Kur flasim për misteret më të mëdha shqiptare të bien në mendje shumë histori dhe legjenda, shumë prej tyre të trilluara, por ka dhe nga ato që qëndrojnë më të forta se vetë koha. Një ndër to është edhe e fshehta e thesarit të Ali Tepelenës, Pashait të Janinës.
Historia e thesarit legjendar të Ali Pashait është e vjetër. Thesari nuk është gjetur, por ka të identifikuara pjesë të tij. Më i njohur nga thesari i Ali Pashë Tepelenës është Diamanti “Spoon maker”, një diamant 16 gr – 86 karatësh në formë dardhe, i rrethuar nga një radhë e dyfishtë prej 49 diamantesh të tjerë që gjendet në Muzeumin e Pallatit Top-kapi dhe quhet krenaria e tij. Mendohet se është i Ali Pashait sepse 49 brilantet janë dhuruar nga Ali Pasha për t’i rritur vlerën këtij diamanti, kurse vetë diamanti është marrë nga Ali Pashë Tepelena në betejën e Nikopolit me 1798 në qytetin e Prevezës. Për sa i përket thesarit prej 40 tonësh ar të tij, ende nuk ka ndonjë gjurmë, megjithë përpjekjet 200 vjeçare të kërkuesve të ndryshëm të thesarit, të cilët e kanë kërkuar qoftë në Janinë, qoftë, në Shqipëri.
Asgjë nuk dihet dhe hipotezat janë të shumta për vendodhjen e kësaj pasurie kolosale, por le t’i hedhim një sy të gjitha hipotezave dhe historisë së zhvillimit të legjendave rreth këtij fakti. Thuhet se thesari mund të jetë fshehur diku në Kalanë e Porto Palermos, në Shpellën e Piratëve apo në fshatin e gruas së pashait, Vasilikisë.
Le t’í marrim tezat me rradhë. Nisemi nga kalaja e Ali Pashait në Porto Palermo, vend ku thuhet se mund të jetë fshehur thesari. Kalaja është ndërtuar nga Ali Pashai si dhuratë për gruan e tij, Vasilikinë, por a është e vërtetë kjo, apo është ndërtuar si fortesë për të mbrojtur diçka më të madhe, një thesar ndoshta? Le t’i hedhim një sy më nga afër kësaj kalaje sa legjendare aq e misterioze.
Sapo Himarën, përballesh me një pamje të mrekullueshme të detit dhe në mes, si një ishull i vogël, duket vendi ku është ndërtuar kështjella e Porto Palermos. Ky emër i ka mbetur këtij gjiri nga koha e pushtimit të italianëve, të cilëve u kujtonte vendin e tyre, qytetin e Palermos në jug të Italisë. Ajo ndodhet në një gadishull që lidhet nga një rrip i ngushtë shkëmbinjsh e dheu me tokën.
Një rrugicë e ngushtë të shpie në derën e dhuratës së Pashait të Madh për të shoqen. Dikur aty ka qenë një pllakë guri ku shkruhej: ”Unë Pashai i Madh, Aliu e ndërtova këtë kështjellë”. Forma e dhomave, kolonave mbajtëse me harqe dhe disa kthina të vogla të bëjnë të kuptosh se dikur ajo ka qenë e banueshme. Tashmë aty asgjë nuk të kujton kohën e Ali Pashë Tepelenës. Pamja që shfaqet nga bedenat e kështjellës është e rrallë. Prej aty duket i gjithë bregdeti si dhe Gjiri i nuseve, në të cilin, sipas legjendës, lahej nusja e Ali Pashës, Vasilikia. Forma e tarracës tregon se në atë kohë ajo ishte një vend shumë i mirë për tu mbrojtur nga armiqtë.
