Për herë të tretë në Suharekë të Kosovës, u organizua në muajin qershor “Karnavali Golgen Eagle” ku morën pjesë artistë nga shumë vende të botës. Një qytet i vogël si Suhareka, por me një festë të madhe shoqëruar me performanca të ndryshme nga artistë ndërkombëtarë, që u hap me një parakalim nga të gjithë artistët. Tashmë ky aktivitet, është kthyer në një traditë në këtë qytet. Në lidhje me këtë aktivitet,.Shaqir Palushi, themelues i Fondacionit "Golden Eagle" dhe pronar i kompanisë "Frutex" ka dhënë intervistën e tij për Grupin Mediatik të Kinës.
Shaqir Palushi Themelues i Fondacionit Golden Eagle dhe pronar i kompanis Frutex
CMG: Përshëndetje! "Karnavali Golden Eagle" u organizua për të tretën herë në Kosovë, në Suharekë. Si ju lindi idea për të sjellë këtë këtë event?
Shaqir Palushi: Idea për të realizuar "Karnevali Golden Eagle" ka ardhur nga dëshira për të krijuar në këto hapësira diçka të veçantë. Si në Kosovë e në Shqipëri ka shumë organizime kulturore- artistike, por ky karneval është shumë i veçantë për nga forma dhe pjesëmarrja e grupeve që përformojnë.
Karnevale Golden Eagle 2022 ne Suhareke (Foto nga youtube)
CMG: Çfarë risie ka patur nga viti i parë, në këtë edicion?
Shaqir Palushi: Aktiviteti i këtij viti ishte shumë i veçantë për faktin se përveç grupeve nga vendi, morën pjesë edhe grupe nga Europa, por erdhën edhe nga Brazili, të cilët i kanë dhënë ngjyrë këtij Karnevali, duke e bërë të jashtëzakonshëm. Ka pasur shumë vizitorë nga Tirana, Shkodra, Kuksi, Shkupi, Tetova etj.
Foto nga Instagrami
CMG: Në "Karnevali Golden Eagle" kanë marrë pjesë grupe artistike nga vende të ndryshme të botës. Si e pritën ata ftesën?
Shaqir Palushi: Të gjitha grupet e pritën mjaft mirë ftesën, gjithashtu mbetën shumë të kënaqur nga pritja e organizatorëve, por edhe nga qytetarët, duke ikur me mbresa nga më të bukurat që kanë patur ndonjëherë. Këto grupe, por edhe të tjera që shpresoj të na përgjigjen përsëri në eventin e rradhës. Ne si federatë kemi aplikuar edhe në federatën e Unionit të qyteteve të karnevaleve, me seli në Luxemburg, dhe presim që deri në fund të vitit të jemi edhe ne anëtarë, në mënyrë që të kemi kontakte edhe më të mëdha, si edhe më shumë grupe nga qytete të ndryshme europiane.
Grupi Arcoiris nga Brazili (Foto nga instagrami)
CMG: Cili është synimi i këtij aktiviteti?
Shaqir Palushi: Qëllimi i këtij aktiviteti është që qytetarët e Suharekës, të cilët ndjekin përherë aktivitete në ndryshme në qytetet e mëdha si Tirana, Prishtinë, Shkupi, etj këtë herë festa të mbetet këtu. Duke e organizuar në Suharekë qytetarë të ndryshëm do të kenë arsye për ta vizituar Suharekën si qytetin e karnevaleve, por edhe si qytetin e njerëzve të mirë e të suksesshëm në sport, në biznes,etj.
CMG: A do të ketë vazhdimësi?
Shaqir Palushi: Ne do të vazhdojmë edhe me aktivitete të tjera. Vitin tjetër do të jetë edicioni i katërt i "Karnevali Golden Eagle" dhe ne synojmë që nga një karneval një ditor, të organizojmë karneval dy ditor me një performancë edhe më të madhe të grupeve artistike, por edhe me pjesëmarrjen e këngëtarëve nga të gjitha hapësirat shqiptare, në mënyrë që ky aktivitet të bëhet edhe më i fuqishëm dhe të vazhdojë të jetë i tillë për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë.
Shoqeria Etnografike Kulturore ORACI nga Slovenia pjese e Karnavali Golden Eagle 2022
CMG: Cilat janë janë planet dhe projektet tuaja në vazhdim?
Shaqir Palushi: Kompania "Frutex" përveç "Karnevali Golden Eagle" ka edhe aktivitete të tjera sociale. Kompania "Frutex" ka krijuar fondacionin humanitar "Golden Eagle" në mbështetje të kategorive dhe komuniteteve të caktuara kudo ku ka shqiptarë. Këtë vit kemi organizuar për herë të parë një event tjetër, një garë për prezantim të ideve për biznes, e cila është transmetuar gjatë këtyre muajve në televizionin, ATV në Prishtinë, ku ka patur pjesëmarrës 250 kandidatë dhe fitues i “Golden Idea” pas një edicioni prej tetë emisionesh, doli një djalë nga Elbasani, Klitjan Shorja me idenë e krijimin e brendit të atleteve .
Ne mbështesim edhe aktivitete të tjera sportive, kulturore, për shumë kohë jemi sponsor të klupit të basketbollit "Golden Eagle Ylli" i cili për dy edicionet e fundit ka qenë kampion në Kosovë. Këto aktivitete nuk do të mungojnë, por do të vazhdojnë, për t}u gjendur pranë të gjithë qytetarëve që kanë nevojë.
Edhe pse karnavalet nuk kanë qenë më parë si një traditë sepse janë festa pagane dhe Kosova është vendi i fundit që e ka rikthyer këtë festë pagane në Europë. Është zgjedhur pikërisht Suhareka, apo qujatur ndryshe Theranda e vjetër, ky vend i vogël për të organizuar një festë kaq të madhe, madje me përmasa ndërkombëtare, për të ftuar sa më shumë vizitorë duke i dhënë një rëndësi të veçantë edhe qyteve të vogla. Organizatorët e kanë zgjedhur Suharekën për të realizuar festën aty, për arsye se Suhareka përveçse është kampion në futboll dhe basketboll, por është njëkohësisht edhe qyteti i pastërtisë dhe i luleve. Tashmë ju shtua edhe një festë si kjo, “Karnevali Golden Eagle”, kaq unike për Kosovën, e cila e meriton që të vizitohet nga shumë qytetarë shqiptarë, por edhe ndërkombëtarë. Ky aktivitet duket se vit pas viti, po zgjerohet edhe më tepër sa i takon organizimit dhe përmasave të saj, duke ardhur përherë edhe më fuqishëm.
Intervistoi: Sava Lena