Perparim Kabo autor i librit - Credit 360 grade
Përurohet “Antropologjia e artit” me autor studiuesin Përparim Kabo. Librin në fjalë autori e cilëson si “libër për shpirtin e artit dhe të artistëve”. Pas një pune të gjatë ndër vite, libri me titull “Antropologjia e Artit” me rreth 1600 faqe, i ndarë në dy vëllime, me pothuaj 800 faqe secili, pa dritën e botimit. Është Shtëpia Botuese Onufri që realizoi me shumë cilësi dhe përkushtim këtë botim. Studimi, nis si pikë kohore, që nga lufta e Trojës, pra 3000 vjet përpara dhe vjen në ditët tona.
Në vend i veçantë në libër, i kushtohet kulturës franceze dhe shkrimtarit Viktor Hygo në veçanti, jeta e të cilit përshkruhet si një roman. Në studimin për Hygonë përfshihen reformat që bëri ai në teatër, letërsi dhe poezi. Libri përfshin gjithashtu një studim për kryeveprën “Hamleti”.
Ndërsa vëllimi i dytë ka kryesisht profile artistike dhe kritika letrare. Spikat një studim për Ndre Mjedën që është unikal. Më tej studime për Migjenin, Petro Markon, Drita Pelingun, Mihal Luarasin, Edi Luaradin, Tinka Kurtin, Reshat Arbanën, Petro Markon dhe Kasem Trebeshinën. Ka edhe një studim , mbi Jazz-in dhe raporti që ka me polifoninë.
“Kjo mbrëmje nuk i takon librit tim, por i takon një tempulli që është arti. Templarët janë artistët, ndërsa pelegrinët jemi ne që jemi rritur me art, që e duam artin e nuk bëjmë dot pa të”, u shpreh në mbrëmjen e promovimit studiuesi dhe pedagogu Përparim Kabo.
Libri vjen si vazhdë e ciklit të antrolopogjive, që ka nisur në vitin 2014, me librin “Epistolate-antropologjia e frymës”, vijon me “Antropologjinë e Artit” për të vijuar me “Antropologjinë e Turmës.” Tashmë libri “Antropologjia e Artit” është në qarkullim dhe e gjeni në libraritë “Albania” dhe “Libri Universitar”. Libri ka ekzaktësisht 1530 faqe dhe kushton 6000 lekë.