Anila Hetoja çeli në Galerinë e Artit Tiranë ekspozitën personale “Sensitive”. Artistja vendosi gruan në qendër të 20 pikturave të realizuara në tre vitet e fundit, duke e sjellë në shumë dimensione. Ajo tregon se ka filluar që në fëmijëri të merret me pikturën dhe se lapsi dhe letra kanë qenë “miqtë e saj më të mirë”. Studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Shkodrës, dega Ekonomi, por dashurinë për artin nuk e la kurrë. Pas emigrimit në Kanada, Anila vazhdoi një tjetër shkollë këtë herë për artin.
Anila Hetoja gjate ekspozites (Foto faebook)
Ekspozitat e Anilës pasojnë njëra-tjetrën, jo vetëm në Tiranë dhe Shkodër, por edhe jashtë vendit, si në Gjermani apo në Kanada. Ekspozita e parë e hapur nga Anila në vitin 2016 me tematikë “Love” u pasua një vit më pas nga ekspozita me tematikë “Motivet Tradicionale dhe Ngjyrat e Tokës“. Në vitin 2018, janë çelur dy ekspozitat “Gruaja” dhe “Njerëz në Fokus”. Ekspozitat me tematikë “Natyrë” dhe “Art Expo”, të dyja të sjella tek publiku artdashës në vitin 2019, u ndoqën nga ekspozita “Sallon Vjeshte” në 2021. Anila është rikthyer në Shqipëri.
“Kam ardhur me tematikën ‘Sensitive’ sepse kam dashur të prek natyrën femërore, që femrën ta ngre në piedestal, që të marrë vendin që i takon. E sjell në një siluetë, që unë e quaj si një ujëvarë mendimesh, kthjellimesh”, thotë Anila Hetoja për Grupin Mediatik të Kinës (CMG).
CMG: Si ka qenë rrugëtimi juaj artistik, qysh prej fëmijërisë?
Anila Hetoja: Sot që flasim sjell me vete ndjesitë e bukura të fëmijërisë. Unë jam rritur një fëmijë i lumtur dhe pikërisht për këtë, sot gëzoj kujtime të veçanta. E kam adhuruar pikturën ndoshta qëkur kam kuptuar se çfarë janë ngjyrat dhe si mund të pikturoj. Sot mendoj që pavarësisht vështirësive ekonomike që mund të kem pasur në krahasim edhe me fëmijët e tjerë, unë ja kam dalë ta shijoj fëmijërinë time. Gjëja primare që duhet të bënim ne në atë kohë ishte të punonin, studionim dhe në kohën e lirë të punonim vullnetarë. Ajo periudhë na ka bërë mirë sepse na ka imponuar edukatën.
CMG: Studjuat për ekonomi, por shumë shpejt ju drejtuat artit, pse gjithë këto ndryshime?
Anila Hetoja: Në jetë unë kam pasur parime, të cilat për asnjë arsye nuk i kam hedhur poshtë. Kam qënë një nga ata njerëz që kam besuar fort se “Jeta ëshë shumë e shkurtër për të bërë profesionin që ti nuk do”. Ndaj, kjo vlen edhe si thirrje për njerëzit e tjerë. Në një moment apo në një tjetër, duhet ta drejtoni ju veten tuaj dhe atë që synoni të bëni në të ardhmen.
Ekspozita sensitive (Foto nga faebook)
CMG: Ju na keni rrëfyer se fizikisht ndodheshit në Kanada, por zemra juaj ishte në Shqipëri. Si i përjetuat ato kohë?
Anila Hetoja: Fillimi ka qënë shumë i vështirë. Shkova atje nga Tirana dhe përballë vendeve të zhvilluara ajo duket shumë e vogël. “Aty kam kuptuar që isha një grimcë rëre në oqean”. Në atë periudhë filloi lufta me veten, por edhe me të tjerët për të parë se ku do të arrish. Normalisht unë do ecja përpara sepse e kisha diçka të brendshme që doja të realizohesha, të plotësohesha. Gjëja e parë që bëra ishte që u regjistrova në një shkollë arti. Mua më pranuan edhe pa konkurs sepse kisha një portofol të plotë. Kur ka parë punët e mia stafi thjesht më ka uruar mirëseardhjen. Isha ndër 5 studentet më të mira në departament.
CMG: Çfarë do të thotë të jesh artist?
Anila Hetoja: Të jesh artist duhet të jesh njeri i mirë, të lexosh shumë, të kesh talent të lindur dhe e fundit të jesh kreativ.
