Më 9 maj u largua nga jeta në moshën 100-vjeçare aktorja e famshme kineze Qin Yi. Jeta e saj i ngjan një filmi me plot të papritura, por qëndrimi i saj optimist e pozitiv për jetën i ka prekur të gjithë. Qin Yi dëshmoi zhvillimin e kinematografisë të Kinës së Re dhe luajti shumë role të paharrueshme në mjaft filma.

Qin Yi lindi në një familje të madhe të Shangait në 31 janar të vitit 1922, Ajo tregoi interesim për artin që në fëmijërinë e hershme. Gjatë mësimit në Shkollën Profesionale Kineze të Shangait, Qin Yi mori pjesë në interpretimin e dramës dhe u anëtarësua në trupën “Zhongwan”.

Në vitin 1938, Qin Yi u bë aktore në Studion e Filmit të Kinës, duke luajtur rolin e saj të parë në filmin “Burri i mirë” (1939). Në vitin 1941, Qin Yi u largua nga Studio e Filmit e Kinës për t’iu bashkuar Studios së Dramës të Kinës, ku interpretoi mjaft role.

Pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949, Qin Yi u bë aktore në Studion e Filmit të Shangait. Që nga ajo kohë ajo pati periudhën e saj të artë të interpretimit, duke luajtur shumë role klasike në historinë e filmit kinez, si për shembull Lin Jie në filmin “Basketbollistja Nr.5”, Lin Hong në filmin “Kënga e rinisë”, kunata Fanglin në filmin “Guerilja hekurudhore” etj. Në vitin 2019, 97-vjeçarja Qin Yi mori pjesë në xhirimin e filmit “Për dashurinë me ty”, që ishte edhe roli i saj i fundit.

Interpretimi i natyrshëm dhe i gjallë i Qin Yi-së është mirëpritur shumë nga shikuesit. Ajo fitoi çmimin e arritjes së jetës me çmimin “Gjeli i Artë” në vitin 2009 (çmimi më i lartë kinematografik kinez) dhe çmimin e arritjes së jetës të Festivalit të 11-të të Filmit të Shangait të vitit 2008. Në vitin 2019, Qin Yi u kurorëzua me titullin “Artisti i Popullit” të vendit.

Në krahasim me arritjet e mëdha në fushën artistike, jeta e Qin Yi-së nuk shkoi po aq mbarë dhe ishte plot me të papritura. Në vitin 1939, Qin Yi u martua me aktorin e dramës Chen Tianguo. Por pas martesës, Chen Tianguo pinte gjithë ditën. Pas lindjes së vajzës në vitin 1944, për shkak të vështirësive financiare kur Chen Tianguo kërkoi ta braktisë vajzën, Qin Yi nuk mundi ta durojë më dhe u divorcua nga ai.

Në vitin 1947, Qin Yi u takua me aktorin e famshëm të filmit Jin Yan gjatë xhirimit të filmit në Hong-Kong. Ata ranë në dashuri dhe u martuan, ndërsa në vitin 1948 lindi djali i tyre Jin Jie. Jeta e lumtur e çiftit nuk zgjati për shumë vite, pasi në vitin 1962 Jin Yan pësoi një hemoragji në stomak për shkak të alkoolit dhe zuri shtratin. Që nga ajo kohë Qin Yi u kujdes për bashkëshortin, derisa ai u largua nga jeta në vitin 1983. Gjatë kësaj periudhe, në mes të viteve ’60 të shekullit të kaluar, edhe vetë Qin Yi vuajti nga kanceri i zorrës së trashë, duke u operuar. Për fat të keq, në vitin 1964, djali Jin Jie u diagnostikua me skizofreni dhe qysh nga ajo kohë, Qin Yi iu kushtua të birit në të gjitha aspektet e jetës, që nga kujdesi për nevojat personale në tualet e deri te qethja e flokëve, derisa ai u largua nga jeta në vitin 2007.

Jeta e lodhur nuk e përkuli Qin Yi-në. Duke i përballuar vështirësitë gjithmonë me një qëndrim optimist, forca e saj i preku të gjithë. Njerëzit do ta kujtojnë gjithmonë këtë artiste të madhe. (Foto nga VCG)