Su Zhen, një muzikante e famshme kineze, ka përdorur mjeshtërinë e saj të violës, një vegël muzikore perëndimore me tela, për interpretimin e muzikës së bukur tradicionale kineze. Ajo u diplomua nga Akademia Mbretërore e Muzikës dhe shërbeu si zëvendës-viola e parë e përhershme në Orkestrën Filarmonike të BBC-së. Su konsiderohet si një nga violistët më të mirë në Kinë, duke qenë aktive edhe në arenën ndërkombëtare për shumë vite. Pas një pune dyvjeçare, kohët e fundit u publikua në Teatrin Kombëtar në Pekin albumi i saj i fundit.
Su Zhen duke interpretuar në debutimin e albumit të ri./ CGTN
Violistja tregon se çdo pjesë në albumin e saj të ri është e rrënjosur thellë në historinë dhe kulturën kineze. "Viola nuk është aq i përhapur si violina apo piano. Ndaj nuk kemi aq shumë muzikë të famshme kineze për violën," - thotë Su, duke shtuar se "gjatë punës sime të mëparshme, kolegë nga vende të tjera më kërkonin të prezantoja disa melodi kineze. U thoja mirë, por nuk ka shumë. Sepse atëhere këtë ide kisha. Prandaj dëshiroja të punoja së bashku me muzikantë të tjerë për të krijuar muzikë kineze të përshtashme për violën."
Albumi i fundit lindi pikërisht duke pasur këtë ide. Su dhe muzikantët e tjerë përpunuan 10 pjesë të muzikës së famshme folklorike kineze për violën. Disa prej këtyre pjesëve përfaqësojnë momentet kyçe në zhvillimin e vendit, ndërsa disa të tjera janë përpunuar nga këngët folklorike lokale të rajoneve, si ai autonom i Mongolisë së brendshme etj.
"Su Zhen ka njohur në maksimum timbrat e ndryshëm të violës," -thotë Gao Ying, drejtori i Departamentit të Kompozicionit në Konservatorin e Muzikës në Kinë. "Zona alto e violës ka një ton të ngrohtë dhe lirik, meloditë e larta tingëllojnë të ndritshme, ndërsa ato të ulta shprehin një ndjenjë të errët dhe të trishtuar. Mendoj se Su Zhen po krijon një gjuhë të përbashkët përmes kësaj vegle muzikore perëndimore të lashtë dhe elegante për interpretimin e këngëve folklorike të krahinave të ndryshme të Kinës." – shpjegon Gao Ying.
Pas diplomimit më 1990 nga Konservatori Qendror i Muzikës, institucioni muzikor numër një i Kinës, Su u regjistrua në Orkestrën Kombëtare Simfonike si zëvendës-viola e parë, kur ishte vetëm 23 vjeçe. Edhe pse kishte fituar këtë pozicion shumë të rëndësishëm pas një konkurrence të ashpër, ajo nuk qëndroi gjatë në zonën e saj të rehatisë dhe shkoi në Londër për të studiuar në Akademinë Mbretërore të Muzikës.
Su Zhen duke u ushtruar me violën./ CGTN
Su studioi nën drejtimin e John White, kryetarit të Shoqatës Evropiane të Violës dhe fitoi pothuajse të gjitha çmimet e rëndësishme të këtij instrumenti në Akademinë Mbretërore të Muzikës. Kur u diplomua, ajo u bë i pari violist në historinë 180-vjeçare të Akademisë që fitonte Çmimin prestigjoz të Rektorit. Pas punës disavjeçare si zëvendës-viola e parë e përhershme për Orkestrën Filarmonike të BBC-së, Su u kthye në Kinë. Aktualisht ajo punon si pedagoge në Konservatorin Qendror të Muzikës, duke u bërë Profesoresha më e re me kohë të plotë e këtij instituti. Metodat e saj të mësimdhënies konsiderohen si shumë progresive nga studentët.
Su Zhen duke mësuar studentët.
"Znj. Su më thotë shpesh se luajtja e violës i ngjan vizatimit dhe se ka disa pika të përbashkëta mes tyre," - tregon Liang Yangyang, një studente. "Kur është në klasë, ajo i përshkruan shpesh pamjet e muzikës me fjalë dhe më kërkon t'i vizatoj ato pas mësimit. Në këtë mënyrë, mund të kuptoj më mirë atë që kompozitori dëshiron të shprehë, duke e bërë më të lehtë interpretimin për mua." Vetë Su thotë se "në të ardhmen, do të përpiqem me të gjitha forcat që të punoj më shumë për promovimin e muzikës kineze dhe muzikantët kinezë, ashtu sikurse bëra përgjatë viteve të kaluara." Ajo premton se ky do të jetë motivi përgjatë gjithë jetës së saj artistike.