Marrja e vendimeve të rëndësishme në jetë është gjithmonë një proces i vështirë. Maturantët, janë të rinjtë që sapo kanë filluar të njohin veten, proces ky që zgjat gjithë jetën. Ata kanë njohuri të kufizuara të profileve të studimit në raport me tregun e punës, por dhe aftësive personale që atyre mund t’i garantojë suksesin. Përballë gjithë të panjohurave që pyetjet janë të shumta, madje dhe gjendja emocionale apo psikologjike shpesh ngarkohet me stres apo ankth, prandaj këshillimi do të ishte shumë i vlefshëm, gjë që do i ndihmojë studentët që në të ardhmen të kenë një performancë të sukseshme jo vetëm në universitet, por edhe në tregun e punës. Dy maturantë shprehin mendimet e tyre për Radio Ejani.
“Matura shtetërore për mua është një nga sfidat më të mëdha dhe më të vështira që kam bërë deri më sot. Matura shtetërore nuk është një koncept i thjeshtë, apo një provimi në fund të gjimnazit, por është më shumë sepse në të tilla raste provimet e maturës dhe matura shtetërore janë një proces që vendosin për të ardhmen tonë, për profesionin që do të kemi, por gjithashtu edhe për vendin që ne do të kemi në shoqëri. Gjëja e parë që një maturant përballet, është zgjedhja e lëndës me zgjedhje kjo është një procedurë që zgjidhet në formularin A1 që zhvillohet në disa periudha të caktuara të vitit. Çdo lëndë ka avantazhet e veta në degë të ndryshme, që mund të studiosh në universitet dhe thënë më ndryshe, është hapi i parë që ne bëjmë në degën që zgjedhim të studiojmë. Zgjedhjet janë të diktuara nga rrethana të ndryshme si, shoqëria, familja, gjithashtu zgjedhjet tona janë të diktuara edhe nga tregu i punës. Unë mendoj se çdo i ri ka mundësinë për të zgjedhur dhe mos ndikohet nga faktorët shoqërorë, por të shohë atë që sheh ai të aftë, sepse mendoj se është më mirë të jesh i aftë në fushën që do të studiosh, se sa të jesh i pëlqyer nga të tjerët në fushën ku do të studiosh, sepse në fund të studimeve do jemi ne në punë dhe aty punën time nuk do e bëjë dikush tjetër, jemi ne ata që duhet t'arrijmë kësaj. Prandaj mendoj se matura shtetërore nuk është një proces për t’u diktuar nga të tjerët, por është një proces për të menduar dhe për t’u kthjelluar në atë çka ne jemi dhe në atë çfarë mund të bëhemi”, u shpreh maturanti
Ndërsa një vajzë maturante plot emocion na jep opinionin e saj
“Si një maturante mendoj se matura është një nga periudhat më të vështira, por edhe më vendimtare për të ardhmen e brezit të ri. Ka stres, ankth, por pa përjashtuar edhe momentet e bukura që përjetojmë në shkollë dhe në familje. Sigurisht që prania e miqve dhe e familjarëve tanë është një mbështetje e madhe pasi na japin forcën dhe kurajon për të ecur përpara. Megjithatë vendin kryesor e zënë provimet e maturës për të cilat jemi përgatitur, por edhe vazhdojmë të përgatitemi çdo ditë. Presioni i tyre ka ndikuar jo vetëm në gjendjen emocionale, por edhe rutinën e jetës sonë të përditshme. Ndaj mesazhi që dua të përcjell sot është shumë i thjeshtë. I uroj të gjithë maturantëve suksese në rrugën e dijes dhe shpresoj që të ngjiten sa më lart në shkallët e karrierës që ata dëshirojnë”, thotë ajo
Në lidhje me maturën shtetërore flet dhe mësuesja Gilberta Simoni
CMG: A janë të vendosur maturantët se çfarë drejtimi do marrin në jetë?
