Filmi “Pengu”, me titullin original “Hostage”, një prodhim i vitit 2004 nga regjisori grek Constantinos Giannaris, ishte një film shumë i diskutuar, që kur u shfaq për herë të parë në orën 12.30 të natës, në kinemanë “Tonia Marketaki”, më 27 nëntor të vitit 2004 në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik. Ngjarja fokusohej në një ngjarje reale dhe në qendër është një i ri shqiptar. Reagimet pas filmit ishin të shumta, pasi edhe impakti pas ngjarjes së vërtetë që frymëzoi këtë film, ishte i jashtëzakonshëm.

Kjo ngjarje, në fakt, ndodhi në vitin 1999 dhe tronditi mbarë opinion grek dhe shqiptar. Filmi “Pengu” nis me zërin e njohur për ne shqiptarët, zërin e aktores Rajmonda Bulku, tek i shkruan të birit, Elion Sena, emigrant në Greqi, këto rradhë: “Në vendin tënd mishin mund të ta hanë, por kockën ta ruajnë. Por në vend të huaj ta hanë edhe mishin edhe kockën”. I riu zgjohet një mëngjes me këto fjalë. E djeg letrën dhe niset. Pak kohë pasi ka marrë autobusin, nxjerr nga çanta e madhe e emigrantit kallashnikovin dhe e merr peng automjetin me shtatë pasagjerë.

Historia e personazhit është historia e vërtetë e një 24-vjeçari të pafat, që kishte punuar me vite në Greqi, por që grekët i kanë grisur dokumentet bankare dhe e kanë poshtëruar, ndaj ai vendos të hakmerret. Ngjarja transmetohet drejtpërdrejt në televizionin kombëtar. Gjatë një pjese të mirë të udhëtimit, autobuzi ku ai udhëton është i rrethuar nga një kolonë mediash, të afërm të dëshpëruar, kalimtarë dhe makina policie. Autobusi kalon në Shqipëri dhe një komb i tërë mban frymën.

Për ne shqiptarët kjo është historia e njohur e Flamur Pislit, i cili në maj 1999 bëri këtë akt dhe gjeti vdekjen në Qafë-Krrabë, i vrarë pas aksionit policor shqiptaro-grek.

E gjithë kjo histori dramatike bashkë me fatin e shqiptarit, pasqyrohet në filmin “Pengu”. Kjo ngjarje e rëndë tronditi tërë opinionin e ndër to edhe regjisorin e filmit, Constantinos Giannaris.

“Pengu” është një film dramatik aksioni. Subjekti i tij mbart problematikë, tension, debat. Pas këtij filmi, kemi një histori të vërtetë, dramatike dhe tragjike në fund. Një histori emigrantësh, diskriminimi, racizmi dhe shfrytëzimi. Eshtë historia e vërtetë e emigrantit Flamur Pisli, i deklaruari me emrin grek Aleksandër Nana, i cili referuar kronikave të kohës, me një granatë me siguresë të hequr mbajti peng një autobus grek me tetë pasagjerë, që nga mëngjesi i 28 majit 1999.

Shqiptari 24-vjeçar ndaloi autobusin që bënte linjën e rregullt mes Selanikut dhe Igumenicës në Greqinë veriore. Policia greke vihet në alarm duke e shoqëruar në mënyrë të hapur autobusin gjatë gjithë rrugës, media greke po ashtu. Një celular ka bërë të mundur edhe fillimin e bisedimeve mes palëve. Filloi lirimi i pengjeve të para, shumica gra dhe burra në moshë. Shqiptari ka kërkuar si shpërblim 50 milionë dhrahmi, shkaku, sipas tij, ishte keqtrajtimi që i kishte bërë policia greke. Ndërkohë nga policia shqiptare u morën “masa ekstreme sigurie”. Më 29 nëntor kjo histori përfundoi me disa breshëri automatiku në aksin Elbasan-Tiranë, në rrugën e Qafë Krrabës, në vendin e quajtur Fikas. Flamur Pisli u vra me një plumb në gojë pa arritur të tregojë edhe një herë atë që kishte thënë para gazetarëve grekë: “Policia greke më ka nxirë jetën.”

Ky djalë dëshironte në fakt të jetonte ndershmërisht, si një burrë dhe të vdiste si një burrë. Drama e tij ishte e thellë, si drama e sa e sa shqiptarëve të tjerë të atyre viteve. Vëndi i tij i ri e përzuri dhunshëm, kurse vëndi i tij i vjetër nuk i jepte strehim. I mbetur në këtë udhëkryq zë fill historia dramatike e tij. “Me të nisur filmi, thotë regjisori, fillimisht, spektatori e urren atë si personazh, sepse ai nxjerr në pah të gjitha komplekset dhe frikën e grekërve ndaj shqiptarëve. Por kur publiku kupton shkaqet që e shtynë gjer këtu, fillon ta simpatizojë”.

Nëse doni të dini mbi raportet mes së vërtetës së ndodhur dhe asaj që u paraqit në ekran, do i referohemi përsëri regjisorit, i cili pohon se në ekran nuk është shfaqur e vërteta e saktë, por vetëm thelbi i ngjarjes.

“Megjithatë, shton ai, kur ndiqja i emocionuar lajmet rreth ngjarjes, nga ato që thoshte shqiptari kuptova se ai nuk ishte, as idiot dhe as kriminel, por një i ri tej mase naiv, mbase dhe budalla, por me një koncept të qëndrueshëm rreth së drejtës. E kuptova menjëherë, se diçka shumë të keqe i kishin bërë. Kur vendosa të bëja film ngjarjen e tij, shumë miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë këmbëngulën që të mos e bëja”. Grekët fillimisht u treguan mospajtues me filmin,

Lidhur me këtë film, është pranuar zyrtarisht nga Qendra Kinematografike greke se filmi “Pengu” është filmi më i kushtueshëm dhe më i propaganduari grek i dhjetëvjeçarëve të fundit.

Regjisori i filmit Constantinos Giannaris ka ditur të ruajë një balancë mes të vërtetës së kësaj historie, duke mos ia mbajtur anën askujt. Ai konsiderohet si përfaqësues i brezit të krijuesve të 90-tës, që shpreh shqetësimet e tij dhe ndjen gjer në palcë psherëtimat shpirtdhënëse të një shoqërie në kalbëzim.

Filmat e tij zakonisht fokusojnë ngjarje reale të një shoqërie të mbarsur me racizëm dhe urrejtje.

Filmi “ Pengu”, në të cilin janë angazhuar edhe aktorët shqiptarë, Rajmonda Bulku dhe Ndriçim Xhepa, është një reflektim i shoqërisë. Eshtë një film, që vetë regjisori guxon ta quajë si “film politik”, duke hapur një debat të fortë publik, në realitetet e dy vendeve fqinje.

Neritana Kraja