Kënga “Telefonatë zemrash” është një nga ato këngët e bukura, që dëgjohet edhe prej fëmijëve, edhe prej prindërve, edhe prej gjyshërve të tyre.
E kënduar në Festivaline 33 –të të këngës në Radio Televizion, ajo kapërceu kufinjtë e një kënge për të rritur, duke u shndërruar në këngën e të gjithë familjes.
Jemi në vitin 1994. Kompozitori i saj, Françesk Radi, një ndër kompozitorët e talentuar dhe plot origjinalitet, i kthyer të punojë në Radio Tirana, fillimisht pranë Orkestrës së saj, e më pas në radaksinë e muzikës, i frymëzuar nga ngjarjet e kohës, hodhi notat mbi pentagram për këngën “Telefontë zemrash.
Jemi në vitet kur shumë familje shqiptarësh janë ndarë për shkak të emigracionit, një fenomen i spikatur i Shqipërisë së pas viteve ’90-të. Tekstin e këngës e shkroi Xhevdet Reshaj. Kënga flet për lidhjen mes vajzës dhe babait të saj, një marrëdhënie gjithmonë shumë e dashur për çdo fëmijë. Vajza ka ditëlindjen, por babai i saj ndodhet larg. Një telefonatë mes tyre, është dhurata më e bukur për ditëlindje, ndërkohë që malli për të dy palët është aq i madh, sa shndërrohet, nga telefonatë fjalësh, në telefonatë zemrash. Orkestrimi i këngës u bë nga Edison Miso, ndërsa për ta kënduar e këndoi Françesk Radi me vajzën e vogël të asaj kohe, Mariza Ikonomi.
Sot Mariza Ikonomi, është një këngëtare e njohur në vend, por që prej vitesh ka ndërtuar një karrierë të saj artistike edhe jashtë, ndërsa Françesk Radi, këngëtari dhe kantautori që i ka dhuruar këngë kaq të bukura muzikës shqiptare, fatkeqësisht nuk jeton më, por se kënga e tyre, jeton me fisnikërinë dhe mesazhin e fortë që përcjell.
Vitet kanë ecur, por Mariza e kujton si të paharruar momentin kur ajo u bë pjesë e kësaj kënge, duke u kthyer në vajzën më të dashur të muzikës dhe ekranit shqiptar të atyre viteve, pikërisht për shkak të këngës që këndoi në skenë me Francesk Radin.
Mariza Ikonomi kujton momentin kur Françesk Radi kishte shkuar në Pallatin e Pionierit për të zgjedhur një vajzë që do t’i jepte këngën për ta kënduar bashkë në skenë. Mariza asaj kohe ishte një vajzë e vogël vetëm 10 vjeç dhe pasi janë provuar zërat e shumë fëmijëve të Pallatit të Pionierëve, pasi të gjithë fëmijët po provonin ethet e sprovës, u zgjodhën dy prej tyre. “Ishte nje kompeticion i bukur. Dëshiroja shumë që të isha unë. Madje, kam bërë edhe lutje natën që të më zgjidhte mua…, tregon Mariza me emocion.
Momenti i daljes së tyre në skenë, emocionet e një këngëtari që guxonte të sillte një këngë kaq aktuale për kohën dhe kaq të ndjeshme për shqiptarët, duartrokitjet e nxehta që shoqëruan këngën, ilariteti i plotë në sallë, Mariza e vogël, e brishtë që këndonte e sigurtë përkrah këngëtarit të sprovuar me skenën, lotët që përcollën familjet që vuanin të njëjtën largesë të familjarëve të tyre, të gjitha këto kanë ngelur si pjesë e një historiku të një kënge, që lindi para një festivali, por që nuk i përket thjesht atij: i përket fondit më të mirë të muzikës së lehtë shqiptare dhe një krijuesi kaq origjinal, siç është Françesk Radi.
Ai moment do të ishte më i lumturi për të edhe për shumë vite që do të vinin, sepse “Telefonatë zemrash” u kthye në kolonën zanore të të gjitha familjeve, ndërsa për Marizën u kthye në këngën e jetës: “Më ka lënë kujtimin më të bukur të jetës sime. Jam shumë e lumtur që kam kënduar dhe që e kam njohur…”, shprehet ajo.”
Ndonëse kanë kaluar shumë vite, këngëtarja kujton mirë çdo gjë e madje preket nga disa momente, siç është ai kur dëgjon këngën e saj me Françesk Radin, të titulluar “Telefonatë Zemrash”. Ashtu sikurse preken edhe të gjithë shqiptarët kur dëgjojnë këngën në skenë. Sepse kënga “Telefonatë zemrash”, i përket atyre këngëve që kanë një histori dhe që kanë hyrë në histori. Një histori e bukur për tú rrëfyer dhe po kaq e bukur kënga për tú dëgjuar.
Neritana Kraja