Qendra e Librit dhe leximit shpalli 3 fituesit me tri dorëshkrime në prozë.
Flogerta Krypi, Xhoana Jaku dhe Behar Jacaj janë tre fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare të çelur nga Qendra e Librit. Flogerta Krypit iu dha çmimi për romanin “28 rrahje zemre matematikore”, për konceptim strukturor modern të rrëfimit, të shprehur me ndjeshmëri të lartë artistike dhe ligjërim të pasur figurativ.
Ndërsa Xhoana Jakut, për romanin e zhanrit fantashkencë “Dritëhijet, fatet”, me një fantazi të çlirët dhe rrëfim shumështresor, të shprehura përmes një zhanri pak të lëvruar në letërsinë tone Dorëshkrimi “Hoteli përbri kishës dhe disa tregime të errëta”, i shkrimtarit të ri Behar Jacaj, është vlerësuar si më i miri nga juria e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Në listën e bërë publike nga ky institucion, Jacaj renditet i pari nga 17 aplikime duke përfituar nga Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj. Psikologu Jacaj çmohet nga juria me motivacionin: "Behar Jacajt, për librin me tregime “Hoteli përbri kishës dhe disa tregime të errëta”, duke dalluar mes prozatorëve të rinj bashkëkohorë, për befasinë e situatave rrëfimtare të shprehura me ligjërim artistik mbresëlënës", thuhet në motivacionin e jurisë. Behar Jacaj në profesion psikolog por me një pasion të madh për shkrimin flet për Radio Ejani për impresionet e këtij vlerësimi.
CMG: Si ndiheni që keni marrë këtë vlerësim për librin tuaj?
Behar Jacaj: Si një i ri unë ndihem së pari i motivuar. Vetë fakti që çmimi erdhi si një përzgjedhje nga 17-të vepra e bën edhe më të rëndësishëm për mua sepse një pjesë e emrave në listë ishin emra dinjitozë e nuk do të ishte aspak problem për mua edhe nëse do ta fitonin. Ka një lloj skepticizmi për veprën fituese përherë, një pjesë do ta blejnë dhe lexojnë që t’i vërtetojnë jurisë se ishin gabim dhe një pjesë tjetër sepse duan ta shijojnë. Çdo njeri ka shijet e veta si lexues dhe jo të gjithë do të munden që ta gjejnë veten, por ky lloj "zhgënjimi" është i pritshëm nga ana logjike dhe estetike. Unë i jam falenderues qendrës dhe shtëpisë botuese "Albas" për besimin e treguar.
CMG: Cili ka qënë momenti i parë që keni shkruar?
Behar Jacaj: Fillimet e mia në fushën e shkrimit janë tepër të hershme. Unë kam filluar qysh në shkollën 9-vjeçare dhe poezia me të cilën e nisa ishte tepër naive.
Pata fituar asokohe një konkurs brenda shkollës dhe poezia i dedikohej Shqipërisë.
Gjithçka që është shkruar në moshë të hershme nga unë kanë qenë dhe vijojnë të jenë procese që kanë ardhur paralel me ngritjen time artistike.
CMG: Kush ka qenë njeriu i parë që i lexonte ato dhe ti i besoje kritikën?
Behar Jacaj: Ka qene dhe vijon të jetë partnerja ime e jetës. Asaj i besoj çdo shkrim qe unë publikoj apo dua të publikoj, sepse ka një sy të mirë kritik.
Ajo ka parë tek unë një pjesë që unë nuk kam arritur ta shoh tek vetja ime.
Absolutisht më pas kam miq e shokë, të cilët i lexojnë dhe i kritikojnë qoftë edhe pozitivisht ose jo.
CMG: Sa vendimtare ka qenë fëmijëria për ju për të qenë ky që jeni sot?
Behar Jacaj: Fëmijëria është shumë përcaktuese dhe ne shkrimtaret nuk bëjmë asgjë më shumë se sa sjellim në kujtesën artistike të të shkruarit episode që tek ne kane lënë gjurmë, që i kanë rezistuar kohës.
Sigmund Freud thotë se :" Shkrimtarët janë fëmijë të parritur".
Ernest Hemingway gjithashtu thoshte se “përcaktues i një shkrimtari të mirë është një fëmijëri e vështirë".
CMG: Cili është një rrëfim juaj jetësor që e nxirrni sot nga kutia në të cilën e mbroni për të mos humbur?
Behar Jacaj: Kujtoj vitin e trazuar të ‘97 ku vendi pësoi rrëmujën e madhe.
Në ato vite përkonte të isha vetëm 6-vjeç, por gjithçka e kujtoj më së miri.
Tek shtëpia e fëmijërisë ku unë jetoja kisha shumë pranë repartin ushtarak dhe edhe pse isha i vogël kujtimet i kam të vizatuara mirë të asaj turme të çmendur, e cila vraponte në katet e asaj ndërtesë të errët.
Atëherë mund të ngjante edhe si shfaqje interesante për moshën time, por sot them si ka mundësi që ka ndodhur dhe vetëm fakti a nuk kam shkruar diçka ende tregon që kam shumë gjëra që dua t’i analizoj dhe trajtoj për atë që ka ndodhur.
Në një të ardhme absolutisht që do shkruaj diçka të kësaj natyre sepse ka lënë gjurmë tek unë.
CMG: A mund të kemi disa detaje të pathëna rreth librit "Hoteli përbri kishës"?
