Në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit e dijetarit të shquar Martin Camaj, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ka organizuar tryezën shkencore me titullin “Martin Camaj në sistemin letrar shqiptar”. Në aktivitetin në fjalë, u sollën fakte, dëshmi, studime, lidhur me jetën, veprën dhe rëndësinë e shkrimtarit Martin Camaj, nga studiues të veprës së tij.
Martin Camaj - Credit Koha.net
Martin Camaj lindi në fshatin Temal të Dugagjinit në 1925, pranë alpeve shqiptare dhe mbylli sytë në Langgries të Gjermanisë në moshën vetëm 67vjeçare. Jeta e tij deri tani pak e njohur, po zbulohet ngadalë dhe po hapen drita të reja. Ai është një shkrimtar me rëndësi si për letërsinë shqipe ashtu edhe për shkencën shqiptare. Mori arsimin klasik në kolegjin jezuit saverian në Shkodër dhe studioi në Universitetin e Beogradit. Prej aty vazhdoi studimet pasuniversitare në Itali, ku dha mësim shqip dhe mbaroi studimet për gjuhësi në Universitetin e Romës në vitin 1960. Nga viti 1970 deri në vitin 1990 ai shërbeu si profesor i studimeve shqiptare në Universitetin e Mynihut. Veprimtaria e tij letrare në një periudhë dyzet e pesë vjeçare mbulon disa faza zhvillimi. Martin Camaj e nisi krijimtarinë me dy vëllime me poezi shkruar si rapsod i veriut, por me gegërishten e Elbasanit. Gjatë jetës së tij shkroi shumë poezi e romane, duke u kthyer në themeluesin e një gegërishteje mbidialektore, as e Shkodrës dhe as e Kosovës, por që mund të lexohej lehtësisht edhe me të folmen jugore. Në fillimet e krijimtarisë pati ndikimin e profesorit të tij, futuristit Giuseppe Ungaretti si dhe të poetit italian Eugenio Montale.
Ndonëse e filloi me poezinë, të cilës i qëndroi besnik gjatë gjithë jetës,në vitet e mëvonshme iu përkushtua gjithnjë e më shumë prozës. Vëllimet e tij të para të vargjeve klasike “Nji fyell ndër male”, Prishtinë, 1953 dhe “Kënga e vërrinit”, Prishtinë 1954, u frymëzuan nga malet e tij të lindjes veriore të Shqipërisë, për të cilat ai nuk humbi kurrë lidhjen e tij, pavarësisht viteve të gjata të mërgimit dhe pamundësisë së kthimit. Këta u pasuan nga “Djella”, Romë 1958, një roman i ndërthurur me vargje për dashurinë e një mësuesi për një vajzë të re. Pas tyre erdhën përmbledhjet me vargje “Legjenda”, Romë 1964 dhe “ Lirika mes dy motive”, Mynih 1967.
Martin Camaj gjate punes - Credit Fjala shqip
Në aktivitetin e zhvilluar në nder të këtij shkrimtari të madh, akademik Shaban Sinani mbajti fjalën përshëndetëse. Ai u shpreh se në figurën e Camajt, janë shartuar në harmoni të plotë tiparet më të vyera të malësorit shqiptar dhe intelektualit europeist. Atdheu i munguar ishte fati i zgjedhur e njëherësh edhe fataliteti i jetës së tij. Edhe në letrat e fundme ai e përmendi pengun që krijimtaria e hershme e tij, erdhi vonë tek lexuesi shqiptar por edhe tek ai kosovar.
Martin Camaj bën pjesë tek të paktët shkrimtarë shkencëtarë të letërsisë shqipe dhe qëndron në krye të krijuesve, që i zgjodhi me vetëdije parimet e veta estetike dhe nuk shkoi rastësisht tek ato zgjedhje. Gjithë jeta e tij shkoi në kërkim të rrënjëve të të parëve. Për këtë arsye, sipas akademik Sinanit, gjithë letërsia e Camajt është e mbushur me njerëz tradicionalë dhe studiuesit kanë material të bollshëm për t’u marrë gjatë me të. Kontakti me kulturat e ndryshme perëndimore, njohja e poezisë moderne të poetëve më të njohur botërorë, pasi Camaj ishte njohës i shumë gjuhëve të huaja, ndikuan në formimin e tij kulturor, ndërsa vepra e tij, qoftë në prozë apo në poezi mbështetet tërësisht në gjuhën shqipe dhe si përmbajtje i ka rrënjët në kulturën shqiptare, sidomos në mitin e trashëguar.
Studiuesi Shaban Sinani gjate ffjales se mbajtur ne takim - Credit Akademia e Shkiencave
Në të njëjtën kohë Camaj është edhe një ndër albanologët më të shquar, kryesisht me punimet e tij mbi gjuhën shqipe, historinë dhe të sotmen e saj. Ndër studimet kryesore mund të përmenden: Meshari i Gjon Buzukut, Romë 1960; Tekst mësimor i gjuhës shqipe, Wiesbaden 1969; E folmja shqipe në provincën e Avelinos, Firence 1971; Gramatika shqipe, Wiesbaden 1984; si dhe antologjinë Këngë shqiptare, Düsseldorf 1974.
Ndonëse ai jetoi larg lexuesit të tij natyral dhe i munguan efektet e recepsionit, prapëseprapë letërsia e Camajt e përmban mjaft të gjallë bashkëbisedimin me lexuesin e tij shqiptar. Siç është shprehur edhe vetë, ai ka qenë i dashuruar me gjuhën shqipe dhe i shfrytëzoi në maksimum mundësitë e saj shprehëse.
Martin Camaj, vdiq pa shkelur më në atdheun e tij, nuk la fëmijë, por la pas një vepër të pasur dhe me shumë vlerë për kulturën dhe letërsinë shqiptare. Trupi i tij tretet në tokën njerkë të Gjermanisë jugore dhe sipër kokës së vorrit të tij rëndon një shkëmb i verdhë, sjellë prej viseve ku kishte jetuar brez mbas brezi familja e Camajve në Temal, në bregun e djathtë të Drinit, këtij lumi që i rri Shqipërisë dhe Shqiptarisë si nji shtyllë kurrizore prej uji./ Neritana Kraja