Lumi Vjosa në Shqipëri është lumi i fundit i egër në Evropë. Degët e tij rrjedhin lirshëm nga malet në Greqi deri në bregdetin Adriatik në Shqipëri. Vjosa është një zonë të gjerë natyrore, që përbëhet nga një mozaik i madh i llojeve të ndryshme të habitateve, duke nisur nga grykat e ngushta në pjesën e sipërme, në seksionet e gjera gjarpëruese lumore në rrjedhën e mesme deri në deltën gati natyrore në Detin Adriatik. Vetëm rrjedha e mesme përmban të paktën 8 lloje habitatesh, që kanë rëndësi prioritare sa i përket aspekteve të ruajtjes së natyrës në kuadrin e Bashkimit Evropian.

Besjana Guri (foto personale)

Për mbrojtjen e lumit Vjosa janë organizuar fushata të ndryshme, po ashtu edhe gjatë këtij muaji do të mbahet një koncert me pjesmarrjen e disa prej artistëve më të mirë shqiptarë. Besjana Guri, përfaqësuese e EcoAlbania rrëfen për Radio Ejani atë çka ky koncert do të sjellë.

"Koncerti Vjosa Forever është i dyti që ne po organizojmë në kuadër të fushatës për mbrojtjen e lumit Vjosa. Në fakt në vitin 2017 kemi organizuar koncertin e parë në Tiranë, i cili ishte me sloganin “Mos ma prek Vjosën!”. Tani vijmë me “Vjosa Forever” një koncert ndërgjegjësues për të sjellë mesazhin që Vjosa meriton të ruhet përgjithmonë kështu siç është, pra e lirë dhe e egër, ndaj dhe mban këtë emër. Idea për realizimin e tij ka ardhur herët, pasi ne ka kohë që e planifikojmë organizimin e një koncerti të tillë dhe jemi në një moment të duhur për ta realizuar një event dhe për t’i dhënë rëndësinë e duhur, qoftë arritjeve që janë bërë në fushatën për mbrojtjen e lumit Vjosa. Sigurisht për t’i dhënë një shtysë më të madhe qëllimit tonë final, që është ai i shpalljes Park Kombëtar”, shprehet ajo.

Langarica, lumi vjosa (foto ecoalbabania)

Vjosa dhe degët e saj janë të pakrahasueshme me një lumë tjetër në Evropë. Kështu, ky peizazh lumor duhet të mbrohet nga kategoria më e lartë e mundshme e mbrojtjes së natyrës, që do të ishte një Park Kombëtar sipas standardeve të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës. Ndërsa ky koncert vjen dhe në formën e një thirrje për ta sjellë në vëmendje të të gjithëve, ashtu sikundër ka bërë që edhe aktorë si Leonardo Di Caprio të flasin për rëndësinë e tij.

Njohuritë shkencore rreth biodiversitetit dhe proceseve ekologjike të Vjosës janë të kufizuara. Ai është një nga lumenjtë më pak të eksploruar në Evropë. Por disa studime ekzistuese nënvizojnë rëndësinë e luginës së lumit si “pika e nxehtë” e biodiversitetit në Shqipëri, që ofron habitate ujore ideale për specie të shumta. Lumi është strehë e mbi 1,100 specieve, duke përfshirë 13 specie kafshësh dhe 2 bimësh, të kërcënuara globalisht dhe e të paktën 50 specie kafshësh dhe 24 bimësh të cilat janë të përfshira në Listat e Kuqe të Shqipërisë.

"Koncerti është menduar të organizohet në luginën e Vjosës për të sjellë në vëmendje gjithë luginën e Vjosës, bukuritë e saj. Për t’i dhënë një vëmendje gjithashtu dhe mundësi zhvillimi e promovimi zones, nëpërmjet këtij koncerti. Është menduar që të ogranizohet si një koncert i madh, sepse artistët që do të jenë pjesë janë emra të mëdhenj të artit. Vetë koncerti do të jetë kulminacioni i gjithë eventit ku njerëzit që do të vijnë në koncert do të kenë mundësi të shijojnë bukuritë e Vjosës, për të kaluar një fundjavë ndryshe dhe në të njëjtën kohë për t’u ndërgjegjësuar”thotë Besjana Guri.

Koncerti Vjosa ( EcoAlbania)

Nga një Park Kombëtar jo vetëm që do të përfitonte jeta e egër, por edhe njerëzit e luginës së Vjosës përmes shfrytëzimit të potencialit për një zhvillim të qëndrueshëm socio-ekonomik. Në të ardhmen, mijëra turistë nga e gjithë Evropa do të vijnë për të vizituar këtë lumë të fundit të egër të kontinentit. Një sondazh i kohëve të fundit i opinionit publik tregon se 94% e shqiptarëve është pro krijimit të Parkut Kombëtar lumor të Vjosës.

"Koncerti Vjosa Forever do të mbahet më 4 qershor në Tepelenë tek sheshi "Lord Bajron" në orën 18:00 dhe do të zgjasë deri në orën 23:00. Është një concert, i cili do të fillojë në perëndimin e diellit dhe me një pamje të mrekullueshme buzë Vjosës, ndaj ndër tjera do të jetë një mbrëmje shumë e veçantë me art dhe argëtim pa fund. Do ketë edhe një atmosferë të mirë për njerëzit, të cilët do të jenë pjesë e projektit”, thotë ajo

Lumi Vjosa (foto ecoalbabania)

Ndër të tjera Besjana ndan me ne informacionet se kush do të jenë pjesmarrës në këtë projekt si dhe një ftesë për të gjithë ata që duan të jenë atje në datën 4 qershor

“Artistët, të cilët i janë bashkuar projektit dhe fushatës për lumin Vjosa janë Eugent Bushpepa, Vlashent Sata, Elina Duni, Shpat Deda, Eda Zari, Florian Binaj, grupi isopolifonik etj. Artistë të gjithë të mirënjohur, të cilët kanë dhënë kontribut për fushatën e Vjosës edhe më parë dhe këtë herë vijnë të bashkuar në një koncert madhështor. Ftojmë të gjithë njerëzit që kanë dëshirë ta ndjekin koncertin dhe duan të tregojnë mbështetjen e tyre t’i bashkohen koncertit nga të gjitha qytetet e Shqipërisë të vijnë dhe të argëtohen me koncertin.’’, bën thirrje ajo.