Ka artistë që bëjnë art dhe lënë gjurmë në memorien e një vendi. Tregu muzikor ecën me shpejtësinë e dritës, por arti i vërtetë mbetet i gdhendur ndër vite. Kur e bën punën me dashuri, pa menduar se sa para do fitosh nga ajo, aty ke arritur dhe çelësin e suksesit. Kjo ndodh dhe me kantautorin shqiptar Eugent Bushpepa, i cili ka një dashuri shumë të madhe për muzikën.
CORELEONI ft. Leo Leoni (Gotthard) – neuer Hardrock ‚Let Life Begin Tonight ‘ (Foto nga obliveon.de )
Eugenti ka lindur në Rrëshen në vitin 1984 dhe fillimet në skenë i ka që i vogël, me orientimin drejt rrymës rrok dhe alternative metal. Ai nisi të marrë leksione në kitarë në klasë të pestë dhe më pas e zgjeroi veprimtarinë e tij muzikore, duke marrë pjesë në disa festivale në Shqipëri.
Eugenti është ndër artistët shqiptarë, që shquhet për sprektrin e gjerë vokal dhe notat e larta e të fuqishme. Sapo mbaroi shkollën e mesme, ai shkoi në Bolonja, në Itali, për të vazhduar studimet për mjekësi. Në vitin 2005, pas 4 vitesh në emigrim, u rikthye në Shqipëri, ku u regjistrua në Universitetin e Tiranës për të vazhduar më tej studimet. Njëkohësisht Eugenti u angazhua si këngëtar në Top Channel dhe që nga ajo kohë vazhdon të mbetet aktiv në skenën e muzikës shqiptare.
Edhe pse karriera muzikore e Bushpepës nisi që në moshë të vogël, suksesin e gjerë në Shqipëri e fitoi me këngën “Maska e Madhështisë" në vitin 2007, me të cilën u përfaqësua në edicionin e 4-të Top Fest.
CORELEONI(Foto nga obliveon.de )
Përveç suksesit të padiskutueshëm në Shqipëri, talenti i Bushpepës ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare, duke tërhequr herë pas here vëmendjen e artistëve të huaj, të cilët janë interesuar për të bashkëpunuar me artistin shqiptar. Në 2007, Bushpepa dhe grupi i tij performuan si akt hapës i koncertit të Deep Purple në Tiranë, gjithashtu si akt mbështetës i grupit Duff McKagan gjatë performancës së tyre në Tiranë, duke perfomuar në krah të Ron "Bumblefoot" Thal, kitaristit të Guns N' Roses. Në vitin 2014, Eugenti performoi si vokalist përkrah “Darkology” gjatë turnet të tyre, si dhe me grupin "Overkill" në turneun europian në po të njëjtin vit, duke performuar në qytete të ndryshme të Spanjës, Portugalisë, Italisë, Zvicrës, Gjermanisë dhe Hollandës.
Eugent Bushpepa ne Eurovizion (Foto nga Eucontest.cz)
Në dhjetor të vitit 2017 ai mori pjesë si kantautor në Festivalin e 56-të të Këngës, me këngën titullin "Mall", ku u shpall fituesi i saj. Me këtë fitore iu dha mundësia për të përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës në vitin 2018, mbajtur në Lisbonë.
Eugent Bushpepa pas fitores së Festivalit të 56-të të këngës në Rtsh u shpreh: “Janë emocione të papërshkrueshme, jam shumë i lumtur që e kam në dorë këtë kupë dhe jam shumë i lumtur që do arrij të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovizion. Do doja shumë që kënga të prezantohej në shqip sepse i shkon dhe melodisë, është e kotë që të bëjmë këngën në anglisht, pasi nuk i rri mirë vijës melodike, prandaj mendoj se më mirë do jetë në shqip. Për fat të mirë kemi pasur këngëtarë shumë të mirë që na kanë përfaqësuar, por shpresoj që të ngjitemi në vendet e para. Faleminderit për përkrahjen që më keni dhënë gjatë gjithë kësaj periudhe dhe shpresoj që t’ja dalim mbarë në Eurovizion” përfundon Eugent Bushpepa”.
Eugent Bushpepa (Foto nga Eurovision)
Eugent Bushpepa shkoi në Eurovizion dhe ashtu si premtoi e këndoi këngën në gjuhën shqipe, ku me interpretimin e tij në notat e larta, arriti të bënte për vete jurinë profesionale, e cila e vlerësoi atë në vendin e 7-të në finalen e madhe, duke u futur kështu në 10-shen më të mirë të Festivalit.
Megjithatë, votat e publikut përcaktojnë renditjen përfundimtare. Në bazë të tyre, Bushpepa e renditi Shqipërinë në vendin e 11-të nga 26 vendet finaliste. Gjithashtu bazuar në një shondazh të mbajtur nga portali WiWiiblogss para fillimit të Eurovision-it, Eugenti zuri vendin e parë si vokalisti mashkull më i pëlqyer i publikut nga 12 konkurrentët vokalistë meshkuj.
Le të kthehemi në retrospektivë, ku në “Top Fest 12” në vitin 2015 Eugent Bushpepa i është përgjigjur pyetjeve nga disa fansa.
Hermesi: A e ke menduar të marrësh pjesë ndonjëherë në “The Voice of USA”, ta fitosh (sepse ti mund ta bësh), të afirmohesh si këngëtar ndërkombëtar?
(Foto personale)
Eugent Bushpepa: “Faleminderit për fjalët e bukura, por të them të drejtën mua nuk më pëlqejnë shtigjet e shkurtra drejt suksesit, jam munduar që ta bëj këtë gradualisht. Vend më të mirë se Shqipëria për muzikën që kam unë nuk mendoj se ka, kështu që shpresojmë në të ardhmen pse jo”.
Dhe e ardhmja duket se ka trokitur për artistin shqiptar Eugent Bushpepa, ku vlerat, zërin dhe perfomancat e tij, t’i shijojë jo vetëm publiku shqiptar, por edhe ai ndërkombëtar.
Këtë vit i vetmi prononcim i shkurtër i kantautorit Eugent Bushpepa për projektet e reja muzikore, ka qenë për Top Albania Radio, aty ku ai ka hedhur dhe hapat e para drejt suksesit: “Hapat e parë unë i kam hedhur. Kam filluar të bashkëpunoj me një grup që quhet CoreLeoni, janë një grup shumë i famshëm në Zvicër që bëjnë muzik Hard Rock, janë të gjitha gjenezat e mia, të studiuarit muzikë, të studiuarit vokal. Përpiqem që të japë maksimumin tim edhe andej. Deri tani është mirë, shpresoj që të shkojë edhe mëmirë” shprehet Eugent Bushpepa.
Këtë vit Eugent Bushpepa ka realizuar disa këngë të reja me grupin CoreLeoni, shoqëruar edhe me videoklipe. Tashmë ai po gëzon suksesin e projekteve të reja muzikore me grupin e famshëm zvicerian ku së bashku realizuan një disk me materiale të reja muzikore në një periudhë mjaft të shkurtër. Disa nga këngët janë “Let Life Begin Tonight”, “ Like It Or Not”, “Sometimes”. Eugenti ka ende shumë për të dhënë edhe në Shqipëri për fansat e tij, të cilët e presin me brohoritje në çdo perfomancë live sepse e dinë që ai nuk do i zhgënjejë asnjëherë në skenë, por sigurisht që tashmë i është hapur edhe një derë jashtë vendit, një dritë jeshile për të shpresuar që jehona e zërit të Eugent Bushpepës do të dëgjohet kudo.
Përgatiti: Sava Lena