Libri Kuran me referenca nga Bibla (foto: ATSH)

Libri Kuran me referenca nga Bibla (foto: ATSH)

Në mjediset e Presidencës u përurua libri “Kuran – me referenca nga Bibla: Një kuptim bashkëkohor”, i autorëve amerikanë Dr.Safi Kaskasi dhe Dr. David Hungerford. Kurani me referenca nga Bibla’ është fryt i një pune të madhe disavjeçare të dy profesionistëve të shquar: doktor Safi Kaskas, një mysliman nga Lindja e Mesme dhe të ndjerit doktor David Hungerford, një kirurg ortoped, një i krishterë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dokotor Kaskas lindi në Bejrut gjatë Luftës së Dytë Botërore e u rrit duke përjetuar si momente paqja midis myslimanëve dhe të krishterëve ashtu edhe periudha konfliktesh të përgjakshme midis tyre, përvoja të cilat e formuan doktor Kaskas të bëhej një figurë e shquar në pajtimin e njerëzve me kultura dhe prejardhje të ndryshme fetare. Nga ana tjetër, bashkautori i këtij libri, i ndjeri doktor Hungerford nuk kishte takuar kurrë më parë një mysliman, derisa nisi të studionte mjekësi”.

“Synimi i librit është të bashkojë edhe më shumë njerëzit me përkatësi të ndryshme fetare, duke treguar se ajo që i bashkon besimet është më e madhe dhe më e fortë se ajo që i dallon, dhe fuqia që e bashkon njerëzimin, pra Zoti, krijon harmoni dhe jo ndasi. Nën këtë frymë, ky libër ndihmon në ndërtimin e urave të mirëkuptimit, të tolerancës dhe harmonisë së besimeve të ndryshme, duke hedhur dritë mbi të vërtetat epokale që përmbajnë Kurani dhe Bibla, dhe duke nxitur lexuesit t’i duan njerëzit e të shmangin radikalizmat”, theksoi Meta në fjalën e tij.

I ardhur tashmë në gjuhën shqipe, libri është një vlerë më shumë në fushën e letrave dhe studimeve në vendin tonë.