Artistë të njohur shqiptarë shpesh herë janë bërë pjesë e festivale ndërkombëtare, duke prezantuar Shqipërinë. Një ndër ta është edhe aktorja dhe regjisorja Suela Bako.

Suela Bako (foto personale)

Suela Bako (foto personale)

“Kadillak dhe manaferra” titullohet filmi me skenar të Bujar Alimanit dhe regji të Suela Bakos. Ngjarjet e filmit zhvillohen në vitet ’70 në Patos, mes puseve të naftës. Në muajin mars filmi “Kadillak dhe manaferra” është përzgjedhur në edicionin e 25-të të festivalit të filmit të shkurtër në Bruksel, Belgjikë. Së fundmi ky film është përzgjedhur të jetë pjesë e San Francisko Frozen Film festival.

“Kadillak dhe manaferra” është një film me metrazh të shkurtër, i cili bazohet në histori një të vërtetë në vitet 70-të në Shqipëri. Filmi është pjesëmarrës në festivale shumë të rëndësishme, me një premierë në Festivalin e Filmit në Bruksel. Personazhet kryesor janë Marino i interpretuar nga Lulzim Zeqja, djali i Marinit nga Daren Karameto dhe sekretari nga Muzafer Zifla. Për kastin e aktorëve regjisorja Bako është shprehur se ka patur ndjesi të ndryshme bashkëpunimi, me mosha të ndryshme dhe raporte njerëzore e personale të ndryshme.

Kadillak dhe manaferra (Foto imdb)

Kadillak dhe manaferra (Foto imdb)

Regjisorja Bako ka treguar se shumë prej filmave të saj kanë qenë pjesë e disa prej festivaleve më të njohur, prandaj edhe ambicia e saj më e madhe është pjesëmarrja në sa më shumë festivale të tjera ndërkombëtare.

“Si çdo krijues që përpiqet të bëjë një vepër të mirë dhe vepra në kohët që jetojmë duhet t’i kalojë kufijtë, sepse është shumë e vogël Shqipëria për të pasur sukses. Prej vitesh jam aktualisht pjesë e një cirkuiti ndërkombëtare me festivale. “My name is Sonila”, “Darka” kanë disa çmime. Isha dhe jam e predispozuar për të realizuar në të ardhmen një produkt që duhet të meritojë një audiencë ndërkombëtare. Nuk është e thjeshtë për të fituar çmime të mëdha, por të jesh pjesë e një audience ndërkombëtare është ambicia ime më e madhe, të çoj atë copëz Shqipëri diku gjetkë. Kjo më mban gjallë, në këtë formim që përfaqësoj, i besoj ndjesive të mia dhe jam e kënaqur që kam arritur t’i artikuloj në aspektin vizual.’ u shpreh artistja Bako.

Gjatë xhirimit të filmit ( Foto observerkult)

Gjatë xhirimit të filmit ( Foto observerkult)

Si është pritur filmi shqiptar nga audienca e huaj, duke qenë se edhe konkurenca për të qenë pjesë e këtyre festivaleve është shumë e madhe.

“Nuk di të them sesi është pritur ekzaktësisht nga audienca e huaj, por më presin katër festivale brenda muajit gusht dhe dëshiroj të kem shumë të tjerë. Disa prej tyre janë me një moshë 30, 47, vjeçare. Konkurenca është e madhe dhe kjo më fal kënaqësi, krenari dhe besim për të vazhduar më tej”, tha regjisorja.

Festivali i Filmit Frozen në San Francisko mbahet çdo verë në zemër të distriktit në Teatrin Roxie. Regjisorët, puna e të cilëve pranohet në festival, ftohen të vijnë në këtë qytet në fund të verës për të shfaqur dhe diskutuar punën e tyre.

Frozen Film Festival (Foto fff.com)

Frozen Film Festival (Foto fff.com)

E pyetur nëse e priste këtë pjesëmarrje, regjisorja Bako shprehet se në fillimet e saj kishte ambicie për të qenë pjesë e festivaleve të mëdha, ndërsa tashmë për të çdo pjesmarrje është e rëndësishme dhe me vlerë.

“Në fillim kisha ambicie për festivale të rëndësishme, por tashmë pres çdo lloj festivali. As nuk trembem nga ata të mëdhenjtë, por as nuk më komplekson një më pak i rëndësishëm, sepse filmi ka jetën e tij. Filmi im "Kadillak dhe Manaferra" bashkë me bashkëpunëtorët ia ka dalë të jetë pjesë e një rrugëtimi të suksesshëm festivalor.’u shpreh aktorja dhe regjisorja Suela Bako.