Andi Papastefani ka lindur në Tiranë në vitin 1962. Ai është diplomuar në “Universitetin e Tiranës si arkitekt” si dhe në Institutin e Peizazhit “Arnold Arboretum of Harvard University” .
Emigroi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku në kolegjin arkitekturor të Bostonit ka studiuar “Ruajtja Historike”. Aktualisht Andi Papastefani është pedagog në Universitetin e Tiranës. Për gati katër dekada, ai përdor skicat si një mjet komunikimi, eksplorimi dhe dokumentimi,duke qenë dhe një skicues urban.
Libri i tij i parë me skica erdhi për “Tirana 100 vite kryqytet”, ku skicoi 120 ndërtesa në Tiranë. Si libër u prit mirë dhe u ndje e nevojshme të vazhdohej kjo iniciativë. Këtë vit, Andi publikoi librin me skica për qytetin e Beratit dhe në vijim të këtij cikli është duke punuar me qytetin e Gjirokastrës.
Andi Papastefani, thotë se arkitektura duhet mbrojtur fort dhe se shumë i rëndësishëm si faktor janë vetë të rinjtë. Ata duhet ta mbrojnë dhe dokumentjnë historinë, sepse sipas Andit stafeta e jetës është në dorën e të rinjve.
CMG: Për shumë kohë e keni ndarë jetën mes Shqipërisë dhe Bostonit, aktualisht ku po veproni?
Andi Papastefani: Tre dekadat e fundit unë e kam ndarë jetën mes Shqipërisë dhe Bostonit.
Kam lindur në Tiranë dhe studiuar për arkitekturë. Jam rikthyer tashmë në Shqipëri ku jap edhe mësim e përpiqem që atë pak njohuri që kam t'ua përcjell të rinjve.
CMG: Cilat janë rrënjët tuaja profesionale?
Andi Papastefani: Jam rritur në një familje që është marrë kryesisht me inxhinieri ndërtimi. Babai, Andrea ka qenë një inxhinier ndërtimi i specializuar për ura dhe hekurudha dhe njëkohësisht pedagog edhe gjyshi im po ashtu ka qenë një nga inxhinierët e parë të arsimuar jashtë vendit. Kështu më pas kam vazhduar unë në po të njëjtat rrënjë familjare.
CMG: Kur e keni kuptuar që keni talent?
Andi Papastefani: Unë kam filluar të skicoj që në moshë të vogël. Për epokën tonë të fëmijërisë ka qenë një tjetër stil jetese, kjo pasi lapsi ishte mjet studimi dhe argëtimi. Ne dëshironim ose jo ishim të detyruar që të pikturonim ose ushtronim çdo aktivitet të ketij lloji. Mirëpo, kjo gjë na ndihmoi të zbulojmë talentin.
CMG: A keni lidhje të afërta me Beratin?
Andi Papastefani: Me Beratin nuk kam lidhje të drejtpërdrejta, por periferike.
Për fatin tim e kam vizituar qytetin qëkur kam qenë i vogël dhe kam ruajtur të gjalla kujtimet dhe shijen që më ka lënë si qytet. E kam pasur të gjallë kuriozitetin për qytetin.
CMG: Çfarë është për ju atdhedashuria?
Andi Papastefani: Është një magnet që të tërheq sado larg që të jesh.
CMG: Na rrëfeni me tepër rreth librit tuaj për Beratin?
Andi Papastefani: Libri është një udhëtim në kohë dhe histori, por dhe një udhëtim real në lagjet karakteristike. Në Kala, Goricë, Mangalem etj. Ky udhëtim, është një udhëtim i ilustruar me skica dhe kjo është bërë për ta parë qytetin më simpati.
Kryesisht ky libër, ju dedikohet të rinjve të cilët duhet ta mbrojnë historinë e vendit të tyre, duke e njohur atë fillimisht përmes skicave. Duke qenë një libër në dy gjuhë, shërben edhe si dhuratë.
CMG: Pas librit të Tiranës dhe Beratit, a po mendoni të ndaleni në një tjetër qytet?
Andi Papastefani: Këta janë libra të cilët cilësohen muze dhe duan kohën e tyre për t’u trajtuar. Ndaj, unë tani kam marrë në konsideratë të realizoj qytetin e Gjirokastrës, aty duhet të kaloj kohë e biseda me njerëz që më afrojnë më tepër me qytetin.
CMG: Nga dallon një qytet me një urbanistikë të zhvilluar?
Andi Papastefani: Arkitektura dhe urbanastika janë gjithçka që një vend personifikohet. Nga qindra, mijëra qytete që ka në këtë botë, vetëm pak prej tyre u cilësuan si qyetete me arkitekurë të mirëfilltë.
Ne nuk jemi qytet si Roma apo Bostoni, por kemi qytete si Berati dhe Gjirokastra ku ndërthurret silueta e qytetit, historia dhe mjeshtëria e ndërtuesit anonim, artizanati dhe tradita.
CMG: Si duhet mbrojtur arkitektura?
Andi Papastefani: E para janë rregullatorët e shtetit që po përpiqen ta bëjnë këtë gjë. Elementi i dytë dhe shumë i rëndësishëm, janë vetë të rinjtë. Ata duhet ta mbrojnë dhe dokumentjnë historinë.Stafeta e jetës është në dorën e të rinjve.
CMG: Berati dhe impresionet tuaja për këtë qytet, cilat janë?
Andi Papastefani: Berati është një qytet i lashtë, 2400-vjeçar. I vendosur në një mënyrë të veçantë nga të dyja anët e lumit Osum. Shqipëria ka qytete edhe më të lashtë se Berati, siç është edhe Durrësi, por kombinimi i lashtësisë me peisazhin e veçantë dhe ansamblet ndërtimore janë pikat më të vështira arkitektonike që i ka më së miri Berati.
CMG: Sa e ka mbrojtur qytetin e Beratit titulli, “Muze”?
Andi Papastefani: Shpallja e Beratit, qytet muze gjatë viteve 60’ të shekullit të 20-të ishte faktori kryesor që ne sot e gjejmë këtë qytet të mbrojtur.
Zbulimet arkeologjike, kryesisht gjatë viteve 70’, nxorën në dritë të dhëna të reja.
Futja e Beratit të Unecso në 2008 e ktheu këtë qytet në një qytet internacional. Sot ai tërheq vizitorë, por dhe historinë sepse vet si qytet është enigmatik.
CMG: Si e shihni të ardhmen e këtij qyteti?
Andi Papastefani: Kam kuptuar që vetë fakti se vendasit kanë një sens të fortë origjine, pra ia dinë vlerat Beratit, kjo mjafton për të kuptuar sa i rëndësishëm është si qytet. Unë jam optimist për të ardhmen e këtij qyteti. Fokusi duhet të jetë rinia, nëse edukojmë të rinjtë e kemi fituar qytetin.
CMG: Çfarë kuptimi ka jeta për ju?
Andi Papastefani: Jeta është një ecje e shpejtë në një peizazh të panjohur, ku herë pas here rastisin pamje të bukura.
Intervistoi: Megi Latifi