Gilberta Simoni: Matura shtetërore përfundon një cikël të nxënësve që lidhet me fëmijërinë dhe adoleshencën. Tani nxënësit mbushin 18 vjeç dhe quhen moshë madhore, prandaj vendimet për të ardhmen, qofshin për degën që duhet të zgjedhin në Universitet, seriozitetin që do tregojnë për provimet e maturës shtetërore, qetësia që duhet për të përballuar stresin që të shkaktojnë provimet, duhen trajtuar me maturinë e një të rrituri.
Është herët për ata që të kenë këtë pjekuri, e cila kërkohet në këtë rast, ndaj për të ndihmuar që të kuptojnë më mirë se çfarë kërkojnë, çfarë profesioni janë të aftë, cilat janë kërkesat e tregut të punës, ndihmojnë mësuesit dhe familja.
CMG: Ju si mesuese keni pasur raste kur keni diskutuar me ta në lidhje me zgjedhet e tyre?
Gilberta Simoni: Ne flasim shpeshherë në klasë për dilemat që kanë për degën që do ndjekin. Një nxënësja ime e ka pasion psikologjinë, por është e frikësuar se nuk do të ketë një vend pune. Unë e inkurajova që ta zgjedhë si degë sepse tregu i punës ka nevojë dhe ka hapësirë për psikologë, sepse shoqëria jonë e ka kuptuar tashmë rëndësinë e tyre. Por degët më të preferuara janë mjekësia, ekonomia, inxhinieria, juridiku, marketingu etj. Ajo që bie shumë në sy është se pak nxënës zgjedhin mësuesinë, ndaj këtu duket dhe emancipimi i shoqërisë sonë. Kur shikon se çfarë zgjedhin nxënësit me mesatare të lartë, nuk e zgjedhin lëndën e mësuesisë, se duan të bëhen doktorë, por edukimi fillon me mësuesit që në klasë të parë dhe një mësues i përgatitur, të ndryshon jetën. Kjo gjë nuk po ndodh këtu tek ne, mesatarja për t’u pranuar një mësues është 7.5.
CMG: A janë vetë ata që marrin vendimin, apo janë të nxitur nga familja, shoqëria, mësuesi, etj?
Gilberta Simoni: Unë e di që e kanë pasion mësuesinë, por zgjedhin degën që edhe familja e pëlqen e që ju siguron një të ardhme më të mirë e më të sigurtë. Familja luan rolin kryesor në zgjedhjen e degëve, por përpara se të shkojnë në Universitet ata përballen me stresin e provimeve. Provimi që ju shkakton më shumë ankth është Gjuha Shqipe dhe Letërsia. Alternativat e përgjigjeve të pyetjeve janë të ngjashme e të paqarta dhe i ngatërrojnë.
"Më mirë shtatë beteja, se një provim" ka thënë Napoleoni. Por jam e sigurtë se me përgatitjen e duhur edhe jashtë programit mësimor, do ja dalin. Ështe e vështirë të rritesh, por është një eksperiencë e bukur. Suksese nxënësve të mi dhe maturantëve në këtë maturë!
33 mijë maturantë kanë nisur më datë 9 qershor provimin e parë të gjuhës së huaj. Ata po i nënshtrohen procesit më të rëndësishëm për mbylljen e shkollës së mesme dhe hyrjes në universitete. Ministria e Arsimit ka rikthyer mësuesit në rolin e hartuesve të tezës për të siguruar që pyetjet e provimit të jenë brenda programit mësimor.
Pas testit të parë të maturës shtetërore, më 11 qershor u mbajt provimi i gjuhës shqipe, në datë 17 provimi i matematikës dhe në 24 qershor do të jetë provimi me zgjedhje. Sipas udhëzimit të maturës, provimet nisin në orën 10:00 të mëngjesit dhe zgjasin 2 orë e gjysmë, testet janë të shkallëzuara sipas niveleve të nxënësve.
Radio Ejani u uron suksese të gjithë maturantëve!
Sava Lena