Behar Jacaj: Unë si natyrë jam kërkues dhe me dilema herë pas here, ndaj jam në diskutim me veten që titulli meqë ka ngjallur shumë pikëpyetje të shohim mundësinë për t'ia ndryshuar këtë titull.
Sigurisht po i referohem në këtë titull që ka fituar çmimin për të folur mbi të, ka 23 tregime e ku pjesa më e madhe është e shkruar në veten e parë.
Aty ka edhe disa tregime të errëta, sepse mundohen të hedhin dritë në psikikën e përditshme të njeriut. Përpjekja e këtyre tregimeve nuk është të gjykojë apo moralizojë, por ta bëjë lexuesin të mendojë.
Fakti që tregimet janë në vetën e parë nuk jane pa shkak, por të sjellin një lloj empatie lexuesit, po kështu edhe për të nxitur atë që të mendojë më tepër rreth procesit "Përmirësim Vetes".
Nuk është një libër psikologjik. Baza është e tillë, por jo. Do ta krahasoja me miellin e grurit që me të ti sigurisht bën një bukë, por edhe tortë e gjera të tjera.
Nuk do doja që lexuesit të nisen për të lexuar një libër psikologjik.
Jeta, vdekja apo liria janë çështje ekzistencialiste ndaj këtë kam pasur si qëllim të sjell në fokus. Të gjithë perzonazhet i bashkojne këto raporte që kanë çdo ditë.
CMG: Mes autorit që lexohet në heshtje dhe atij që bën zhurmë, cilin zgjedh?
Behar Jacaj: Letërsia është intime dhe unë zgjedh të dytën si përgjigje.
Leximi gjithashtu është proces vetjak dhe nuk ka të bëjë shumë me klube të mëdha apo aktivtitet masive, sipas opinionin tim. Lexuesi shkon tek libri dhe jo libri tek lexuesi. Sado zhurmë të bëj një autor libri ka rrugën e tij të gjatë apo të shkurter. Libri mund të jetojë sa unë ose pasi unë të mos i përkas kësaj bote janë këto dy fate të ndryshme. Kur bëhet zhurmë autori humbet një pjesë të madhe të lexuesve sepse fillon edhe konsumimi.
CMG: Ju do të shkruani vetëm tregime apo do të lëvroni dhe rryma të tjera?
Behar Jacaj :Jo, unë kam shkruar dhe të shkruaj edhe rryma të tjera. Poezia ime është vlerësuar në shumë festivale poezish edhe pse mendoj që është shumë e vështirë të shkruash poezi, sepse është një esencë që shumë pak i jep drejtimin e duhur.
Një nga poezite që do të veçoja është “Një buqetë me ferra”. Ja një fragment i saj:
Shkretimi vjen ngadalë.
O Zot ngadalë.
Si hijet në muzg!
Si udhëtar I mjerë,
mik I paftuar,
që sa herë troket tek dera,
Sjell me vete një buqetë me ferra.
CMG: Cilët janë autorët që ju kane lënë më tepër impakt ?
Behar Jacaj: Më shume se me autorët, unë jam lidhur me librat. Në vite të ndryshme mendoj që kam pasur shije leximi të ndryshme. Në vitet e adoleshencës kam pasur të preferuar autorët shqiptarë e më vonë kam kuptuar që kjo ishte një gjë e mirë sepse në këtë formë kam pasuruar gjuhën time. Fatos Kongoli, Dritëro Agolli, Ismail Kadare etj kanë qenë autorët e mi të preferuar. Në po të njëjtën kohë kam lexuar shumë Erih Maria Remark aq sa të gjithë që më njihnin e dinin këtë gjë. Përtej të gjithave mendoj që ai është një autor brilant.
Më vonë sigurisht më kane befasuar shumë Dino Buzzati, që realisht është një nga autorët që nuk merr meritat e duhura. Më habit që mund të jesh tepër alien e njëkohësisht emotiv si ai. Këtë befasi ma ofron Buzzati.
CMG: Tre libra që do doje t’i lexonte lexuesi i kësaj interviste?
Behar Jacaj: Unë e kam pak të vështirë të jap këshilla të tilla, duke qenë që sikur ju thashë mendoj që leximi është proces intim.
Ju sugjeroj që të shkojnë në bibliotekën me të afërt apo librari dhe të lexojnë faqen e parë të një libri. Nëse i tërheq është për ta!
Një libër i mirë varet nga lexuesi dhe gjendja e tij emocionale, varet momenti kur po e lexon dhe si ndihesh.
Mendoj që sugjerimi ndonjëherë nuk të pëlqen dhe thua pse ma sugjeroi kot.
Sidoqoftë do nisem nga shijet e mia do them tre libra
“Shkretëtira e Tartarëve” nga Dino Buzzati; “Njëqind vjet vetmi” nga Gabriel García Márquez, ndoshta jo për verën, por kur e lexon nuk zhgënjehesh dhe
“Me syrin e i një klouni” nga Heinrich Böl , përkthyer perfekt nga Ardian Klosi
CMG: Cila është mania juaj si shkrimtar?
Behar Jacaj: Mania ime është të nis blloqe të reja. Në sirtarin tim ka përherë blloqe të reja, të rinisura. I lë në gjysmë dhe nis një të ri.
Dua ta zhbëj këtë mani, por së fundmi ka filluar të më pëlqejë.
Intervistoi:Megi Latifi