Aty ndodheshin topat luftarakë të Ali Pashë Tepelenës si dhe vendet ku qëndronin ushtarët. Bedenat bien menjëherë mbi det, si thikë, dhe legjenda thotë se aty përfundonin armiqtë e Pashait të Madh. Dhjetëra burra trima që kishin guxuar të sfidonin Ali Pashë Tepelenën kanë përfunduar në det ose janë përplasur në shkëmbinjtë që ndodhen poshtë bedenave. Forma e tyre tregon se ka qenë shumë e vështirë për t’i pushtuar nga ana e detit. Rreth 300 metra larg kështjellës, në anë të rrugës ndodhet dhe kisha e famshme, të cilën Ali Pashë Tepelena e ndërtoi personalisht për Vasilikinë.
Kjo dhuratë simbolike ishte tepër e çmuar për Ali Pashën. Kisha ndodhej jashtë bedenave dhe ajo mund të sulmohej nga armiqtë e tij. Kështjella u ndërtua nën kujdesin e arkitektit Petro Përmetari dhe të një arkitekti Italian. Kur arkitekti italian i dorëzoi kishën Pashait të Madh dhe i kërkoi paratë për punën e kryer, ky i fundit i propozoi një provë.
Ai i tha arkitektit që do t’i jepte paratë për punën e kryer vetëm nëse kisha do të ishte e fortë dhe do të duronte goditjet e topave. Pasi mbylli arkitektin italian në kishë, Ali Pashë Tepelena urdhëroi topçinjtë e tij të qëllonin mbi kishën e vogël. Disa gjyle topi ranë mbi kishë, por asaj nuk i lëvizi as edhe një nga gurët që përbënin konstruksionin e saj. Kjo e siguroi Aliun se gruas së tij nuk do t’i ndodhte gjë kur të ishte në kishë. Pas kësaj ai i dha paratë arkitektit italian. Edhe pas kaq vitesh kisha nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të madh. Pra në tërësi Ali Pashë Tepelena kishte nevojë që aty të ishte një vend i sigurt, për gruan e tij të dashur apo për arin e tij? Ende deri sot nuk është zbuluar asgjë edhe pse të thënat janë të shumta.
Një vend tjetër ku mendohet se mund të jetë fshehur thesari në vendin tonë është gadishulli i Karaburunit, e posaçërisht në Shpellën e famshme të Piratëve. Kjo shpellë fsheh misterin e saj sepse është e përbërë nga disa zgavra të vogla të cilat thuhen se lidhin dhoma me njëra-tjetrën, por kjo sigurisht që nuk është e konfirmuar sepse nuk ka dalë asnjë i gjallë që të tregojë për to, madje as trupi nuk iu është gjetur. Dyshohet për këtë shpellë pasi që thuhet se Ali Pashai me njerëzit e tij shkonte shpesh aty dhe nuk ka vend më të mirë për të fshehur një thesar të të tilla përmasave. Misteri rrethon jo vetëm thesarin në tërësi, por edhe vendet në të cilat mendohet se ai mund të jetë fshehur… Kërkimet vazhdojnë, deri më tani nuk ka asnjë gjë të re për të…
Ndërsa një tezë e tretë na thotë se thesari i Pashait mund të jetë fshehur në fshatin Vasiliki të Trikales, 350 km në veri të Athinës. Sipas miteve të vjetra që kanë kaluar brez pas brezi për rreth 30 ton ar dhe bizhuteri janë fshehur në këtë fshat nga pashai legjendar.
Thuhet se Ali Pashai ka zgjedhur këtë zonë për të fshehur thesarin e tij për arsye se është vendi i prejardhjes të së dashurës së tij, zonjës Vasiliki, nga e cila ka marrë emrin edhe fshati dhe se nga ky vend kalonin karvanet me taksat e zonës së Thesalisë drejt Janinës. Gjithë thesari thuhet se është vendosur në disa dhoma të veçanta nën tokë. Ali Pashë Tepelena ka qenë sundimtar i fuqishëm feudal në Shqipërinë Jugore, si dhe themelues i Pashallëkut autonom të Janinës. Gjurmues thesarësh janë venë shpesh herë në kërkim të gjurmëve të thesarit të Ali Pashait, por deri më tani ajo çfarë dimë, është se ai ka lënë një thesar të madh por që akoma nuk ka rënë në duart e askujt.
Neritana Kraja