Gabriel Garsia Marquez - Credit Kirkus Reviews
Sot diskutimi shkon tek një shkrimtar i madh, një nobelist i jashtëzakonshëm, tek Gabriel Garsia Marquez dhe libri i tij “Dashuria në kohërat e kolerës”. Sipas jush, ky libër, ku bazohet në?
Përgjigjia e saktë është: Ky roman i jashtëzakonshëm, që i kushtohet dashurisë dhe pasionit, në të vërtetë është historia e dy prindërve të tij.
Përmes faqeve të romanit, ne njohim dy personazhet kryesorë: Fermina Daza dhe Florentino Ariza. Por ajo çfarë ndodh në pjesën e parë të romanit, nuk është as më shumë e as më pak, por një fakt biografik i familjes së shkrimtarit. Faktet biografike dëshmojnë se ashtu si në pjesën e parë të romanit, babai i shkrimtarit, Gabriel Eligio García Martínez, telegrafist, kishte mbajtur kontakte me nënën e ardhshme të shkrimtarit, Luisa Santiaga Márquez Iguarán falë korrespondencës së telegrameve. Kolegët e punës e ndihmuan në fakt atë, kur babai i vajzës e martoi të ëmën e Marquez në një qytet të largët, pa dëshirën e saj. Ata e ndihmuan vajzën që të kthehej dhe të martohej me atë që dashuronte, pra me babain e Marquez. Ndryshe nga romani, kur Fermina martohet me një doktor që nuk e dashuron dhe vetëm pas vdekjes së tij, pasi kanë kaluar 50 vjite, të dashuruarit kthehen në krahët e njëri tjetrit, në të vërtetë, Luisa Santiaga braktis martesën, kthehet dhe martohet në fshehtësi 11 qershor 1926. Nga kjo martesë lindi Gabriel Garsia Marquez. Gjithashtu, babai i shkrimtarit, Gabriel Eligio ishte një violinist amator, si edhe personazhi kryesor në libër, Florentino Ariza që i binte violinës. Kaq shumë detaje që na rrefejnë se ky libër bazohet tek dashuria e dy prindërve të tij. Për shkak të trillit artistik, Marquez, në pjesën e dytë e zhvillon historinë në një rrymë tjetër, ku dramaciteti rritet dhe personazhet tashmë të plakur takojnë njëri tjetrin.
Gabriel Garsia Marquez Credit DW
Libri “Dashuria në kohërat e kolerës” është ndoshta libri më i mirë i shkruar nga Gabriel Garsia Marquez. Stili është ai i Markezit (Marquez) më të mirë: i ndërlikuar, i përpunuar, i përbërë nga kërcime kohore dhe shpikje letrare. Historia bazohet në pyetjen që të gjithë i bëjmë vetes: a zgjat vërtet dashuria gjithë jetën? Florentino Ariza, personazhi i librit thotë se po. Një dashuri e pamasë, e pastër që di të presë më shumë se pesëdhjetë vjet për të gjetur mundësinë për t'u shprehur. Një lidhje e lindur në adoleshencë, e cila përjetoi një ndarje shumë të gjatë, me Florentinon gati të priste vdekjen e bashkëshortit të saj, doktor Juvenal Urbino, për t'u bashkuar sërish me dashurinë e adoleshencës së tyre.
Pyetja tjetër që Marquez i bën vetes dhe ne si lexues ia bëjmë vetes gjithashtu është: a përkon dashuria me besnikërinë? Në këtë rast absolutisht jo, pasi Florentino do të ketë aventura dashurore me të gjitha llojet e grave, pa pushuar kurrë së dashuruari Ferminën e tij. Një roman monumental, sepse dashuria e Florentinos është dashuria që ne të gjithë duam ta marrim, që të gjithë duam ta japim. Dashuria që çdokush ëndërron të jetojë, dashuria që di të kalojë oqeanet e kohës duke mbetur e pandryshuar.
‘’Dashuria në kohërat e kolerës’’ është libri, i cili të mëson të pranosh çdo formë të dashurisë, të mos e paragjykosh atë e të kuptosh se çdo moshë e jetës, nuk vlen asnjë grosh pa cimbisjet që vetëm dashuria di të fali. Gjithashtu është libri që të mëson se humaniteti qëndron te gjërat e vogla në jetë, se lumturia qëndron te zemra dhe se matematika dhe llogaritë vetëm sa e ndërlikojnë përpjekjen tonë drejt lumturisë.
Shkruar mjeshtërisht nga Marquez e përkthyer me një gjuhë të bukur e të përsosur nga Mira Meksi, ky është libri me të cilin do derdhi lot gëzimi e dhimbje, duke reflektuar për jetën e dashurinë.
Dhe në fund, një fakt lidhur me jetën private të vetë Marquez. Ai e njohu takoi gruan e tij Mercedes, kur ajo ishte 9 vjeç, ndërsa ai 14, por iu desh të priste sa ajo të mbushte 26 vjeç, për t’u bashkuar me të në martesë.