CMG: Sukses! Kjo fjalë e madhe, çfarë do të thotë për ju?
Anila Hetoja: Do të thotë që jam një nënë e mirë, e arrirë dhe që kam arritur shumë gjëra nga ana profesionale.“Suksesi është si shampanja kur hapet dhe më pas bie”. E rëndësishme është që në jëtë të jesh me kembë në tokë. Asgjë nuk vjen në këtë jetë shumë shpejt, duhet të marrë kohën e saj çdo gjë. Fama vjen vetëm duke punuar me hapa të vegjël.
Ekspozita sensitive (Foto nga faebook)
CMG: Cili ka qënë moment kthese për ju?
Anila Hetoja: Ka qenë kur përfundova studimet dhe më është dashur që të zgjedh një drejtim për jetën time. Kjo fazë, u pasua edhe me emigrimin më pas dhe ka qënë një situatë kritike për mua.
CMG: Cili person në jetën tuaj ka qënë krahu juaj mbështetës?
Anila Hetoja: Gjithmonë e kam thënë familja ime ka qënë pranë meje gjithnjë. Partneri im gjithashtu, më ka mbështetur për t’i zbuluar e më pas ndjekur ëndrrat .
CMG: Cilat janë fjalët që ia thua më shpesh vetes?
Anila Hetoja:Kjo më emocionon sepse sot shoh një Anilë që është e fortë dhe ia del. Shoh veten time që reflektoj për çdo gjë që më është dukur gabim.
CMG: A keni dëshirë për të ndryshuar diçka?
Anila Hetoja: Sot unë jam aty ku dua dhe nuk dua të ndryshoj asgjë. Jam me njerëzit që dua, aty ku unë dua dhe bëj atë që dua. Qetësia që më ka dhënë arti ka qënë ajo që kam kërkuar gjithë kohës.
Anila Hetoja (Foto nga faebook)
CMG: Çfarë ndodh me ju, nga kush e merrni motivin, që secila nga ekspozitat ka ngjyra jete?
Anila Hetoja: Motivin unë e marr nga njerëzit që më rrethojnë, aty gjej gjurmët e jetës, emocionet që më japin. Në çdo ekspozitë timen unë fus pak elementë muzikorë, jam shumë e lidhur me muzikën. Unë frymëzohem shumë edhe nga dashuria. Gjithmonë e them po të isha shkrimtare do t’i shkruaja shumë dashurisë. Ne pikturat e mia ka jetë. Nëse brenda vetes sime do isha bosh, nuk do të prodhoja kaq shumë art. Shpirti im reflekton dashuri.
CMG: Ju sollët ekspozitën “Sensitive” ku në fokus kishit gruan. Çfarë është gruaja shqiptare për ju?
Anila Hetoja: Gruaja shqiptare është ajo që mban në kurriz çdo gjë. Ajo ka kaluar shumë mbi shpatulla, herë e ndjeshme, herë e përulur.
CMG: Mesazhi që përcjell “Sensitive” cili është?
Anila Hetoja: Doja t’i tregoja grave që ne jemi të ndjeshme, por edhe të forta. Dua t’i jap vlerë gruas, të ketë vendin që i takon. Nëpërmjet ngjyrave solla gruan e dashur dhe plot jetë.
Ekspozita sensitive (Foto nga faebook)
CMG: A pati burra që erdhën për të parë një ekspozitë, e cila u dedikohej grave?
Anila Hetoja:Po, kishte! Më vjen mirë që kishte gra të cilat shoqëroheshin nga burrat e tyre për të parë veprat e artit, dedikuar atyre.
CMG: Cili kompliment për këtë ekspozitë kanë qënë më i bukuri?
Anila Hetoja: Më ka pëlqyer që shumë vetë kanë qënë në një mendje. Më kanë thënë që kanë që kanë gjetur veten e tyre në ato silueta.
CMG: A je ti në shumicën e siluetave?
Anila Hetoja: Ndoshta diku, por jo në të gjitha. Unë jam në kontakt me shumë njerëz dhe kjo më ka bërë të kem mundësi të personifikoj tipare të ndryshme.
CMG: Cilat janë tiparet e tua?
Anila Hetoja: Unë jam një oqean shumë i thellë misterioz, por jo shumë e ftohtë.
CMG: Lutja juaj më e shtrenjtë?
Anila Hetoja: Të kem jetën, famijen dhe jeta të vazhdojë kështu siç është!
Intervistoi:Megi Latifi