Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansambli Popullor realizuan një turne historik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Pas dekadash mungese, në një tur historik, ansambli preku skena në Kosovë e Maqedoninë e Veriut. Kjo ishte një dëshirë e hershme e drejtueses së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Zana Çela. Në fund të muajit prill, ky turne nisi udhëtimin e tij, duke i dhënë jehonë trashëgimisë kulturore, me ndalesat e tij në disa qytete fqinje përtej kufirit.
Zana Çela, drejtoreshë e TKOB-it, në konferencën për shtyp në lidhje me këtë aktivitet është shprehur: “E quajmë një historik, pasi Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore rikthehet pas 30 viteve në një turne të tillë. Ai do të prezantojë përpara brezit të ri vlerat e mrekullueshme që ruan folklori shqiptar, traditat e kultivuara dhe kush më mirë se Ansambli i Këngëve dhe Valleve i ka ruajtur këto përgjatë historisë së vet 65-vjeçare. Synoj që këtë projekt ta shtrij përtej Rajonit, kudo në trevat ku ndodhen shqiptarët”.
Programi artistik i turneut u bazua në krijimet më të bukura të muzikës së kultivuar nga të gjitha trevat shqiptare si dhe në folklorin e pasur kombëtar. Në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor me vendet ku do të zhvillohet, ky turne folklorik u realizua me shumë sukses.
Klejvis Saliaj, gazetari dhe moderatori i këtij turneu, është shprehur në një interviste televizive për një transmetues shqiptar se grupi organizativ kur niset krijon pritshmëritë në mendjen e vet. Sipas tij, pavarësisht shfaqjeve sporadike, një turne i përmasave të tilla mungonte prej dekadash. Saliaj tha se kudo në qytetet ku shkeli ansambli kishte shumë mall dhe një dashuri të jashtëzakonshme. Publiku e mirëpriti dhe duartrokiti fort. “Kanë qenë 5 net shumë impenjative dhe programi i ishte i ndryshëm sepse i janë përshtatur edhe trevave ku shkuam. Drejtori artistik u kujdes që në çdo qytet të kishte pasqyrime nga po ai vend. Por mua më bëri përshtypje se publiku nuk ishte i përmalluar për të dëgjuar muzikën që e përfaqësonte, por donin shumë kabanë e jugut, vallen e Tiranës. Qytetet ku u organizua ky turne, por dhe të tjera jashtë itinerarit, kanë kërkuar rikthimin e Ansamblit Popullor”, -deklaroi Klevis Saliaj.
Turneu u organizua në kuadër të rijetëzimit, kujtesës dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare, brez pas brezi, për të përcjellë vlerat më të mëdha artistike kombëtare të cilat ruhen me fanatizëm nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore.
Rikthimi i këtij turneu risolli jehonën dhe suksesin e padiskutueshëm të Ansamblit Kombëtar shqiptar.
Programi artistik bazohej në krijimet më të bukura të muzikës së kultivuar nga të gjitha trevat shqiptare si dhe në folklorin e pasur kombëtar.
Përgatiti: Sava Lena