të hapet drita e botimit dhe për ato libra. Unë shkruaj vazhdimisht, pothuajse çdo ditë dhe në krijimtarinë time është akumuluar shumë, kam shkruar prej vitesh dhe vazhdoj të shkruaj akoma.
CMG: Çfarë trajtoni më tepër në krijimtarinë tuaj poetike?
Dava Gjoka: Në poeznë time flitet realiteti i gjithçkaje që ka kjo jetë. Shkruaj vargje të thjeshta, modeste, por që përmbajnë një mesazh të madh për jetën dhe për çdo problem që ka jeta.
CMG: Ju keni studiuar në Shkollën e Bashkuar Ushtarake, por a keni punuar në këtë profesion?
Dava Gjoka: Unë kam mbaruar studimet e larta ushtarake, dhe kam punuar prej disa vitesh si oficere në Forcat e Armatosuara të ushtrisë shqiptare. Jam krenare për profesionin tim.
Dava Gjoka me aktoren Margarita Xhepa (Foto Facebook)
CMG: Një oficere që shkruan poezi. Si e keni gjetur lidhjen midis këtij profesioni dhe poezisë?
Dava Gjoka: Unë mendoj se ka dhe të tjerë në këtë profesion që shkruajnë poezi, dhe të gjithëve ju uroj suksese. Në kuptimin e parë të fjalës duket sikur ushtria me poezinë janë larg me njëra- tjetrën, por për mua janë shumë afër. Unë në poezi shpreh gjithë shpirtin tim, jo në kuptimin ushtarak por shpreh gjithë botën time shpirtërore nëpërmjet vargjeve edhe pse jam oficere.
CMG: Nga e keni marrë frymëzimin për të krijuar poezi?
Dava Gjoka: Frymëzimin e kam marrë gjithmonë nga jeta dhe vazhdoj ta marr nga jeta. Poezitë e mia janë tepër aktuale dhe paraqesin realitetin e sotëm, që ne po jetojmë.
CMG: Ju vini nga një zonë me tradita si ajo e Mirditës, por çfarë e veçon këtë trevë nga të tjerat?
Dava Gjoka: Mirëdita shquhet për traditat, për zakonet e saj, folklorin si dhe për veshjen e bukur tradicionale që ka ky vend. Gjithashtu është e njohur për bujarinë dhe mikëpritjen.
CMG: Dy gëzime në një ditë, ku ju festuat ditëlindjen bashkë me promovimin e tre librave tuaj.
Dava Gjoka: Kjo ishte dëshira ime e madhe që t’i promovoja të tre librat e mi pikërisht në ditën time të lindjes. Pra në një ditë unë kisha dy gëzime, ditëlindjen dhe promovimin e librave të mi, që mund t’i quaj trenjakët e mi.
CMG: Cili nga katër librat e botuar ju ka frymëzuar më shumë kur e keni shkruar?
Dava Gjoka: Për mua libri “Botë e pikëpyetjeve të mëdha” më ka pëlqyer sepse tani ne po jetojmë në një realitet që me të vërtetë ka shumë pikëpyetje, dhe prandaj unë i vura këtë titull, ku brenda këtij libri është e njëjta poezi me këtë titull.
Dava Gjoka gjate promovimit te librave te saj (Foto Facebook)
CMG: Sa kohë ju është dashur për t’i botuar këto libra?
Dava Gjoka: Nuk e di, por shpirti im është shumë i pasur me poezi dhe mund të them se unë gati çdo ditë postoj në Facebook një poezi. Kështu që nuk më është dashur shumë kohë për t’i botuar dhe promovuar.
CMG: Mendoni se rrjetet sociale janë një promovim i mirë i krijimtarisë suaj?
Dava Gjoka: Për mua Facebook ka qenë shtëpia ime e parë botuesedhe jam shumë krenare që të gjithë ndjekësit dhe lexuesit e mi pothuajse janë nga miqësia virtuale. Ndjehem tepër e kënaqur kur në promovimin e librave të më vijnë më shumë ndoshta nga miqësia virtuale. Kështu që Facebook merr vlerën e tij maksimale për mua.
CMG: Kush ju ka mbështetur më tepër në fushën e krijimtarisë?
Dava Gjoka: Përkrahësi i parë dhe kryesori në krijimtarinë time është bashkëshorti im. Ai është redaktori apo lexuesi i parë i vargjeve të mia dhe unë e falenderoj si dhe i jam shumë mirënjohëse atij.
CMG: Jeni shkëputur nga profesioni juaj i oficeres?
Dava Gjoka: Unë tani jam në pension dhe kam përfituar nga statusi i ushtarakut. Tani jam thjesht një oficere në pension, por nuk e bëj jetën të mbyllur. Unë kam poezinë, e cila më ndihmon dhe më jep gjallëri e jetë.
CMG: Si i kujtoni vitet kur keni punuar si oficere në ushtrinë shqiptare?
Dava Gjoka: Unë i kujtoj me shumë krenari ato vite të punës time si oficere, dhe me këtë rast dua të përshëndes të gjithë kolegët e mi që kam punuar dhe ruaj për to respektin maksimal.
CMG: Keni të tjera poezi që i keni shkruar dhe janë gati për botim?
Dava Gjoka: Tani në këtë moment që po jap këtë intervistë, unë kam dhe 15 libra të pa botuara, por që shpresoj që së shpejti do t’i botoj dhe ato.
Dava Gjoka me miqte e saj gjate nje aktiviteti (Foto Facebook)
CMG: Gjatë promovimit të librave tuaj prezente ishte dhe artistja e madhe Margarita Xhepa, e cila interpretoi disa nga poezitë tuaja. Çfarë emocionesh përjetuat në ato momente?
Dava Gjoka: Ishte një kënaqësi tepër e veçantë që për mua do të mbetet përjetësisht në zemrën time. Prania e artistes së madhe Margarita Xhepa më dha një kënaqësi të madhe, dhe për mua është një kujtim i bukur kur ajo interpretoi vargjet e mia, vargjet e shpirtit tim.
CMG: Keni provuar të shkruani dhe tekste këngësh?
Dava Gjoka: Unë kam provuar të shkruaj dhe tekste këngësh, ndoshta dhe me kërkesë të disa njerëzve. Kam bërë vargje që janë përdorur për tekste këngësh. Në përgjithësi poezitë e mia i shkojnë përshtat këngës sepse janë të tilla, janë me rimë, të thjeshta dhe reale.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.
Dava Gjoka: Ju përshëndes juve që realizuat këtë intervistë kaq të bukur në këtë ditë kaq të gëzueshme për mua. Dëshiroj të përshëndes të gjithë ata që më kanë përkrahur dhe ndihmuar që unë të vij në këtë ditë me tre librat e mi në duart e lexuesve.
Intervistoi: Gazmend Agaj